Amnistia fiskale, qeveria gati ligjin për legalizimin e parave
nertila mahoQeveria po përgatitet të zbatojë për herë të parë një amnisti fiskale. Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë, kanë nisur diskutimin me biznesin për aplikimin e amnistisë brenda këtij 6-mujori. Ky do të jetë rasti i parë i një ligji për amnistinë e parave, që nga fillimi i aplikimit të ekonomisë së tregut në vitin 1990. E kërkuar gjatë viteve 1999-2000 nga ish-presidenti Meidani, amnistia fiskale duket se do të bëhet realitet gjatë këtij viti dhe për të vënë në zbatim këtë, po hartohet një ligj i veçantë. Parashikimet për një vit jo pozitiv financiar kanë vënë në lëvizje strukturat për të gjetur mekanizmat e duhura për të përballuar krizën. Në këtë kuadër amnistia fiskale duket të jetë lëvizja e radhës. "Pro" kësaj është shprehur edhe biznesi, i cili e mbështet nismën edhe pse janë një sërë pyetjesh që e shoqërojnë këtë çështje. Por më i rëndësishëm ishte deklarimi i djeshëm i Fullanit. Guvernatori theksoi se e priste pozitivisht një zhvillim të tillë. Sipas deputetit të mazhorancës Shefedin Shehu, vendi ynë ka nevojë për një amnisti të fortë fiskale por edhe të fushave të tjera. "Shqipëria është një vend që erdhi nga një sistem komunist dhe me një ekonomi të centralizuar, pa eksperiencë në treg dhe mbase, tani mendoj se është koha për një të tillë" u shpreh Shehu. Lidhur me mënyrën se si aplikohet amnistia fiskale, deputeti i mazhorancës thekson se nuk ka aspak procedura të ngarkuara, thjesht kjo kërkon bërjen e një ligji ku u kërkohet të gjithëve të deklarojnë paratë dhe pasurinë dhe për një afat të caktuar paguajnë tatim. "Amnistia ka shumë efekte pozitive dhe pak negative. Përmes saj çlirohen kapitale dhe para që futen në qarkullim. Mund të bëjmë një paralelizëm me procesin e legalizimeve, për sa i përket avantazheve që ka. E vetmja negative që unë shoh është kushti që imponon ajo, dhe pikërisht me faktin që, në qoftë se e shpall njëherë nuk duhet ta përsërisësh sërish ose të paktën kështu është teknikisht" shton Shefedin Shehu. Midis amnistisë fiskale dhe më shumë lek në arkën e shtetit, deputeti vendos barazimin duke theksuar se fakti që do të taksohen të ardhura dhe pasuri të padeklaruara, sigurisht që do ndikojnë pozitivisht për arkën. "E gjithë kjo procedurë do të kalojë nga sistemi bankar. Kur zbatohet amnistia do të thotë që do të shkosh të fusësh lekët në bankë dhe nuk do të hetohesh më pas për këtë" thekson ai. Po kështu sipas Shehut, amnistia mund të merret si një pikë që i jep shtytje zhvillimit të ekonomisë, për vetë faktin se hap mundësi të reja me qarkullimin e kapitaleve dhe parave. Opinionit "pro" amnistisë fiskale i është bashkuar edhe Guvernatori Ardian Fullani. I pyetur nëse është koha për një hap të tillë, ai theksoi se "Banka përshëndet çdo lëvizje në kahun e formalizmit të ekonomisë, të rregullimit të ekuilibrave dhe bilanceve të saj dhe mirëpritet nga Banka e Shqipërisë. Natyrisht ky është një proces shumë kompleks që kërkon përgatitje të mirë dhe njëkohësisht kërkon një ndërgjegjësim të mirë të të gjithë agjentëve ekonomikë të vendit."Ndërkohë që parashikimet se 2010-ta do të jetë një vit i vështirë për sa i përket financave, kanë hapur sërish çështjen e amnistisë, kjo pritet të konkludohet shumë shpejt me një ligj dhe më pas me një zbatim në gjashtë mujorin e ardhshëm. Po cilat janë disa nga vendet që e kanë aplikuar amnistinë fiskale? Më e fundit ka qenë Italia. Në dhjetor të vitit të kaluar, shteti italian vendosi që kompanitë që ushtronin aktivitetin e tyre jashtë vendit, të deklaronin kapitalin dhe të ardhurat gjë që u shoqërua edhe me taksën përkatëse. Falë kësaj u arrit që në pak kohë, arkës së shtetit fqinj t'i shtoheshin 80 miliardë euro. Nëse i referohemi rajonit Greqia ka qenë një ndër shtetet që e ka diskutuar mjaft çështjen e amnistisë fiskale. Shembulli tipik i përsëritjes me sukses disa herë me radhë të kësaj procedure është Rusia, e cila në vitet '90 e aplikoi tre herë amnistinë fiskale.