E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale Bode jep detajet e faljes se borxheve

Rreth 40 miliardë lekë të reja janë efektet negative në buxhet të faljes së detyrimeve që ka ndërmarrë qeveria. Vetë ministri i Financave, një ditë pas miratimit në Parlament të paketës ligjore dha detajet. Sipas zotit Bode, brenda muaji maj hapen ligjërisht mundësitë për të bërë deklarimin e aseteve, shumave monetare dhe deklarimet e tjera për përfitime.

“Brenda dyjavorit të parë të muajit maj, ky ligj do të jetë valid. Kohëzgjatja e tij do të jetë deri në fund të viti 2011. Nga përllogaritjet tona vetëm falja e detyrimeve të prapambetura shkon në rreth 40 miliardë lekë të reja”- tha Bode.

I pyetur për efektet psikologjike te biznesi dhe qytetarët, ministri tha se janë ndërmarrë të gjitha masat administrative dhe ligjore për të mos lejuar më evazion fiskal.

“Kemi përgatitur një paketë përmirësimesh ligjore, një pjesë e të cilave kanë kaluar dhe një pjesë janë duke kaluar dhe që janë të lidhura ngushtë me këtë legalizim të kapitaleve dhe falje. Kjo do të thotë se pas këtij momenti nuk mund të ketë tolerancë për veprime të fshehjes”- tha ministri i Financave.

Falja e detyrimeve erdhi pas disa javësh diskutime ndërmjet hartuesve të ligjit dhe grupeve të interesit. Ministri i Financave tha se të gjitha propozimet e bëra nga shoqatat e biznesit janë marrë përfshirë në këtë nismë ligjore, që sipas tij do t`i japë fund tranzicionit 20-vjeçar të Shqipërisë.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›