E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mjeshtër i Madh” për dy humoristët shkodranë Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja



Izaura Ndoj

Dekorohen me titullin “Mjeshtër i Madh” dy figurat dhe legjendat e humorit shqiptar. Ata kanë mbi 50 vjet në skenë dhe teatër. Me bejte, parodi dhe kompozimet e tyre humoristike e satirike janë munduar që t’i mbush shpirtin me gaz popullit Shkodran dhe mbarë shqiptarë. Një jetë e tërë në skenën e humorit, për Gjosho Vasinë dhe Gëzim Krujën janë nderuar dje nga kreu i shtetit Bamir Topi me urdhrin "Mjeshtër i Madh".
Në një ceremoni zyrtare të organizuar në ambientet e Presidencës, ishin të pranishëm personalitete të fushës së artit e të humorit, miq, koleg, si dhe familjarë të këtyre figurave të mirënjohura e të vlerësuara nga artdashësit shqiptarë. Presidenti Topi i dorëzoi Urdhrin "Mjeshtër i Madh" aktorit Gëzim Kruja me motivacionin: "Për interpretim me nivel të lartë artistik dhe krijimtari të gjerë në fushën e artit të humorit shqiptar". Ndërsa aktori Gjosho Vasija u dekorua me motivacionin: "Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përpjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve të tij në të gjithë vendin". Në fjalën e tyre aktorët falënderuan Presidentin Topi për vlerësimin e lartë ndaj krijimtarisë dhe veprimtarisë së tyre artistike. "Gjashtëdhjetë vjet në skenë jam munduar që t’i mbush shpirtin me gaz popullit që e kishte barkun bosh. Populli kishte dashur të na jepte gjithçka, shteti nuk dha asgjë për këtë popull. Erdhi koha dhe ne sot kemi një parfum lirie dhe demokracie", tha legjenda e humorit Vasija. Artisti i njohur i humorit Shkodran, Gjosho Vasija është shquar më tepër për bejtet, paroditë dhe kompozimet e tij humoristike e satirike, të cilat i këndon me kitarë. “Vitet kalojnë shpejt. Unë kam kaluar shtatëdhjetë vite dhe po hyj tek shtatëdhjetë e njëshi. Pesëdhjetë e dy vjet në skenë. Kam luajtur shumë role dhe është fati im që kam qenë aktor, autor dhe regjisor, kam luajtur deri në pantonimë, akrobat, xhongler, parodistë. Kam shkruar pesëmbëdhjetë komedi dhe dy libra që do ia sjell dhuratë edhe Presidentit.” Në përfundim të fjalës së tij falënderuese, zoti Kruja vuri në dukje së në këto raste është shumë me vend fjala e bukur që ka lënë në skenë para shumë vitesh i madhi Tano Banushi: “Fjalët i merr era, dokumentit i vjen era”. Kjo erë është djersa ime pesëdhjetë e dy vjeçare”.
Jeta e aktorit të humorit, Gëzim Kruja
U lind në vitin 1939 në Shkodër. Ka punuar disa vite mekanik në fabrikën e cigareve në Shkodër. Ka mbaruar Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (Dega Gjuhë-Letërsi). Për 35 vjet është aktivizuar me estradën e ndërmarrjes Duhan Cigare, në Klubin e Rinisë, pallatin Punëtori si dhe ne estradën profesioniste të Shkodrës. Ka realizuar në skenë rreth 1000 role në mbi 2000 shfaqje. Nga penda e tij kanë dalë 12 komedi, të cilat i ka vënë në skenë dhe interpretuar vetë. Gjithashtu është autor i dy skenarëve filmash, 250 skeçeve, pjesëve gazmore dhe pantonima. Ka vënë në skenë rreth 50 premiera me estradat amatore. Është marrë edhe me gjini të tjera të skenës si xhongler, pantonimist, imitues, ekuilibrist në tel, zbutës kafshësh, monologist, parodist, etj. Vitet e fundit, arti i tij i interpretimit humoristik i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë; ka dhënë shfaqje me shumë sukses në Kosovë, Maqedoni, Amerikë dhe në disa shtete të tjera, ku punojnë e rrojnë shqiptarë. Gjatë 52 viteve në skenë ai ka luajtur rreth 1 mijë role, si dhe është autor i dy skenarëve filmash, 250 skeçeve, pjesëve gazmore dhe pantonima.

26 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›