“Amnistia fiskale do të çlironte 15 miliardë euro”
nertila maho
Aplikimi i amnistisë fiskale mund të çlirojë 15-20 miliardë euro, të cilat do t'i jepnin frymëmarrje ekonomisë në këtë moment të vështirë. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka. "Zvarritjet e panevojshme janë në dëm jo vetëm të biznesit, por padiskutim edhe të ekonomisë kombëtare në tërësi", thekson ai. Ndërkaq, nëse i referohemi problemeve që has sot biznesi, Jaka veçon referencat doganore, të cilat janë pengesë për tregtinë e lirë dhe kreditimin në nivele të ulëta nga ana e bankave karshi biznesit.
A po insiston biznesi për amnistinë fiskale, duke qenë se ai ishte iniciatori? çfarë po bëhet me këtë çështje?
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si përfaqësuesja legjitime e pjesës më të madhe të komunitetit te biznesit në Shqipëri, duke qenë dhe si një institucion tradicionalisht partner me aktorët e shtetit, po i përcjell vazhdimisht interesin e biznesit, strukturave qeveritare kompetente dhe përgjegjëse për problematikën që lidhet me amnistinë fiskale dhe legalizimin e aseteve. Gjithashtu, ne vëzhgojmë me interes edhe angazhimin, si dhe mënyrën e trajtimit nga këto struktura të këtij problemi tepër pikant për biznesin vendës, sidomos në ditët e sotme. Nga ana tjetër duhet të merret në konsideratë fakti që në Shqipëri amnistia e plotë fiskale, e shoqëruar me legalizimin e aseteve, përbën një përvojë pothuajse të re, që s'ka ndodhur deri më sot. Nuk është realizuar asnjëherë një amnisti kaq komplekse, me një shtrirje kaq të gjere si dhe me efekte të konsiderueshme jo vetëm mbi biznesin dhe buxhetin e shtetit, por duhet thënë mbi performancën e tërë ekonomisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu dua të tërheq vëmendjen e gjithë aktorëve të përfshirë në këtë iniciativë dhe në veçanti atyre që do të përfshihen në mënyrë direkte, që do të jenë përgjegjës për hartimin e kësaj pakete specifike, se zvarritjet e panevojshme janë në dëm jo vetëm të biznesit, por padiskutim edhe të ekonomisë kombëtare në tërësi, qofshin pjesët e saj publike apo jo. Biznesi ynë, më shumë se kurrë sot ka nevojë për oksigjen, për frymëmarrje dhe energji të reja. Amnistia e plotë fiskale dhe legalizmi i aseteve do të thotë çlirim të 15 deri në 20 miliardë eurove në treg dhe i japin një frymëmarrje të re ekonomisë shqiptare.
Vihet re një rënie e kreditimit nga ana e bankave për biznesin. Si po e përballon biznesi këtë situatë dhe çfarë mendon të bëjë për të zgjidhur këtë problem?
Aktualisht, muajt e fundit po vërehet një tendencë në ulje e kreditimit në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë të kredisë konsumatorë. Unë dëshmoj së në të njëjtin konstatim ka arritur si Banka e Shqipërisë ashtu dhe Dhoma, bazuar në vëzhgimet, monitorimet dhe analizat e kryera nga ana e saj si gjatë vitit 2009, por edhe në tremujorin e parë të vitit 2010. Sidoqoftë e rëndësishme është që ne të analizojmë në thellësi këto fenomene dhe të zbulojmë se cilët janë faktorët që përcaktojnë këtë tendencë. Gjithashtu një rëndësi të veçantë, sidomos për Dhomën ka identifikimi i faktorëve që burojnë nga performanca që kanë sot vetë bizneset tona dhe këtu e kam fjalën te adoptimi i profileve të tyre në tregun e sotëm shqiptar dhe ndërkombëtar si dhe kapacitetet e tyre menaxheriale. Po kështu, u bëj thirrje gjithë aktorëve që kanë ndikim në krijimin e kësaj situate, të reagojnë dhe të reflektojnë me urgjence, pasi zgjatja e këtij fenomeni do të shoqërohet me një stanjacion të padëshiruar të ekonomisë, rrënim të pandalshëm të saj, si dhe nxjerrjen jashtë tregut të shume operatorëve, të cilët ose nuk marrin normalisht kredinë e nevojitur, ose kanë vështirësi në likuidimin e saj.
Sa ndikon administrata tatimore dhe doganore te biznesi?
Këtë përgjigjen unë do ta ndaja në dy paragrafë, pasi dhe performancat e këtyre dy institucioneve janë të ndryshme. Administrata tatimore ka bërë ndryshime të ndjeshme në marrëdhëniet e saj me biznesin, kjo dhe për shkak të përmirësimit të legjislacionit dhe të infrastrukturës në komunikim, por në përmirësimet e bëra nuk janë përjashtuar edhe rastet e presioneve dhe marrëdhëniet korruptive midis individëve, përfaqësues të kësaj administrate, të veshur me pushtet për shkak të detyrës dhe të lidhjeve të tjera. Biznesi është partner me shtetin dhe administratën shtetërore dhe ai duhet të vlerësohet dhe të respektohet në çdo marrëdhënie me këtë administratë. Janë anakronike dhe të dala mode paragjykimet që i bëhen biznesit në vlerësim apo presionet për përfitim. Administrata doganore, për shkak të rregullave dhe dispozitave ligjore në fuqi, është më e prirur për të bërë presion mbi biznesin për veprime korruptive.
Referencat. Shqipëria është në një moment që po bëhet kandidate për në BE, por ka ende vendosje të çmimeve që pengojnë tregtinë e lirë. Ju çfarë mendoni lidhur me këtë?
Historia e çmimeve të referencës në dogana është që nga viti 2000 dhe buletini i çmimeve të referencës së fundit daton në prill 2005, i cili ka pasur ndryshime të herëpashershme. çmimet e referencës janë çmime që aplikohen në rastet kur vërtetohet se subjektet tregtare, në faturat që shoqërojnë mallrat, aplikojnë çmime më të ulëta se ato reale të blerjes dhe aplikimi i tyre duhet të bëhet, pasi nuk ekzistojnë mundësitë për shoqërime me dokumente të tjera plotësuese, si kopje e kontratës, deklaratë doganore e doganës të shtetit të origjinës, etj. Sipas vlerësimeve tona nuk shikohet ndonjë tendencë për shkuarjen e tyre drejt çmimeve reale te blerjes, në një kohë kur tendenca e tregtarëve është përputhja e çmimeve faktike të blerjes me çmimet e faturës. Dhoma mendon se aplikimit të mëtejshëm të çmimeve të referencës në dogana i ka ikur koha dhe nuk bën gjë tjetër sot, veçse bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë dhe të shkëmbimit të mallrave midis vendeve të ndryshme dhe gjithashtu bëhet kosto shtesë në artikujt e importuara, që rritet progresivisht edhe me koston e transportit e të tarifave doganore.