E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia kush perfiton Detajet e ligjit qe pret te miratohet

Të gjithë qytetarët, të vetëpunësuari dhe bizneset kanë mundësinë e përfitimit nga amnistia fiskale. Drafti i siguruar nga Albanian Screen tregon të gjitha ketagoritë që nëse do të duan mund të përfitojnë legalizim dhe njohje të shumave monetare, pajisjeve e makinerive apo dhe pasurive të paluajtshme.

Draftet, që aktualisht janë për diskutim në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, përcaktojnë pagesat dhe detyrimet e mëtejshme të atyre që do të bëhen pjesë e amnistisë. Drafti i prezantuar nga ministria e Financave ka të ndara në tre kategori legalizimin e pritshëm.

Së pari janë qytetarët, të cilët nëse do të duan të legalizojnë shumat që kanë, duhet të paguajnë 3% të shumës. Për këtë kategori ofrohet pagesë 1% për rivlerësimin e kapitaleve fikse. Ministria e Financave propozon që individëve t’u falen dhe të gjitha detyrimet kombëtare e lokale që nuk janë paguar deri në fund të 2010-ës.

Ashtu si edhe individët, 3% pagesë ofrohet dhe për biznesin e vogël, nëse deklarojnë shuma monetare. Në këtë rast propozohet dhe falje e gjithë detyrimeve tatimore, deri me 31 dhjetor 2010. Për këtë kategori, në kuadër të amnistisë ka favorizime në disa variante të ndryshme dhe për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Më shumë përcaktime ka për biznesin e madh, që është dhe kategoria e tretë e amnistisë. Pagesa 6% dhe 7% pritet të ketë për rivlerësim të pasurive të paluajtshme dhe makinerive. Ministria propozon që të ketë dhe falje të gjithë detyrimeve tatimore e doganore deri në vitin 2008, ndërsa për dy vitet e tjera bizneset duhet të paguajnë 30%- 50% të detyrimit nëse duan që të mos kenë më probleme me sistemin.

Këto janë ndryshimet që pritet të diskutohen dhe miratohen në Parlament. Deri më tani, opozita ka deklaruar mospjesëmarrje diskutime dhe mos votim të amnistisë fiskale.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›