E Diel, 1 Nëntor 2026

"Remzi Hoxha", avokatët: Lironi Kumbaron nga burgu

Ilir Kumbaro, ish-drejtori i SHIK-ut në vitin 1995, kohë në të cilën është zhdukur në Tiranë biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, ku dyshimet bien mbi "spiunët", ka kërkuar sërish lirimin nga burgu. Pasi është hedhur poshtë kërkesa edhe në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, avokatët kanë dërguar kërkesën në Gjykatën e Lartë. Kërkesa është depozituar nga avokatët e familjes Kumbaro në Tiranë, që mbrojnë interesat e tij. Në kërkesë thuhet se "Gjykata e Lartë duhet të ndryshojë masën e sigurimit nga shtetasit Ilir Kumbaro". Edhe më parë, ish-shikasi i arrestuar në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare ka kërkuar lirimin nga burgu, por kërkesa e tij është hedhur poshtë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit. Edhe në Britaninë e Madhe, Kumbaro ka kërkuar lirimin nga burgu, duke pretenduar se nuk është ai personi i kërkuar në Shqipëri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Tashmë, në kërkesën për Gjykatën e Lartë, avokatët argumentojnë se ai po mbahet në burg me masën e sigurisë së lëshuar që më 12 shkurt të vitit 2003. Por, mbrojtja deklaron se meqë dosja është pushuar në vitin 2004, atëherë duhet që të ishte pushuar edhe masa e sigurisë. Ndërkohë, Prokuroria këtë e ka argumentuar me faktin se masa e sigurisë së tij nuk është ekzekutuar asnjëherë, pasi ka qenë në kërkim. Më tej, ata argumentojnë se ndaj tre të pandehurve të tjerë është shuar masa e sigurisë, ndërkohë që ndaj klientit të tyre, kjo masë është ende në fuqi. "Theksojmë se kjo dosje është pushuar në vitin 2004 dhe me pushimin e dosjes automatikisht pushohet edhe masa e sigurisë. Për këtë arsye kërkojmë prishjen e masës së sigurisë", kanë theksuar avokatët. Tashmë, çështja ka kaluar në Gjykatën e Lartë dhe më datë 30 shtator është seanca e shqyrtimit të kërkesës. Pak kohë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë një tjetër kërkesë të avokatëve mbrojtës të Ilir Kumbaros, të cilët kërkuan dorëheqjen e prokurorit të çështjes. Avokatët e Kumbaros kërkuan dorëheqjen e prokurorit Xhevat Hana, me pretendimin se ai ka qenë komisioner pranë Zyrës së Avokatit të Popullit në kohën kur është dhënë një vendim për çështjen e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, ndaj nuk mund të përfshihet sërish në këtë çështje. Kumbaro u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare, i akuzuar për rrëmbim të trefishtë. Pas largimit nga Shqipëria, në fund të vitit 1996, Ilir Kumbaro ka zgjedhur si vend fshehjeje kryeqytetin anglez, njësoj si shumë kolegë të tjerë të SHIK-ut. Por Kumbaro është treguar shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e identitetit që do të përdorte. Ish-oficeri i SHIK-ut, i arrestuar vitin e kaluar në Londër, gjatë 12 viteve fshehjeje në Angli, ka përdorur një sërë identitetesh të rreme. Kjo, për t‘i shpëtuar prangosjes pas shpalljes në kërkim në vitin 2000 nga Interpol-Tirana. Kumbaro kishte kërkuar azil pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe si shtetas kosovar. Por në dokumente, emri i përdorur nga ai ishte Shaqa Shatri. Po me këtë identitet, ai është paraqitur në gjykatë, gjatë seancës së parë gjyqësore të ekstradimit. Kumbaro, në mënyrë mjeshtërore, ka bindur autoritetet britanike se ai ishte shtetas çek që persekutohej në vendin e origjinës. Mospasja e shenjave të gishtërinjve ka qenë avantazhi i përdorur nga ish-kryespiuni shqiptar para autoriteteve britanike të emigracionit. Ministria e Brendshme, pa e ditur se Kumbaro ishte një prej shtetasve më të kërkuar shqiptarë nga Interpoli, e ka pranuar kërkesën për azil. Më 7 nëntor 1998, po kjo ministri i ka garantuar atij leje qëndrimi përgjithmonë në Britaninë e Madhe.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›