E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, debate për Delijorgjin në Kuvend

Projektligji për amnistinë fiskale ndaj biznesit ka rikthyer edhe në arenën e debateve parlamentare firmën e demontimit "Alba Demil", të Mihal Delijorgjit. 

BLEDAR HOTI

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë të ditur se nga miratimi i këtij p/ligji do të përfitojë edhe firma e Delijorgjit, e cila rezulton të jetë një nga debitoret më të madha ndaj shtetit, si në sistemin tatimor, ashtu dhe në atë doganor. "Firma e Delijorgjit është një nga debitoret më të mëdha, ne këtë firmë e kemi paditur në gjykatë. Nëse gjykata e shpall të pafajshëm për padi civile të bërë, sigurisht që do të përfitojë nga amnistia fiskale. Detyrimi ndaj shtetit është 5 milionë euro", deklaroi Bode. Deputetët socialistë kanë reaguar, duke u shprehur se Delijorgji është paditur për krimin e kryer dhe prishjen e pronës. Debati mes ministrit dhe deputetëve të opozitës, por edhe të maxhorancës, është kryer kryesisht në lidhje me nenin 9. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho, propozoi që për ato firma që janë paditur nga shteti në Gjykatë, apo kanë ankimuar Ministrinë e Financave për gjobën, nuk përfitojnë deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga togat e zeza. Nëse gjykata i jep të drejtë qeverisë për gjobë, atëherë firma duhet ta paguajë, nëse ndodh e kundërta atëherë biznesi i gjobitur përfiton nga amnistia e shpallur. Kjo ka sjellë edhe reagimin e deputetëve socialistë, të cilët kanë kërkuar që kjo të saktësohet nëse veprën e ka për evazion fiskal apo për ndjekje penale për krimin e organizuar. Spaho ka bërë të ditur se propozimi i bërë pikërisht për këtë synon që të ndajë atë kategori biznesi që është kallëzuar penalisht për krime e vepra penale apo për padi civile për mospagim taksash. Neni 9, si variant i qeverisë përcaktohej se, "personat fizikë e juridikë dhe personat fizikë, individë, debitorë ndaj administratës doganore e tatimore dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për të cilët ka filluar një procedim penal apo detyrimi i të cilëve është përcaktuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë a që e kanë paguar detyrimin, me të gjithë komponentët e tij, nuk janë përfitues të faljes së detyrimeve, sipas dispozitave të këtij ligji". Në votimin e këtij projektligji opozita votoi kundër. Ndërsa në votimin në tërësi opozita abstenoi me votën e tij. Pro ishin 57, 1 deputet ishte kundër dhe 23 të tjerë abstenuan. Falja e kamatëvonesa për biznesin zgjat 6 muaj nga miratimi i ligjit dhe se qeveria i fal vetëm 35%, ndërsa principalin duhet ta paguajë në arkën e shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›