Formalizimi i ekonomisë kërkon amnisti fiskale
Eugenia GJURAJ*Amnistia Fiskale realizon pozicionimin financiar real të kapitaleve dhe aseteve, nëpërmjet vetëdeklarimit nga ana e individëve dhe subjekteve, të cilët i nënshtrohen legjislacionit ose monitorimit fiskal, duke iu njohur atyre ky status financiar, nga çdo institucion që operon në mënyrë të ndërsjellë me këto grupe interesi. Pra, e thënë ndryshe, të mirat monetare dhe pasurore, pronë e çdo shtetasi shqiptar brenda dhe jashtë vendit, dhe të çdo kompanie shqiptare, prezantohen me shifra reale, në një bazë të dhënash, që konfiguron me vërtetësi ekonominë shqiptare. E parë si reformë fiskale e rëndësishme, kjo amnisti, parashikon rritjen ekonomike të vendit, nëpërmjet pozicionimit në një shkallë më të lartë të ekonomisë private shqiptare, prezantimit të kapitaleve dhe aseteve të fshehura, apo të mos deklaruara, si rrjedhojë e evazionit fiskal gjatë ushtrimit të aktivitetit sipërmarrës, riatdhesimit dhe/ose rregullimit të aktivitetit financiar dhe pasuror të fshehur apo të eksportuar, për shkak të shkeljeve të kryera në legjislacionin fiskal. Tatimpaguesit, individë apo subjekte që janë rezidentë në Shqipëri, ose shtetas shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit, në mënyrë vullnetare, deklarojnë kapitalet dhe asetet, mbi të cilat deri në këtë moment nuk është paguar taksë, apo nuk u janë njohur si vlera pasurore në zotërim, që në një farë mënyre quhen të ardhura në vlerë dhe mjete të krijuara në rrugë të jashtëligjshme. Këto grupe interesi nëpërmjet vetëdeklarimit kane tre mundësi :1. Rregullim i pozicionit fiskal të aktivitetit financiar të sipërmarrjeve, që do të thotë pozicionim me dëshirë dhe vetëdeklarim i një bilanci real, pra vlera reale të aktiveve, kapitaleve të veta dhe detyrimeve.2. Riatdhesim i të mirave materiale (shumë parash ose aktivitete të tjera financiare që janë vendosur në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe jashtë Bashkimit Evropian)3. Rregullim i pozicionit fiskal përkatësisht i aktiviteteve financiare dhe pasurore që kërkojnë ti mbajnë jashtë shtetit.Vetëdeklarimi është mënyra e duhur që ligji duhet të përcaktojë.Hapat që duhen ndërmarrë:1. Plotësimi i deklaratës së amnistisë2. Pagesa e vlerës/taksës së caktuar 3. çlirimi i kompanive nga interesat dhe gjobat e proceseve gjyqësore me garancinë e pandëshkueshmërisë për:o Krime ndërmjet të cilave përmendim: deklaratat e mashtrimit, porositë e bëra me anën e faturave false ose nëpërmjet sajimeve, apo fshehja ose shkatërrimi i:o dokumenteve kontabël për të evazuar taksat në lidhje me të ardhurat dhe TVSH.o Shkelje penale, ndërmjet të cilave përmendim: kryerjen e falsifikimeve materiale, përdorimi i veprimeve false, shkatërrimi, mbajtja e fshehtë e: o e fakteve të vërteta, dokumenteve informatike dhe kopjeve autentike, apo falsifikimi i bilancit kontabël.4. Ndërtimi i një baze të dhënash që prezanton dhe kuotën, në vlera reale sipërmarrjen private në Shqipëri.Asetet krijohen nga vlera monetare, dhe në vazhdimësinë e këtij procesi zinxhir, krijojnë të tjera vlera monetare. Këto të mira monetare, mund të jene krijuar nga një kompleks burimesh, apo aktivitetesh të ushtruara, ku nga njëra ane vetëdeklarohen dhe prezantohen me transparencë disa dimensionale, dhe nga ana tjetër, duhet edhe të njihen dhe të vlerësohen të tilla nga institucionet përkatëse. Rezultantja e produktivitetit të tërësisë së ushtrimit të aktivitetit ekonomik, jep vlerën e deklaruar, dhe si rrjedhojë mat në vlerë, ekonominë private shqiptare. është tërësia e këtij procesi që prezanton finalizimin me sukses të njërës nga reformat më të rëndësishme fiskale në vend. Pozicionimi