E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, qeveria kalon kredinë 230 mln euro

Opozita voton kundër, duke deklaruar se kredia tregtare nuk është e nevojshme në kushtet kur realizimet e investimeve janë minimale

Qeveria do paguajë një interes tregtar ndërsa principali do jetë 23 milionë euro në vit

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar me votat e maxhorancës kredinë tregtare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe "Alpha Bank A.E" dhe "NBG S.A", për huanë 230 milion euro për financimin e projektit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh se pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha ofertave të ardhura nga bankat, rezultoi se oferta e përbashkët e "Alpha Bank" dhe "Natoinal Bank of Greece" ishte oferta me e mirë përsa i përket termave të kreditimit dhe të sigurimit të shumës së kërkuar të kredisë. Por deputetët e opozitës janë shprehur kundër duke e vlerësuar këtë kredi si të panevojshme, në një kohë që realizimi në total i investimeve publike, edhe për 3 muaj e parë të vitit 2008 ishte vetëm 47 për qind. Edhe në vitin 2007 qeveria nuk arriti që të realizonte me një shumë prej 200 milionë euro investimet, duke kërkuar nga ana e Parlamentit për një rialokim të burimeve pikërisht në fund të vitit 2007.

***

Rruga Durrës-Kukës është e ndarë në tri pjesë, ku e para Milot-Rrëshen do të kushtojë 32 milionë Euro dhe do të financohet kryesisht nga Banka Botërore, segmenti i dytë është ai Kalimash-Morinë, i cili do të kushtojë 38 milionë euro dhe do të financohet tërësisht nga Buxheti i Shtetit. Ndërkohë që segmenti më problematik është ai i ndërmjetëm, i cili parashikohet që të ketë një kosto prej 500 milionë euro. Kjo shumë është mbi 5.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe qeveria ka dëshirë ta realizojë në periudhën 2006-2009. Borxhi që pritet të merret për ndërtimin e kësaj rruge, duket se do të jetë një "peshqesh" për ata që do të menaxhojnë financat publike pas vitit 2009. Fondi Monetar Ndërkombëtar, që në fillim ka qenë tepër skeptik për marrjen e një shume kaq të madhe kredie, që është me interesa të larta. Sipas parashikimeve fiskale të bëra nga qeveria për vitin 2008, niveli i deficitit buxhetor për vitin 2008 do të jetë 5.2 për qind. Ulja e nivelit të deficitit buxhetor nga 7.9 për qind që ishte parashikuar nga qeveria në 2007 në 5.2 për qind, erdhi pas kërkesave të vazhdueshme të bërë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.

***

Zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se shpallja e ofertës fituese është bërë që në qershor të vitit të kaluar, por duke qenë se buxheti i vitit 2007 kishte fonde të mjaftueshme për financimin e vlerës së punimeve, sipas kontratës përkatëse, marrëveshja e huasë me "Alpha Bank" dhe "NBG" u përfundua në fillim të muajit prill të këtij viti. Shehu sqaroi gjithashtu se termat e kredisë së dhënë nga këto dy banka janë, principali 230 milion euro, maturimi 15 vjet, periudha e pagesës së principalit 5 vjet, shlyerja është parashikuar 10 këste të barabarta vjetore, ndërsa interesi është euribor plus 1.25 %. Por nga ana e opozitës është bërë e ditur se qeveria nuk ka preferuar të marrë kredi nga BB dhe BERZH për shkak se këto institucione kërkojnë projekte për rrugën dhe llogari për nivelin e punimeve të realizuara nga firma. "Në kushtet kur rruga nuk ka projekt përfundimtar dhe punimet kryhen me ritme të ulëta, kreditë koncesionare nuk mund që të përfitohen nga qeveria", - kanë bërë të ditur deputetët e opozitës.

Termat e kredisë

Principali 230 milionë euro

Maturimi 15 vjet

Periudha a pagesës së principalit 5 vjet

shlyerja 10 këste të barabarta vjetore

Interesi euribor plus 1.25 %.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›