Qytetarët, ende të painformuar për amnistinë
Qeveria nuk është duke bërë reagimin e nevojshëm për përfitimet nga amnistia fiskale. Në një deklaratë të posaçshme, Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për marketingun krejtësisht të pamjaftueshëm të institucioneve për njohjen e publikut të gjerë dhe kryesisht të emigrantëve shqiptare lidhur me procesin e faljes fiskale në vazhdim. Mbështetur në të dhënat e fundit del se, edhe pse jemi në muajin e dytë të zbatimit të faljes fiskale, është jashtëzakonisht i ulët numri i rasteve të përfshirjes në proces të kapitaleve të individëve. Ndërkohë, njohuritë e emigrantëve shqiptare për procesin dhe procedurat e faljes fiskale janë të papërfillshme. Alb Konfindustria vlerëson, se në rast të mosmarrjes së masave të jashtëzakonshme në një kohë sa më të shpejtë, mund të dështojë shtylla kryesore e përfitimit të ekonomisë kombëtare nga falja fiskale, që është hyrja në sistem e të ardhurave personale të qytetarëve shqiptare me banim jashtë vendit. Në këtë rast rrezikohet të dështojë i gjithë procesi i faljes fiskale. Alb Konfindustria ka parashikuar, se do të ishin pikërisht të ardhurat personale të emigrantëve shqiptarë, si burimi kryesor i përfitimit të ekonomisë kombëtare nga procesi i faljes fiskale. Të ardhurat nga hyrja në sistem e kapitaleve të biznesit dhe të parave të qytetarëve shqiptarë brenda vendit, për shkak të shumë arsyeve objektive, janë të rëndësisë dytësore. Ndërkohë humbja e sezonit të verës 2011, që përkon me kthimin masiv në atdhe të qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit dhe që jep një mundësi shumë e mirë marketingu efektiv, praktikisht do të shënonte dështimin e gjithë procesit të faljes fiskale. Gjendja mjaft e rëndë ekonomike e vendeve fqinj si p.sh Greqia, është një tjetër mundësi e mirë psikologjike për tërheqjen e të ardhurave personale të emigrantëve shqiptarë dhe futjen e tyre në sistemin bankar të Shqipërisë. Alb Konfindustra vlerëson, se thithja e burimeve financiare nga jashtë nëpërmjet edhe procesit të faljes fiskale, është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos në kushtet kur ekonomia kombëtare po jep shenja të qarta të uljes së rendimentit fiskal, të shprehur së fundmi edhe në shkurtimin e ndjeshëm prej pothuaj 200 milionë të shpenzimeve qeveritare për vitin financiar 2011.