E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Beteja ime për demokraci

 ADI SHKEMBINë kulmin e debatit mes qeverisë dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, presidenti Bamir Topi deklaron se po vazhdon përpjekjet për të fituar betejën e ditës për demokraci. Kreu i shtetit e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi në zyrën e tij me Xhozef Williams, drejtorin e ri të USAID-it në Shqipëri. Në këtë takim merrte pjesë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Dr. Xhon L. Withers II. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Presidencës bëhet e ditur se kreu i shtetit gjatë bisedës me dy zyrtarët e lartë bëri një përmbledhje të zhvillimeve më të rëndësishme në vend. "Në vijim të bashkëbisedimit, Presidenti i Republikës bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit e më të rëndësishme në vend, duke u ndalur sidomos në reformën e sistemin e drejtësisë, përmbushjen e standardeve integruese si dhe përpjekjet për të forcuar pavarësinë e institucioneve Kushtetuese apo siç e quajti "për të fituar betejën e ditës për demokraci"", thuhet në njoftimin për shtyp. Deklarata e presidentit Topi vjen pas disa mesazheve të dhëna prej tij, për gjetjen e një zgjidhjeje politike mes maxhorancës dhe opozitës për miratimin në Kuvend të disa reformave të rëndësishme për vendin. "Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë si në integrimin e saj në NATO, ku tashmë jemi aleatë dhe jo vetëm partner strategjikë, po ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve shqiptare", vijon më tej njoftimi për mediat. Kreu i shtetit vlerësoi kontributin tepër të rëndësishëm, siç e quajti ai, që USAID-i ka dhënë për konsolidimin e standardeve demokratike në Shqipëri, për forcimin dhe rritjen e profilit të shoqërisë civile si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në shumë fusha si ajo ekonomike, shëndetësore, arsimore, juridike, etj. "Presidenti Topi nënvizoi interesimin e shtetit shqiptar për vijimin dhe rritjen e numrit të projekteve në këto fusha me rëndësi për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj të mëtejshëm në proceset integruese. Gjithashtu Presidenti i Republikës shprehu njëkohësisht edhe mirënjohjen për fondin e ndihmës së dhuruar nga USAID-i për banorët e zonave të përmbytura në veri të Shqipërisë dhe i uroi zotit Williams suksese në ushtrimin e detyrës së tij në vendin tonë", bëhet më tej e ditur në njoftimin e Presidencës. Nga ana e tij, drejtori i ri i USAID-it Xhozef Williams, "vuri në pah vlerësimin për reformat e gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri dhe arritjet e fundit të saj, ku përfshihet edhe anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe theksoi se ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavarura, konsolidimi i shtetit të së Drejtës, një ekonomi e zhvilluar si dhe një sistem drejtësie i pavarur janë të domosdoshëm për një vend demokratik, që aspiron të bëhet pjesë së shpejti edhe e familjes së madhe evropiane".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›