E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimet, njoftimi në rrugë zyrtare

27/03/2010 Pakënaqësitë, flet kryetari i Këshillit të Qarkut Kolombi

SHKODER- Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, ka dhënë sqarimet e tij ndaj reagimeve dhe protestave të banorëve të zonave të përmbytura në lidhje me dëmshpërblimet dhe mënyrës së verifikimit të dëmeve nga grupet e verifikimit. Fillimisht kreu i qarkut të Shkodrës, Kolombi, ka kërkuar nga banorët e zonave të përmbytura që informacionet për dëmshpërblimet t’i marrin në rrugë zyrtare dhe në rrugë të tjera, pasi vendimi i Këshillit të Ministrave ka ardhur vetëm ditën e enjte. Njëkohësisht Kolombi ka sqaruar banorët se komunat dhe kryepleqtë kanë qenë orientuesit e grupeve të punës gjatë procesit të verifikimit të dëmeve. Ky proces është zhvilluar vetëm sipas skemës së Këshillit të Ministrave. “Në secilin prej grupeve të verifikimit të dëmeve kanë qenë patjetër pjesëtarë kryepleqtë e fshatit dhe grupet janë orientuar sipas kryetarëve të komunave. Personat verifikues janë orientuar se ku të shkojnë, sepse është e pamundur të veprojë vetëm një grup që nuk e njeh mirë fshatin dhe banorët dhe se ku duhet të shkojë. Por në terren askush nuk u ka ndërhyrë grupeve të vlerësimit se si duhet të veprojë”, ka theksuar kreu i qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi. Nga ana tjetër Kolombi ka kërkuar nga banorët e zonave të përmbytura që të jenë më të ndërgjegjshëm se është vështirë të bëhen matje 100% të sakta. Ndërkohë kreu i qarkut Kolombi u ka bërë të qartë banorëve se paratë e dëmshpërblimeve vërtet drejtpërsëdrejti janë në qeveri, por këto para i paguan secili prej nesh nga xhepi i tij, pasi janë para të taksapaguesve shqiptarë ose shkodranë. Në fund kryetari i qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, u ka bërë thirrje banorëve të zonave të përmbytura, që për çdo problem të bëjnë kërkesa dhe ankimime me shkrim, pasi është e pamundur të priten të gjithë në zyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›