PD feston 1 Majin pa flamur partie
ADI SHKEMBI
Pak metra larg Kryeministrisë, ku prej dy ditësh opozita proteston për hapjen e kutive, maxhoranca festoi dje 1 Majin, ditën e punëtorëve, por që për shumicën është 1 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Për herë të parë, e djathta zhvilloi tubimin e saj në sheshin "Nënë Tereza", kjo për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet sheshit "Skënderbej". Me një koreografi që i ngjante një koncerti muzikor, organizatorët duket se kishin bërë kujdes që ajo të mos merrte përmbajtje politike. Flamurët, që iu shpërndanë pjesëmarrësve, përpara nisjes së koncertit ishin ata të Bashkimit Evropian dhe ai kombëtar, ndërkohë që tek-tuk shikoje ndonjë qytetar që mbante flamurin e Partisë Demokratike. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për skenën. Asnjë slogan politik, por vetëm ngjyra pranverore. Megjithëse me diell, koha duket se nuk ka qenë shumë e përshtatshme për këtë koncert. Temperatura e lartë detyroi pjesëmarrësit në tubim t'i drejtoheshin hijeve më të afërta nga ku dukej më mirë skena e ngritur përpara universitetit. Ndryshe nga herët e tjera, organizatorët kishin përzgjedhur anëtaren e Këshillit Kombëtar, çiljeta Xhilaga, të moderonte koncertin, ndërkohë që të ftuar ishin grupi shqiptar i Maqedonisë "Elita 5" si dhe këngëtarë të njohur të skenës në Shqipëri si Mariza Ikonomi, Rosela Gjylbegu e grupi "Burn". Rreth 30 minuta pasi nisi koncerti në shesh mbërriti kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u drejtua menjëherë nga qytetarët për t'i përshëndetur. Pak minuta pas saj erdhi kryeministri Berisha. Por megjithëse pritej që ai të vinte nga stadiumi "Qemal Stafa", kreu i qeverisë preferoi të përshkonte të gjithë turmën, përpara se të ngjitej në skenë. Ardhja e tij detyroi këngëtaren, Mariza Ikonomi, të ndërpriste këngën dhe të linte skenën. Fillimisht ishte parashikuar që Kryeministri të mos fliste në këtë manifestim të qeverisë. Por pak minuta pasi mbërriti në shesh, Berisha mori fjalën duke ftuar shqiptarët të bashkohen në këtë pranverë të vendimeve të mëdha, siç e cilësoi ai. "Nga ky shesh edhe një herë ftoj çdo shqiptar: Le të bashkojmë përpjekjen tonë dhe ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e vendimeve të mëdha për lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën! Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën, punën, përkushtimin tonë të ndryshojmë çdo ditë e më shumë Shqipërinë!", tha Berisha. Në të njëjtën kohë, kreu i Ekzekutivit theksoi se vendi sot është më pranë Bashkimit Evropian dhe anëtar i NATO-s, çka sipas Berishës u bënë të mundura nga vota e lirë e qytetarëve. "I bëri të mundur vota juaj e lirë. I bëri të mundur fryma juaj qytetare, besimi juaj i pathyeshëm se Shqipëria do të behët një ditë zonjë, ashtu siç e duam të gjithë ne", theksoi më tej ai. Pas tij, në skenë u ngjit sërish Mariza Ikonomi, e më pas grupi "Elita 5", ndërkohë që Kryeministri dhe përfaqësuesit e qeverisë u larguan pak minuta më vonë.
Qeveria
Të pranishëm në koncertin e djeshëm të organizuar nga qeveria ishin thuajse shumica e anëtarëve të saj si dhe deputetët e Partisë Demokratike. Të parët që mbërritën në sheshin "Nënë Tereza" ishin dy ministrat, Ferdinand Xhaferri dhe Spiro Ksera, të cilët ishin edhe organizatorët e koncertit. Më pas, përpara skenës u rreshtuan edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe ai i Bujqësisë, Genc Ruli. Nuk munguan as deputetët Leonard Demi, Dashamir Tahiri e Igli Cara.
Fonia
Koncerti i demokratëve duket se ka 'zhurmuar' për rreth 90 minuta protestën e opozitës. Organizatorët e qeverisë kishin përgatitur një foni me volum shumë të lartë, e cila përshkonte të gjithë bulevardin kryesor të Tiranës dhe mbërrinte deri përpara Kryeministrisë, ku po protestojnë përfaqësuesit e opozitës. Muzika e lartë, e vendosur përpara nisjes së koncertit, por edhe këngët e kënduara gjatë tij, dëgjoheshin deri te mitingu i PS-së dhe e njëjta gjë ishte edhe me fjalën e Kryeministrit Berisha.
Flamurët
Ajo që të binte në sy në festën e demokratëve ishte mungesa e flamurëve të Partisë Demokratike. Në të gjithë sheshin përballë universitetit mund të shikoje shumë rrallë ndonjë flamur të PD-së, ndërkohë që me shumicë ishin ato të Bashkimit Evropian dhe flamuri kombëtar. Disa kuti të mbushura me flamuj të BE dhe kuq e zi ishin shpërndarë në të gjithë sheshin, por që brenda një kohe të shkurtër ato u boshatisën për shkak se qytetarët e pranishëm në koncert i përvetësuan menjëherë.
Kordonët e policisë
Largimi nga sheshi "Nënë Tereza" detyroi qytetarët të bënin disa dhjetëra metra më shumë rrugë nga çfarë e kishin parashikuar. Në bulevard ishin vendosur disa kordonë me forcat e rendit për të shmangur përplasjet mes pjesëmarrësve në koncertin e maxhorancës dhe protestuesve të opozitës. Kështu, kordoni i parë ishte pranë Pallatit të Kongreseve, çka bëri që shumica e qytetarëve të merrnin rrugën nga Presidenca. Ndërkohë, kordoni i dytë ishte pranë Kryeministrisë e selisë së Kuvendit dhe qytetarët për të dalë në unazë duhet të shkonin përmes rrugës nga ish-Blloku.
Festa, çiljeta bën politikë
Kanë munguar deklaratat politike nga Kryeministri Berisha, por kjo gjë nuk mund të thuhet për moderatoren e koncertit, këngëtaren, çiljeta Xhilaga, e cila prej disa muajsh është edhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në nisje të koncertit në sheshin "Nënë Tereza" ajo tha se me maxhorancën festojnë shqiptarët, ndërkohë që përballë Kryeministrisë vajtojnë oborrtarët e opozitës. "Ne sot festojmë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërsa ata atje vajtojnë për kryetarin dhe oborrtarët e tyre", tha çiljeta.