E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarët grekë thirrje kundër shqiptarëve dhe fqinjëve

27/03/2010 “Himni” këndohet para Presidentit. Ministri i Mbrojtjes: të Do hetojmë ngjarjen

Greqia del sërish me parulla kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pikërisht ditën e festës kombëtare të shtetit fqinj dhe kur Parlamenti shqiptar miraton ndërtimin e varrezave greke për ushtarët e vrarë në Luftën e Dytë Botërore, është pikërisht ushtria e këtij vendi që ridel me këngë lufte. Madje, jo vetëm kundër shqiptarëve, por dhe Maqedonisë, Turqisë dhe Shkupit. Gjithçka ka ndodhur para Presidentit dhe krerëve më të lartë të Greqisë. Ndërkohë shteti grek është mjaftuar vetëm me një prononcim të ministrit të Mbrojtjes Civile Michalis Chryssochoidis. Në mediet ndërkombëtare theksohet se ministri e ka vlerësuar tejet të dënueshëm këtë qëndrim të ushtrisë dhe ka urdhëruar nisjen e hetimeve për situatën e krijuar. "Këta njerëz nuk kanë vend në ushtri”, - është shprehur ai, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të hedhë parulla të tilla. Megjithatë, nuk është hera e parë që ushtria greke hedh parulla lufte ndaj shteteve fqinje. Një e tillë ka qenë dhe kënga që frymëzonte ushtarët e shtetit fqinj, i cili deklarohet për mbështetje ndaj Shqipërisë dhe fqinjësi të mirë, ku pak vjet më parë ushtarët thurnin vargje mbi zorrët e shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë.

Gjithsesi, kënga e dy ditëve më parë ka qenë tejet e organizuar. Pasi ushtarët e kanë kënduar në grup para Presidentit të këtij shteti, ndërsa sipas medieve greke politikanë ekstremistë i kanë mbështetur duke iu bashkuar ritmit të ushtarakëve. Duket se kjo është gjetur si formë ku një vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së, i ndodhur në krizë falimentimi, kërkon të ngrejë moralin e kombit duke iu kundërvënë fqinjëve të tij. Ndërsa prej Bashkimit Evropian Greqia konsiderohet si mik që duhet ndihmuar dhe si një vend ku respektohet demokracia.

Por veç mashtrimit ekonomik shteti fqinj me ne duket se mban të fshehur dhe një tjetër problem të madh: atë të konflikteve me kufitarët. Ku përgatitja e ushtarëve, jo me këngët në mbrojtje të BE-së, por të sulmit ndaj fqinjëve ende nuk është raportuar në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë në shtetin fqinj janë mbi 800 mijë shqiptarë, të cilët, ashtu siç kanë pranuar krerët e Greqisë, kanë dhënë kontributin më të madh në ngritjen e këtij shteti. Por si përgjigje në kujtim të fshesës së famshme greke kanë gjetur dhe përgatitjen e ushtarëve për t’i vrarë e për të qepur me lëkurën e tyre rrobat. Këngë e kënduara vetëm pak orë para se shteti shqiptar të miratojë nderimin e të vrarëve grekë në kufi me Shqipërinë. Ndërkohë duket se ksenofobia do të mbajë peng edhe për shumë kohë emrin e Maqedonisë, ku dhe popullsia e këtij shteti është parë si objekt për t’u vrarë prej ushtrisë së shtetit fqinj, që nuk ngurron të deklarojë mbështetjen për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›