E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhelpra, luani dhe shpirti i kohës

Ndriçim Kulla

Nikoló Makiaveli propozoi dhelprën dhe luanin, si kafshët simbol të përfaqësimit të sjelljes politike. Ato emblemizojnë dinakërinë dhe kurajën, si cilësi që mund të bashkëjetojnë në mënyrë të përshtatshme dhe të lakueshme me ndryshimet që dikton koha. Mirëpo, këto cilësi në vetvete fshehin edhe sjellje krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën: mungesë sëmbimesh në ndërgjegje për strategji e sjellje dëmtuese e besnikëri përtej caqeve ndaj “idealeve” vetjakë, e ndoshta dhe të stisur. Dhelpra “end” stofën e intrigave, luani është emblema heraldike e mbretit që mundohet të mbajë fjalën e dhënë. Nga një konstatim i tillë teorik mund të lindë një reflektim i çmuar, i cili të shtrojë më pas në mënyrë vendimtare çështjen e raportit midis etikës dhe politikës, si themelor në situatën politike që po kalon Shqipëria. Vlen shumë pak të flasësh për mënyrën e organizimit të brendshëm të partive dhe të sistemit elektoral, nëse më parë nuk është bërë e mundur ndërtimi i një “aseti” normash të bashkë-ndara nga të gjitha forcat politike mbi motivet themelore, kombëtare, caqet dhe masën e sjelljes politike. Pa një etikë të vetën që ta dallojë, politika thjesht nuk ekziston. Ja, përse gjatë këtyre viteve ne kemi asistuar dalëngadalë në deklasimin progresiv të funksionit politik, të ligështuar dhe hollësuar vetëm në një funksion thellësisht administrativ dhe që gjen vështirësi të propozojë projekte afatgjatë zhvillimi apo të realizojë reforma të thella në sistemin-vend. Gjendja e agonisë dhe radikalitetit të konfliktit politik, nuk u lë vend këtyre dy nevojave urgjente të shtetit shqiptar, në mënyrë që të diskutohen, ushtrohen apo zbatohen. Ajo që ka funksionuar gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë një sjellje e klasës politike, e ndërtuar mbi bazën e bindjeve të thella të secilës palë dhe segmenteve të ndara apo të përkrahura nga të dyja këto palë. Pra, nga një bashkëpunim i heshtur, shumë më i thellë se sa mund të duket në pamje të jashtme. Një etikë, kësisoj, e themeluar mbi solidaritetin politik të të dyja palëve, jo mbi rregulla e norma të shkruara apo formale, por të njohura, pranuara dhe zbatuara nga të dyja palët. Mirëpo, kriza e marrëdhënieve të tanishme që po zgjat me muaj të tërë, tregon se ky bashkëpunim nuk funksionon më dhe se gjërat kanë ndryshuar. E kur s’ka “aset”, brenda të cilit mund të ndodhin këto lëvizje, atëherë edhe kaosi është mëse i pranishëm, kështu që dhe qasjet e ndryshme nisin të lulëzojnë. Një pjesë e politikës po përpiqet të rigjenerohet, veçse një gjë të tillë kërkon ta bëjë në mënyrë padurueshmërisht moraliste, e madje dhe jo liberale e demokratike. Një pjesë tjetër po e jeton lirinë dhe legjitimitetin e saj, si një licencë për veprim në të gjithë fushën. Po si mund të përfundojë kjo fazë dhe ç’mund të sjellë ajo? Pjesa e parë e pyetjes e merr përgjigjen nga pohimi se përgjigjja është morale jo më pak se politike. E përse vallë? Sepse asnjëra nga palët, për mënyrën se si organizojnë mitingjet dhe përgjigjet e mitingjeve (për të mos përdorur një term negativ kundra-miting), dhe për përmasat e njerëzve që dalin në të dyja sheshet, nuk mund të ketë të drejtën të flasë në emrin e popullit apo të votuesve shqiptarë në përgjithësi. Ka të drejtë të flasë për një “popull të maxhorancës” dhe një “popull opozitar”, që e ndan pothuajse si me thikë tërësinë. Atëherë e drejta politike në këtë rast humbet e nuk mund të ngrihet e të lëvdohet si flamur. Askush nuk mund të “masë” popullin e mitingjeve për ta përdorur si kut të demokracisë, të transparencës e kështu me radhë. Sepse po njësoj ky mund të ishte kuti i maxhorancës, legalitetit e në vijim. Mirëpo dy kute të ndryshëm nuk mund të shërbejnë për të zgjidhur një çështje. Populli është i ndarë edhe për këtë çështje, në lidhje me përparësitë që ai ka, madje edhe mund të anojë nga përparësi të tjera nga ato të politikës. Në kushte të tilla, ai që vendos është morali. Atëherë shtrohet diskutimi, se ç’duhet të thonë vlerat etike dhe morale në politikë. Ka parime të caktuara morale, që nuk mund të negociohen e që kanë të bëjnë me integritetin e njeriut, por që s’përfaqësojnë ende tërësinë e moralit në politikë. Ajo çka përbën zemrën e problemit është pohimi se moral në politikë do të thotë të heqësh dorë nga “utopia”. Të kërkosh dhe zbatosh atë që