Falja e gjobave, Leskaj e Ngjela kundër Bodes
Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, ka abstenuar gjatë votimit të këtij projektligji në tërësi. Ndërsa ka votuar kundër propozimit të bërë në Kuvend në nenin 9, i cili shkaktoi shumë debate në Kuvend. Gjithashtu edhe deputeti i djathtë, Spartak Ngjela, ka bërë të ditur se ky vendim i qeverisë nuk mund të quhet në asnjë mënyrë si amnisti ndaj biznesit. "Këtu ka një amalgamë injorance, padie, e cila vjen si pasojë e mungesës së kulturës së caktuar të gjykatës, e parashkrimit. Ç'bëni gjithë këtë zhurmë, këtu fisku (buxheti i shtetit) s'ka falur asgjë, nëse kemi falur, ne kemi falur evazionin fiskal, që përbën vepër penale, të pakontestueshme. Pra, ju keni falur vepër penale, atëherë ç'do thotë se nuk keni falur kundrejt atij që keni bërë padi, atëherë s'keni falur asgjë", deklaroi Ngjela. Ndërsa deputeti i PD-së, Leskaj, ka kërkuar heqjen e nenit 9, pasi kështu do të ketë pasoja ndaj biznesit dhe ngatërrime në zbatimin e tij. "Neni 9, ju vetë zoti ministër do ta vini në vështirësi. Këtu bëjmë fjalë për një falje të thjeshtë, nuk është një amnisti e plotë. Jo edhe ta falim, por ta dërgojmë në Prokurori. Nuk mendoj se janë 10 dosje, por janë me qindra dosje", theksoi Leskaj.