E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bramertz, vizitë në Beograd para hartimit të raportit



Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Serzh Bramertz, vizitoi dje Serbinë. Vizita e Bramertz u bë në kuadër të analizës që ai po i bën bashkëpunimit të Beogradit me Gjykatën për kapjen e të kërkuarve për krime lufte në ish-Jugosllavi që janë ende në arrati. Bashkëpunimi është kusht për nisjen e negociatave të Asociim-Stabilizimit të Sebisë me BE-në. Serbia shpreson që vlerësimi i kryeprokurorit të Hagës të jetë pozitiv pas arrestimit në korrik të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Por komandanti i tij ushtarak, Ratko Mladiç, si dhe i kërkuari tjetër nga Haga, Goran Haxhiç, mbeten ende në arrati. Në bazë të bisedimeve me zyrtarët serbë, Brammertz do të përgatisë raportin gjashtëmujor të radhës mbi bashkëpunimin me Hagën që do ta paraqesë më pas në OKB. Nga ai do të varet edhe vendimi i BE-së mbi zbatimin e marrëveshjes kalimtare dhe fillimin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Funksionarët e lartë të Serbisë presin që vlerësimi i Bramertz kësaj radhe nuk do të jetë negativ dhe do të mjaftojë për fillimin e procesit me BE-në. Kryeprokurori i Hagës javën e shkuar tha në Sarajevë se arrestimi i Ratko Mlladiçit dhe Goran Haxhiçit është prioritet absolut i Gjykatës.

Prioriteti i Obamës, ekonomia dhe siguria

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Barak Obama, ka dhënë intervistën e tij të parë që nga dita kur fitoi zgjedhjet.
Së bashku me bashkëshorten Mishel, e cila foli gjatë një pjese të fjalimit, ai u shpreh për ndryshimin që kishte pësuar jeta e tij dhe cilat ishin prioritetet për qeverinë e re. Për rrjetin televiziv CBS, ai tha se donte të shihte një ndryshim në atë se si trajtoheshin disa probleme. “Nuk ka asnjë dyshim se ne nuk kemi mundur ende të rivendosim besimin në tregjet financiare dhe në tregjet e konsumit si dhe në mesin e bizneseve që lejojnë ekonominë të ecë përpara fuqishëm. Detyra ime si president do të jetë të garantojë që ne ta rivendosim këtë besim”. Presidenti i ardhshëm bëri të qartë se drejtimi i tij do të dallojë nga ai i zotit Bush sidomos përsa u përket çështjeve të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme. Tani e gjithë vëmendja është e përqendruar në takimet për të cilat zoti Obama do të vendosë të mbajë gjatë javëve të ardhshme. I pyetur se kur do të njoftohet për këto takime, ai u përgjigj: “Shumë shpejt”.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›