financiar i njësive ekonomike, bëhet objekt investigimi vetëm në rastin kur burimi ose aktiviteti që i gjeneronte, vërtetohet të ketë qenë i jashtëligjshëm, si pastrim parash etj.Formalizmi i ekonomisë shqiptare, në këtë stad të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, kërkon dhe përcakton pazgjidhshmërisht domosdoshmërinë e një amnistie të përgjithshme fiskale, legalizimin e kapitaleve dhe aseteve. Skema e vetëdeklarimit duhet të shoqërohet me transparencë.Realizimi i një deklarimi vullnetar nga grupet e interesit, kërkon së pari sensibilizimin e tyre për përfitimet nga amnistia fiskale dhe së dyti pozicioni financiar i këtyre njësive duhet të njihet pa interpretim nga organet përkatëse. Rëndësi të veçantë merr strukturimi i sensibilizimit si proces, produkti i së cilës është ballafaqimi konkret me kompleksin e përfitimeve duke përcjellë te njësitë ekonomike, përfitimet afatgjatë dhe afatshkurtër, direkte dhe indirekte, si dhe marrëdhëniet e ndërsjella të ekonomive individuale, statusin e tyre pasuror dhe perspektivën e zhvillimit ekonomik të vendit, e për rrjedhojë pozicionimin e kësaj të fundit, në zhvillimin ekonomik global. Praktika juridike që shoqëron procesin, duhet të ketë të gjithë hapësirën ligjore të nevojshme për të mbështetur dhe pranuar statusin financiar të njësive ekonomike, duke përjashtuar çdo paragjykim, interpretim apo kontroll të pozicionit financiar të njësisë, nga organi përgjegjës, i lidhjes së varësisë së ndërsjellë, në terma kontrolluese, vlerësuese dhe operacionale, përveçse kur vërtetohet se vënia e pasurisë, lidhet me ushtrimin e një aktiviteti të jashtëligjshëm që përcaktohet në kodin penal.Në kapitujt e praktikes ligjore/juridike është e domosdoshme të përcaktohet edhe përfshirja në amnisti e rasteve kur njësia ekonomike ka procese administrative/gjyqësore të hapura, apo gjoba për shkelje të procedurave tatimore, gjatë ushtrimit të aktivitetit. Taksimi i këtyre vlerave duhet të përllogaritet dhe përfshihet në vlerën e prezantuar në formularin e vetëdeklarimit, duke e bërë gjithëpërfshirës procesin dhe reformën. Bashkëpunimi i ndërmjetësve ligjorë plotëson kuadrin e nevojshëm për të realizuar edhe rastet e paparashikuara.Legalizimi i kapitaleve dhe aseteve shoqërohet me një taksë të paguar mbi vlerën e aktiveve të fshehura pjesërisht apo tërësisht, të vetëdeklaruara dhe të njohura si status pasuror në zotërim të grupeve të interesit. Vetë vlera e taksës që do të aplikohet, duhet të përcaktohet nga një gjykim dhe studim në nivel ekspertësh të fushës, të cilët do t'i ballafaqojnë kësaj takse një panoramë dhe analizë të taksave që duhet të ishin aplikuar, duke vënë në balancë burimin e të ardhurave, aktivitetin e ushtruar dhe hapësirën kohore.Taksa është një vlerë monetare e pagueshme në arkën e shtetit. Subjektet që e paguajnë këtë taksë janë të interesuara në zvogëlimin e vlerës së saj, por edhe shteti kërkon rritje të të ardhurave në arkën e tij nëpërmjet kësaj takse. Rregullatori i përcaktimit të nivelit të taksës së amnistisë, qëndron në raportin e nivelit të përfitimit të subjekteve që e paguajnë dhe kostos që mban shteti në favor të formalizmit të ekonomisë së vendit.Kriteret e vlerësimit të aktivitetit ekonomik, që do të shoqërojnë llogaritjen e vlerës monetare, e cila do të legalizohet, marrin parasysh vlerën nominale të parasë, koston e blerjes së aktiveve në rastin e dokumentimit te tyre, dhe një analizë të mirëfilltë vlerash, fitimesh dhe kostosh, në rastin e mungesës së dokumentacionit që mbështet deklarimin zëvendësues, apo kombinimin e këtij të fundit me deklarimin e rezervuar apo evazionin fiskal.Drejtore Ekzekutive e Dhomës së Tregtisë