E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amsterdam, përplaset avioni, 9 viktima

Një avion i linjës ajrore
"Turkish Airlines", me
135 pasagjerë në bord,
është përplasur dje në
një fushë me baltë, ndërsa tentonte
që të ulej në aeroportin kryesor
të Amsterdamit. Si pasojë, 9 persona
u vranë dhe mbi 50 të tjerë u plagosën
rëndë. Avioni, një "Boeing
737-800" u nda në tri pjesë pas përplasjes,
që ndodhi rreth tre kilometra
larg pistës së aeroportit. Sipas
autoriteteve janë gjetur të gjitha
regjistrimet e kutive të zeza në kabinën
e pilotëve. Ato do të dërgohen
në Paris, ku ekziston edhe laboratori
i specializuar për analizat. Sipas
ministrit turk të Transporteve, është
një mrekulli që numri i viktimave
nuk ka qenë më i madh, pasi përplasja
mund të kishte shkaktuar
shumë më tepër të vdekur. Sipas
dëshmitarëve, kanë vdekur dhe
janë dëmtuar vetëm pasagjerët që
janë ndodhur në vendet ku avioni
ka pësuar të çarat, ndërkohë që
pasagjerët larg tyre janë ulur pa
problem, madje ka nga ata që as
nuk janë tronditur. Lajmet e para
ishin për mbijetesë të të gjithë
pasagjerëve në avion, ndërsa më
vonë dolën edhe emrat e viktimave
të para. Në bordin e avionit ndodheshin
72 pasagjerë turq dhe 32
holandezë. Aktualisht e gjithë vëmendja
është përqendruar te gjetja
e shkaqeve të përplasjes. Sipas
hetimeve të para, avioni nuk ka
pasur probleme me mirëmbajtjen.
"Boeing 737" është një nga avionët
më të preferuar dhe më të shitur
tregtarë në botë. Që kur modeli doli
në vitin 1965 janë shitur 6000 avionë
nga kompania amerikane. Versioni
i përplasur është një nga më
të fundit e modelit të avionit dhe
deri tani ka pasur një imazh shumë
të mirë për sa u përket masave
mbrojtëse ndaj pasagjerëve në rast
avarish dhe rreziku. Ka pasur disa
aksidente, por asnjëri syresh nuk
ka qenë i përmasave të mëdha. Për
momentin, shkaku i përplasjes së
beftë është një mister, pasi edhe
moti nuk ka qenë aspak në disfavor
të fluturimit. "Përplasja e avionit
mbetet e paqartë në rrethanat
aktuale, ku nuk ka asnjë lloj indikacioni
në lidhje me ndonjë defekt të
mundshëm të avionit, apo ndonjë
avari të beftë a problem me pilotët",
ka bërë të ditur shefi i kontrollit ajror
të aeroportit më të madh të Amsterdamit.
Nga përplasja e madhe ka
pasur edhe një shpërthim zjarri, që
ka qëndruar i ndezur derisa në vendin
e tragjedisë kanë mbërritur
forcat e zjarrfikësve dhe të shpëtimit.
Qeveria holandeze ka kërkuar
një hetim të menjëhershëm të shkaqeve
të përplasjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›