Durrës, peshkatarët debat me Dakon për ndërtimin e Portit
DURRES – Kryebashkiaku Dako nuk përfill peshkatarët durrsakë, duke mos i bërë ata pjesë të tryezës së rrumbullakët për portin e ri të peshkimit. Si rrjedhojë peshkatarët e revoltuar nga kundërshtimi dhe ftesa e munguar në adresë të tyre nga ana e Vangjush Dakos, hyjnë me forcë në sallën ku po diskutohej takimi konsultativ qytetar mbi portin e peshkimit, duke i kërkuar atij të mos bllokojë investimin me interes kombëtar. Gjakrat i zbut policia e shtetit, e cila merr në dorë situatën, që u duk se doli jashtë kontrolli, kjo nga kundërshtimi i kreut të Bashkisë, Vangjush Dako që investimi prej 15 milionë USD i Bankës Islamike të kryhet në sheshin “Taulantia”. Konflikti i lindur disa ditë më parë në KRRT-në e rrethit për ndërtimin e portit të ri të peshkimit në kalatën perëndimore ka vazhduar me tone më të larta këtë të mërkurë, në një diskutim të iniciuar nga Bashkia e Durrësit, në pallatin e Kulturës “Aleksander Moisiu” për marrje mendimi nga opinioni shkencor i intelektualeve të qytetit. Peshkatarët e revoltuar për faktin e mos thirrjes së tyre nga organizatorët (Bashkia) në këtë takim kanë hyrë me forcë në sallën e mbledhjes dhe për t’i nxjerrë është dashur ndërhyrja e policisë. Në sallë ka ardhur drejtori i policisë, Aleks Hajdari, i cili i ka bindur qetësisht se duhej te largoheshin. Në sallë ka mbetur vetëm një përfaqësi e tyre, e cila ka debatuar gjatë gjithë kohës me kryebashkiakun Dako për dobinë dhe vlerat e këtij porti, pikërisht në vendin e miratuar që në vitin 2004, për të cilin Banka Islamike është e gatshme të investojë shifrën e 15 milion dollarëve amerikanë në formën e një kredie të butë. Dako u ka komunikuar peshkatarëve se e kishte marrë vendimin e tij personal për këtë problem, që porti të ndërtohet në Porto-Romano, duke deklaruar më tej se “zgjidhja më e mirë është referendumi”. Nga ana tjetër përfaqësuesi ministror në tryezë e ka cilësuar kundërshtimin e Dakos si lëvizje politike të opozitës që kërkon të bllokojë qeverinë në investimet e saj kolosale. Kërkesën për ndërtimin e portit e ka mbështetur edhe deputeti i Durrësit, Osman Metalla, i cili ka sjellë argumentet e veta si specialist i vjetër në këtë sektor jetik për turizmin dhe ekonominë. Mbledhja ka filluar dhe ka vazhduar me debate të ashpra nga të dyja krahët dhe e veçanta e saj ishte se edhe në momentet e daljes së pjesëmarrësve nga salla debatet kanë qenë prezent duke dëshmuar një fryme të ashpër konfrontimi që ka nisur kohët e fundit në jetën politike të Durrësit. o.u