Ana Maria Kasteli sjell xhazin italian në Tiranë
Petrika GROSI
Këtë të enjte, në Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet, do të vijë për një koncert të veçantë këngëtarja e njohur italiane me muzikën e saj xhaz, Ana Maria Kasteli. Ajo është e ftuar në kuadrin e edicionit të nëntë të sezonit koncertor ndërkombëtar “Klasik”. Këngëtarja do të shoqërohet si gjithmonë nga dy muzikantët e talentuar që janë pjesë e kësaj trioje, Stefano Kaniato dhe kitaristi Simone Xhudiçi. Sa i takon Ana Maria Kastelit dhe grupit të saj, ata janë tepër të njohur jo vetëm në Itali, por edhe në Europë, ku kanë zhvilluar turne dhe koncerte të ndryshme. Ja si do të shprehej në një rast shtypi italian për këngëtaren Kastelli: “Ana Maria është një artiste e rafinuar dhe me botë të madhe. Ajo improvizon duke lëvizur nëpër skenë dhe duke gjallëruar publikun. Me zërin e saj të ngrohtë, gjithmonë të tonuar dhe tepër pasional, këngëtarja arrin t’i magjepsë të gjithë të pranishmit që kanë pasur fatin të marrin dhe të pranojnë ftesat për në koncert. Ajo rrëshqet provokuese dhe e hapur mes delireve të reja e të vjetra të një pentagrami melodik, i cili transfigurohet përmes fantazmagorisë të mënyrës së saj interpretuese. Ana duket sikur nuk interpreton, nuk këndon, por jeton tingujt dhe poezinë që rrjedh prej fijeve më delikate të zemrës. Publiku nuk mund të mos t’i bashkëngjitet asaj me kënaqësi”. Më tej komenti vazhdon: “Pianoforte, violinçel dhe një zë si i Anës e bëjnë këngëtaren që të jetë tepër joshëse dhe e dëshiruar. Ajo reciton, por edhe këndon, nuk ka një recetë të qartë. Është një interpretim i thellë, i ngjeshur me frymëmarrje. Zëri i saj ndonjëherë vjen i fortë si shkëmb, por ndodh edhe që humb, teksa hollohet dhe zbutet, duke u shkrirë gati në një me tingujt e instrumenteve antike që e shoqërojnë këngën. Është e pamundur që spektatori të mos ndajë sadopak gjendjen emocionale të këngëtares falë mënyrës sesi ajo shprehet në skenë”. Ky koncert, por edhe të tjera që do të vijojnë gjatë javëve të ardhshme, organizohen nga shoqata kulturore “Syri blu” dhe shoqata “Miqtë e muzikës”.
18 Nentor 2008