Visar Zhiti, shkrimtari i vitit; Ardian Klosi fiton çmimin e përkthyesit
I ardhur nga Italia enkas për të qenë pjesë e edicionit të sivjetshëm të Panairit të Librit “Tirana 2008”, shkrimtari Visar Zhiti është shpallur prej botuesve dhe jurisë së ngritur me rastin e zhvillimit të panairit si shkrimtari më i mirë i këtij viti. Ndërkaq, përkthyesi më i mirë i vitit është shpallur Ardian Klosi, për të kaluar te një çmim tjetër, siç është stenda më e mirë e vitit, që i kaloi shtëpisë botuese “Ideart”. Një çmim tjetër që dha juria e këtij panairi ishte ai i paraqitjes më të mirë grafike, shpërblim që e mori Vepra e Plotë e Sami Frashërit, e botuar nga “Logos”, shtëpi botuese me aktivitet në Shkup të Maqedonisë. Çmimin e fundit, atë të autorit më të mirë të vitit për fëmijë, e fitoi autori Shkëlzen Zalli. Në këtë panair merrnin pjesë si të ftuar shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora, por edhe autorë të huaj si italiani Alberto Bevilakua, kroati Bozidar Prosenjak dhe Rafaele Nigro. Sa u takon vizitorëve të Panairit, duhet thënë se pritej një numër më i madh nga publiku, megjithatë nuk ka munguar interesimi.
KOMEDIA MUZIKORE
“Franku V” rikthehet këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar
Këtë javë, në Teatrin Kombëtar në Tiranë do të rikthehet në skenë komedia muzikore “Franku V” i dramaturgut Fridrih Dyrrenmat. Kjo komedi vendos në fokus marrëdhëniet e individit me shtetin dhe raportet e botës materiale me atë shpirtërore. E pikërisht në qendër të zhvillimit të ngjarjeve është pozicionuar paraja, e cila kur posedohet nga njerëz të pangopur, i kthen ata në bishat më të egër. Shfaqja vjen në regjinë e Arben Kumbaros dhe interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, Luiza Xhuvani, Fatos Sela, Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Naum Shundi, Vangjel Toçe, Roland Trebicka etj.
18 Nentor 2008