E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët, kompensim për transferimet

22/04/2011  Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për kompensimin e udhëtimit të policëve dhe asistencë për bashkëshortët

Kategoritë që përfitojnë sipas largësisë së shërbimit dhe dokumentacioni që duhet

Punonjësit e policisë përfitojnë kompensim për udhëtimet që u caktohen si detyrë jashtë qytetit ku jetojnë. Vendimi i qeverisë ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Sipas vendimit, nëse punonjësi i policisë caktohet me detyrë nga 36 km deri 60 km larg banesës së tij përfiton 3 000 lekë/muaj kompensim, masë që shkon deri në 15 mijë lekë/muaj për largësinë mbi 200 km. Nga ky vendim përfitojnë vetëm punonjësit efektivë të policisë, jo ata të emëruar për herë të parë. Efektet financiare përballohen nga fondet e buxhetit të Policisë së Shtetit.

Procedurat

Për të marrë këtë pagesë ekstra, vendimi parashikon edhe disa dokumente që duhet të paraqiten nga përfituesi në organin ku është transferuar. Po kështu, nëse një punonjës i policisë transferohet dhe për këtë shkak bashkëshortja/i humbet punën, ajo/ai përfiton asistencë që mund të vijojë deri në 15 vjet. Kjo asistencë jepet në rastet kur nuk mund të gjejë punë në vendin e transferimit. Pagesa jepet deri në çastin e punësimit, në masën 50 për qind e pagës minimale në shkallë vendi, nëse ka vjetërsi pune nga 3 muaj deri në 1 vit, pagesa është 100 për qind e pagës mujore minimale për vjetërsi pune mbi 1 vit deri në 10 vjet dhe 100% e pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150% e pagës minimale në shkallë vendi për vjetërsi në punë mbi 10 vjet. Këto pagesa indeksohen me rritjen e pagave sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave. Për të përfituar këtë pagesë të bashkëshortes/it, punonjësi i policisë duhet të paraqesë në organin ku është transferuar disa dokumente. Gjithashtu, vendimi përcakton edhe një pagesë tjetër për punonjësin e policisë, në përpjesëtim me kohën e shpenzuar gjatë ushtrimit të detyrës shtesë të trajnuesit në terren të punonjësve të policisë që kanë përfunduar periudhën e shkollimit në shkollën bazë të policisë. Shtesa mbi pagën mujore është në masën 40 lekë/orë, por jo më shumë se 7 mijë lekë. Shpërblimet nuk mbarojnë këtu, pasi ky vendim njeh edhe të drejtën për shpërblim në fund të vitit financiar, sipas ligjit “Për Policinë e Shtetit”, por edhe një shpërblim deri në 1 pagë mujore në vit. Ky shpërblim jepet nga fondi i veçantë dhe mund të jetë përgjatë vitit kalendarik. Masa e shpërblimit caktohet dhe jepet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Kompensimi

Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur caktohet në punë jashtë vendbanimit të vet, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon:

a) Nga 36 km deri 60 km, në masën 3 000 lekë/muaj;

b) nga 61 km deri 100 km, në masën 5 000 lekë/muaj;

c) nga 101 km deri 150 km, në masën 8 000 lekë/muaj;

ç) nga 151 km deri 200 km, në masën 10 000 lekë/muaj;

d) mbi 200 km, në masën 15 000 lekë/muaj.

Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të komisariatit të policisë apo Drejtorisë së Policisë së Qarkut (në rrethin qendër qarku), ku punonjësi i policisë është transferuar.

Dokumentacioni

Për përfitimin e pagesës punonjësi i policisë paraqet në organin, ku është transferuar, dokumentacionin e poshtëshënuar:

a) Kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, ku përshkruhet:

- organi ku ka punuar;

- data e transferimit;

- motivi i transferimit;

- adresa ku banon aktualisht familja e tij;

- adresa ku banon përkohësisht vetë punonjësi.

b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatë të gjendjes civile, personale dhe familjare.

c) Vërtetim nga komuna/njësia bashkiake/bashkia, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të policisë, pavarësisht nga gjendja civile.

Asistencë për bashkëshortët

Kur punonjësi i policisë transferohet për nevoja pune dhe për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën:

a) 50% të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, ku bashkëshortja/i ka vjetërsi pune nga 3 muaj deri në 1 vit.

b) 100% të pagës mujore minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 vit deri në 10 vjet.

c) 100% të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150% e pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 vjet.

Paga mesatare mujore e bashkëshortes/it indeksohet me rritjen e pagave sipas VKM-ve.

Dokumentacioni për asistencë

Për përfitimin e pagesës punonjësi i policisë paraqet në organin, ku është transferuar, dokumentacionin e poshtëshënuar:

a) Kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, ku përshkruhet:

- organi ku ka punuar;

- data e transferimit;

- arsyeja e transferimit;

- adresa ku ka banuar;

- adresa aktuale ku banon pas transferimit;

- qendra e punës ku ka punuar bashkëshortja/i, data dhe shkaku i largimit nga puna.

b) Librezën e punës të bashkëshortes/it, ku të jetë cilësuar largimi nga puna për arsye të transferimit të bashkëshortes/it.

c) Vërtetim nga zyra përkatëse e punësimit, ku të vërtetohet se bashkëshortja/i është regjistruar si punëkërkues i papunë dhe nuk i është ofruar punë në profesionin e saj/tij. Këtë vërtetim punonjësi e paraqet çdo tre muaj në zyrën e personelit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›