Nis vlerësimi, spitalet çdo pesë vjet në “sitë” për cilësinë
Të gjitha institucionet shëndetësore në vendin tonë, qofshin ato publike ose private, do të kalojnë në çdo pesë vjet në “sitën” e Ministrisë së Shëndetësisë për shërbimin që u ofrojnë pacientëve. Madje jo vetëm kaq, por tashmë nëpërmjet një ligji të posaçëm që institucionet shëndetësore do t’i nënshtrohen për herë të parë procesit të akreditimit. Ndonëse është folur gjatë për akreditimin e institucioneve shëndetësore, gjë që është cilësuar si një nga reformat më të mëdha në sistemin shëndetësor, tashmë ka ardhur koha që ky proces të nisë të zbatohet së shpejti edhe në praktikë. Duke filluar nga muaji aktual, institucionet shëndetësore mund të fillojnë aplikimet për akreditimin e tyre, ndërkohë që vlerësimi do të bëhet në bazë të kritereve të vendosura që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimit që ofrohet, kapacitetet apo kualifikimin e personelit. Që nga momenti i aplikimit, institucionit shëndetësor do t’i lihet deri në dy vite kohë për të plotësuar standardet e për të marrë më pas edhe vlerësimin. Nëse ky vlerësim merr notën negative, institucioni ka të drejtë të rifutet sërish në sitën e kontrollit. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se brenda një periudhe 2-vjeçare të gjitha institucionet shëndetësore shqiptare do të fillojnë procesin e akreditimit, ndërkohë që pacientët do të kenë më në fund një ide të qartë se cila është qendra e duhur shëndetësore për të zgjidhur problemin shëndetësor që ata kanë. Këtij informacioni do t’i shtohet shumë shpejt dhe ai i gabimeve mjekësore në institucionet shëndetësore. Ministri Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe drejtori i Qendrës së Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit (QKCSA-ISH), Isuf Kalo, gjatë një konference të përbashkët për shtyp kanë bërë publike nisjen e procesit të akreditimit të institucioneve shtetërore, duke shpjeguar edhe risitë e vendimit të fundit të qeverisë “Për miratimin e ‘Rregullores për procesin e akreditimit të institucioneve shëndetësore’”. Në fjalën e tij ministri Vasili ka bërë të ditur se tashmë është përgatitur paketa e standardeve, sipas të cilave do vlerësohen institucionet shëndetësore, respektivisht: spitalet, qendrat e kujdesit parësor, shërbimet stomatologjike, shërbimet farmaceutike dhe ato laboratorike, si dhe gjithë institucionet që ofrojnë shërbim shëndetësor. Akreditimi përfaqëson konfirmimin publik të kompetencës profesionale të pretenduar nga institucioni, e vlerësuar kjo përkundrejt standardeve paraprakisht të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe të publikuara. Qëllimi final i akreditimit është përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë, sigurisë dhe performancës së institucioneve shëndetësore nëpërmjet veprimtarisë së ndërgjegjshme të brendshme për të arritur dhe përmirësuar vazhdimisht standardet. Mbi të gjitha, akreditimi i mbron pacientët, konsumatorët dhe qytetarët nga praktika e keqe mjekësore, ajo e rrezikshme, apo abuzive. Akreditimi u dëshmon atyre që institucioni shëndetësor është në gjendje të bëjë çka duhet, ashtu siç duhet dhe atëherë kur duhet, në përmbushje të nevojave dhe pritshmërive shëndetësore të popullatës.