është e mundshme, dhe jo të bërtasësh me zemrën në flakë për atë që është e pamundur, ka qenë gjithmonë diçka e vështirë, dhe u ka takuar gjithmonë si cilësi të virtytshmëve. Zëri i arsyes nuk është kurrë aq i fortë sa britma e irracionales. Britma që kërkon gjëra të mëdha e të pamundura për realitetin afatshkurtër, zotëron në vetvete vibrimet e moralizuesit (që në nivele të veçanta të kujton tingullin e një hipokrizie të pafundme). Të limitohesh tek e mundshmja, në një gjendje të tillë, duket kësisoj njëlloj sikur të heqësh dorë nga pasioni moral, në një kohë që e gjitha kjo i ngjan pragmatizmit të meskinëve. E vërteta është se morali politik konsiston përpikmërisht në qëndresën ndaj joshjes që ushtrojnë fjalët e mëdha, e me të cilën luhet me fuqinë dhe fatet e një brezi të tërë. Ja, të tillë joshje duhet të “durojë” politika aktuale ndaj fjalëve të tilla të mëdha si liri, transparencë, demokraci përfaqësuese, etj. Nuk është kështu aspak morale moralizimi i një aventure politike, sepse kjo shpie në rrezikun e shndërrimit të “utopisë” sociale në “utopi” të koherencës së përsosur. Përkundrazi, morale është besnikëria dhe ndershmëria intelektuale që pranon si prioritare masën tek çdo veprim njerëzor. Ndërkohë që në politikë, masa është gjëja e saj më e mirë, sjellja në përshtatje me vërtetësinë, shkallën prioritare dhe shtrirjen në bazë të tyre të aksionit politik. A janë marrë parasysh të gjitha këto deri më tani, për të ndërtuar kështu “kutin” matës të maxhorancës dhe opozitës? Të denoncosh shpirtin e kohës është një gjë e mirë, madje e rrallë, pothuajse gjithmonë. është pikërisht shenja dalluese e “homus novus”. Mirëpo, po u kalua masa ajo shndërrohet pothuajse përherë në një mënyrë fortësisht narçiziste e të jetuarit dhe interpretuarit të politikës. E kjo nuk është e thënë të jetë e një njeriu të vetëm, përkundrazi është sidomos e një grupimi që e mban veten të lartë, elitar, me përvojë në interpretimin e politikës. E kështu mund të ngjisim shkallët edhe deri në qëndrimin e një partie të tërë. Ndërkohë që duhet të jetë sensi i masës, ai që duhet t’u “bërtasë’ të gjitha aftësive kapacituese të çdo aksioni politik. E sensi i masës, i përthyer me realitetin shqiptar, pyet kështu: është vërtet momenti i zgjidhjeve të larta, kurajoze? Veçse ky nuk duket të jetë shpirti i kohës tonë. Edhe në vetvete, të heqësh dorë nga një utopi do të thotë të sjellësh moralin në politikë. Pikërisht ajo që po i mungon me muaj politikës sonë, është heqja dorë nga utopitë, e më pas, një drejtim i përcaktuar qartë, një identitet, vija e lartë e horizontit programor përtej cakëzimit nga legjislaturat politike. Sepse kur nuk ekziston kjo vijë horizonti, gjithçka reduktohet në kompromis, në shkëmbim interesash. Leksioni më i rëndësishëm i krizës së fundit ekonomike ishte “cektësia e të menduarit afatgjatë”. Ky leksion, i përthyer në filozofinë moderne politike, u përcaktua si “boshllëk i krijuar nga koha e shkurtër e të menduarit”. Ja, në këtë boshllëk duket se vërtitet vorbulla e politikës shqiptare. Për atë që luan në bursë, koha është çasti. Po kështu për politikanin, që ushqehet me sondazhe apo testime me anë të mitingjeve. Për gazetarët dhe biznesmenët që i mbështesin nga pas, gjeneratat e ardhshme nuk “futen në llogari”. E menjëhershmja, “koha e shkurtër’ është gjithçka, edhe pse shërben për të ruajtur një fuqi apo pushtet, në thelb artificial. Kështu, një politikë e tillë nuk arrin përveç të tjerash të mpijë, topisë apo regjë vetëm kohën, njëlloj si “lëkurën e shegrenit” të Balzakut. Kjo ngrirje, po duket të na godasë edhe hapësirën e veprimit. Mendohet gjithmonë në “hapësira të ngushta” kutish, sheshesh, familjesh, lobesh e fushash të caktuara interesi. Madje mund edhe të na i paralizojë konkretisht hapësirat fizike me anë të mitingjeve të parreshtur. Ndërkohë që hapësirat më të mëdha gjeopolitike të të gjitha kohërave janë për herë të parë përpara kombit shqiptar, liberalizimi dhe integrimi. Ndaj, përfundimi duket më se “utopik”. Që të krijohet e formësohet ajo vijë e lartë horizonti, kah së cilës duhet të priret politika shqiptare, duhet të ngjallen, “përtej së majtës dhe së djathtës” dy parime bazë: të mos mendohet më në “kohë të shkurtra” dhe në “hapësira të ngushta”. Me këto dy shtylla duhet të ngrihet më pas çdo prioritet dhe sjellje, sot për sot, e çdo program e projekt politik, sot për nesër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›