E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia për banesat, dyndje qytetarësh në hipoteka

Dhjetëra qytetarë kanë nisur të bëjnë rivlerësimin e pasurive të tyre të patundshme. Hyrja në fuqi e amnistisë fiskale ka drejtuar në zyrat e hipotekave dhjetëra persona, për të bërë regjistrimin në vlerë reale të pasurive që ata kanë. “Sot ajo pasuri që është privatizuar në vitin ’91-’92 do të rivlerësohet dhe ky rivlerësim do të tatohet 1 %. Rivlerësimi është pak a shumë me vlerat reale të tregut dhe sot çmimi i blerjes ose i shitjes, minus çmimin që e ka blerë ky, i përafrohet dhe afërsisht kjo diferencë është zero për qind. Ka një ulje rreth 10 herë të tatimit të kalimit të pronësisë” - tha për mediat, Arben Qirjako, kryeregjistrues.

Amnistia ka dhe një falje të gjerë për ata persona të cilët kanë shitur pasuritë e tyre, por nuk kanë paguar detyrimet tatimore për këtë transaksion. “Të gjitha detyrimet tatimore që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë deri në datën 31.12.2010 falen. Kjo duhet bërë e qartë para publikut dhe qytetarëve, të cilët kanë bërë një kontratë shit-blerje, kanë aplikuar para datës 31.12.2010 dhe nuk kanë paguar detyrimin tatimor për shkak të kalimit të pronësisë ajo që është për t’u theksuar është se ky detyrim është falur në bazë të këtij ligji” - theksoi ai. Drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ende nuk kanë numër të saktë të pasurive të paluajtshme që do të bëhen pjesë e amnistisë. Në rivlerësim duhet të futen të gjitha objektet që janë privatizuar në fillim të viteve ’90, pasi vlera e atëhershme me atë aktual është e ndryshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›