Prifti, në pyetje pas Stojkut
SHKODER/ RITVAN DIBRA “Prokuroria e Shkodrës është në fazën e verifikimit të të dhënave shkresore që ka sekuestruar si dhe të vetë thënieve të drejtuesve më të lartë të KESH-it dhe të hidrocentraleve, në lidhje me menaxhimin e shkarkimeve të 3 hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin. Pjesë e këtyre verifikimeve ka qenë edhe vetë kreu i KESH-it Muharrem Stojku. Por nëse do të shihet e arsyeshme, në ditët e ardhme mund të thirret për të dhënë shpjegime edhe vetë ministri i Energjetikës Dritan Prifti. Deri tani thirrja e ministrit nuk është e nevojshme”. Pas dy javësh nga hapja e dosjes për shkaqet e përmbytjes në rajonin e Shkodrës, Prokuroria e rrethit prononcohet zyrtarisht për etapat e saj. Kreu i këtij institucioni, Përparim Kulluri u shpreh se për nisjen e tij nuk ka pasur ndonjë padi nga individ apo subjekt politik për çështjen e përmbytjeve në Shkodër. Sipas tij, çdo gjë ka nisur me iniciativën e vetë organit të akuzës. “Prokurorisë së rrethit Shkodër i janë dashur rreth 10 ditë kohë për të shqyrtuar materialet e nevojshme në lidhje me veprimet e kryera nga drejtuesit më të lartë të KESH-it për menaxhimin e hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin. Kërkuam nga të gjithë institucionet e sistemit të energjetikës të dhëna mbi kuotat, prurjet e kapacitete dhe shkarkimet e 3 hidrocentraleve mbi Drin nga data 25 dhjetor 2009 deri më 2 janar 2010”, u shpreh Kulluri. Sipas kryeprokurorit, drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku është thirrur të japë deklaratën e tij në lidhje me disa të dhëna teknike, pasi në bazë të shkresave zyrtare që kjo prokurori ka sekuestruar është personi që ka urdhëruar hapjen e portave të shkarkimit. Prokuroria e Shkodrës, sipas kreut të saj, deri tani ka siguruar të gjitha procesverbalet që nga 25 dhjetori deri më 2 janar. Këto të dhëna, së bashku me deklarimet e drejtuesve më të lartë të Energjetikës, përfshirë këtu edhe inspektoratin e lartë do të konsultohen në një fazë të mëvonshme me ekspertë të paanshëm të kërkuar nga vetë prokuroria, për të nxjerrë konkluzionet e sakta në nivel teknik dhe ligjor. “Nëse këto prova dhe fakte provojnë se ka vepër penale në menaxhimin e situatës në hidrocentrale, atëherë Prokuroria e Shkodrës zyrtarisht do të fillojë procedim penal për çështjen e përmbytjeve në Shkodër. Gjer tani jemi në fazën e verifikimit të provave të sekuestruara. Prokuroria nga të dhënat e grumbulluara nga ekspertë deri tani ka siguruar se të dhënat e deklaruara për kuotat, prurjet dhe shkarkimet janë të pandryshueshme në sistem, duke përjashtuar këtu mundësinë e ndërhyrjes tek burimi i këtij database. Në rast se ka ndodhur kjo atëherë do kishim një shkelje të mëtejshme të ligjit”. Sipas dokumenteve që ka sekuestruar prokuroria, më datë 2 janar është urdhëruar hapja e portës së shkarkimit të Hidrocentralit të Fierzës Komanit dhe të Vaut të Dejës, hapje këto që përmbytën zonën e Nënshkodrës. Ministria:Nis riparimi i infrastrukturës kullueseMinistria e Bujqësisë nis rikonstruksionin e infrastrukturës së kullimit në zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës. Nga inspektimi teknik kanë rezultuar dëmtime të pjesshme në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrishte, Daragjat, si dhe është dëmtuar argjinatura e çasit me pasojë përmbytjen e hidrovorit të çasit. Për kthimin në normalitet të infrastrukturës së kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, po riparohen dëmtimet në argjinaturat e lumit Buna, kryesisht në Dajç, Samrishte, Daragjat. “Gjithashtu ka filluar riparimi i argjinaturës së çasit në segmentin më të dëmtuar të saj, në rreth 500 metër për bllokimin e shpejtë të kalimit të ujit nga këneta e Domnit në tokën bujqësore të çasit. Kjo do të mundësojë edhe futjen në punë të hidrovorit të çasit”, thuhet në deklaratën për mediat të këtij dikasteri. Vlera e kësaj ndërhyrjeje është rreth 20 milionë lekë. Gjithashtu po punohet në hidrovorin e çasit, për pastrimin e tij dhe sjelljen në kushte teknike të pajisjeve elektrike dhe elektropompave, me vlerë 3 milionë lekë. Gjithashtu po shikohet mundësia e instalimit të disa motopompave me kapacitet të madh te hidrovori i çasit, për të mundësuar largimin më të shpejtë të ujërave, që kanë përmbytur 1500 ha tokë bujqësore. Në skemën e ndihmës ekonomike 936 familjeShërbimi Social Shtetëror ka tashmë gati numrin përfundimtar të familjeve që do të futën në skemën e ndihmës ekonomike pas përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, zyrtarisht janë 936 familje të cilat kanë nevojë për këtë trajtim. “Nga të dhënat tona operative në terren, në skemën e ndihmës ekonomike do të futen 936 familje të reja nga komunat e përmbytura, shifër kjo që i shtohet listës së 16 mijë familjeve gjithsej, që marrin ndihmë ekonomike në qarkun e Shkodrës”, shprehen krerët e SHSSH-së. Sipas tyre, kjo ndihmë do të vijojë të përfitohet deri në marrjen e kompensimit që Qeveria do t’i akordojë familjeve të përmbytura. Ndihma ekonomike është e njëjtë me atë që shteti jep për familjet e varfra. Ajo do të arrijë deri në 7500 lekë në muaj. Kjo ndihmë akordohet pasi familjet përkatëse kanë humbur të ardhurat e vetme që përfitonin nga shitja e produkteve të blegtorisë apo bujqësisë. Ndërkaq, Ministria e Punës po inspekton komunat e qarkut të Nënshkodrës, që u përmbytën nga ujërat e Hidrocentralit të Fierzës për të përcaktuar familjet më të varfra e për t’u shpërndarë më pas atyre paketë ushqimore.