E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale, nis falja, financat gati udhëzimet

Zyrtarizohet ligji për faljen dhe legalizimin. Me botimin tashmë në Fletoren zyrtare, Ministria e Financave do të bëjë publike brenda një kohe shumë të shkurtër të gjitha udhëzimet që lidhen me zbatimin konkret të ligjit. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave konfirmojnë se të gjitha udhëzimet plotësuese janë gati dhe ligji do të fuqizohet menjëherë pas 2 javëve. Në këtë pikë bizneset dhe qytetarët i ndajnë vetëm pak ditë nga përfitimet që ata do të kenë nga ligji i faljes dhe i legalizimit. Ashtu siç është deklaruar, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale ashtu dhe nacionale. Gjithashtu, do të jenë përfitues bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve do t’u falen detyrimet si dhe do të kenë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Ligji i publikuar dje në Fletoren zyrtare, parashikon faljen e detyrimeve të prapambetura, gjobave dhe kamatëvonesave, deri në periudhën 31 dhjetor 2010, për biznesin e vogël. Gjithashtu, në ligjin në fjalë parashikohet të falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2010 për të vetëpunësuarit. Ligji parashikon edhe faljen e gjobave të marra për mospajisje me kasa fiskale, me kushtin që biznesi ta ketë vendosur atë deri më 28 shkurt 2011. Për biznesin e madh falen të gjitha detyrimet tatimore dhe gjobat e papaguara për periudhën deri në fund të vitit 2008, ndërsa për periudhat në vijim do të kryhet e kushtëzuar. Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2009, biznesit të madh i falen 70% e këtyre detyrimeve, me kushtin që ai të paguajë 30 për qind të principalit të tatimit. Ndërsa bizneseve të mëdha, që nuk kanë deklaruar në masën e duhur detyrimin tatimor, ligji u njeh të drejtën që të rideklarojnë atë të plotë, kundrejt pagesës së gjysmës së tij. Nga ky ligj, qytetarët do të përfitojnë taksën e qarkullimit vjetor, taksën e regjistrimit dhe gjobat e vëna për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe kamatëvonesat e lidhura deri në datën 31 dhjetor 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›