Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të shqipes ndër shqiptarët
Dr. Irena Nikaj
Zhvillimi i kulturës shqiptare deri te Kongresi i Manastirit rrëfen rrjedhën dhe kulmimin e një prej qëllimeve madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vendosjen e një alfabeti të njëjtë të shqipes ndër shqiptarët si një mënyrë për realizimin e kombit. Kjo ngjarje kishte rëndësi sa politike, aq dhe kulturore, dhe pikërisht këtu ne do të shfaqim pikëpamjet tona lidhur me kuptimin dhe rëndësinë e saj në formësimin e identitetit kulturor të shqiptarëve.
Përkatësia kombëtare, identiteti dhe gjuha
Deri në Revolucionin Francez në Europë njerëzit ndiheshin të detyruar ndaj derës së sundimtarit dhe dinastisë së tij, por aspak ndaj gjuhës apo ndaj kulturës. Në epokën pararevolucionare njerëzit e kishin besnikërinë në radhë të parë ndaj familjes së tyre, ndaj komunës së fshatit e ndaj sërës ku bënin pjesë. Identifikimet shoqërore orientoheshin sipas rendit hierarkik. Vërtet që kishte ndryshime nga një vend në tjetrin, megjithatë ajo që karakterizonte jetën në periudhën paramoderne ishte hierarkia e sërës. Para Revolucionit Francez gjuha për ndjenjën e bashkësisë të popujve nuk kishte të njëjtën rëndësi që fitoi në shekujt XIX dhe XX. Shpesh sundimtari dhe oborri i tij flisnin një gjuhë tjetër nga ajo që fliste populli i tyre.
Të shumta janë gjuhët e sotme kombëtare europiane që nuk ekzistonin në të vërtetë përpara shekullit XIX. Dhe kombet kanë përfituar prej një historie që zhytet në natën e kohërave, por lindja e tyre ka ndodhur në kohët e reja. Europa e Dritave paraqet një peizazh mjaft të ndërlikuar. Masa e popullsisë fshatare dhe analfabete flet dialekte që përgjithësisht nuk përbëjnë objekt transkriptimesh, ndërkohë që ekzistojnë disa gjuhë që kanë një formë të shkruar me statuse të ndryshme.
A është përhapja e gjuhës autoktone të standardizuar nëpërmjet shtypit një nga përbërësit kryesorë të themeleve të kulturës, kombit?
Këtë tezë e mbështet B. Anderson në studimin e tij “Kombëtarja e përfytyruar”. Sipas tij, shtypshkrimi, një nga format më të lashta të prodhimit kapitalist, gjendet i përfshirë në një kërkim të vazhdueshëm tregjesh të reja. Zhvillimi i gjuhëve të shkruara autoktone me ndërmjetësinë e shtypshkrimit pati, sigurisht, rrjedhoja të rëndësishme në përhapjen e kulturës dhe vetëdijes kombëtare. Fillimisht përmes krijimit të një mjeti komunikimi dhe shprehjeje të përbashkët, të pavarur nga latinishtja dhe variantet dialektore gojore, duke u lejuar përdoruesve të vetëdijësohen për numrin e madh të individëve që dalin nga e njëjta fushë gjuhësore. Nga ana tjetër, duke i dhënë një ngulitje të re gjuhës, gjë që të lejon ta mendosh si tepër të lashtë, ide qendrore kjo për konceptimin e kombit, nxitet hartimi i gramatikave dhe i fjalorëve.
Përhapja e shtypshkrimit luan një rol të rëndësishëm mbi vetëdijësimin për një identitet gjuhësor dhe kombëtar. Në të vërtetë, nga përkufizimi fillestar “Kombi ekziston përderisa ka një gjuhë”, kalohet, derisa përhapet në mbarë Evropën ideja kombëtare, në një përcaktim krejt të ndryshëm: “Kombi ekziston, duhet t’i jepet një gjuhë”. Një gjuhë kombëtare ka për funksion, nga njëra anë, t’i zërë vendin një larmie modalitetesh gjuhësore që u përgjigjen përdorimeve të ndryshme dhe, nga ana tjetër, të mishërojë kombin: lista e realizimeve prej saj është e madhe, por edhe shumë e rëndësishme.
Së pari, ajo duhet të sigurojë komunikimin horizontal dhe vertikal në gjirin e kombit. Së dyti, ajo duhet të lejojë shprehjen e të gjitha ideve, të të gjitha realiteteve: nga më të lashtat deri tek më modernet, nga më abstraktet tek më konkretet. Së treti, ajo duhet t’i lejojë kombit të shquhet dhe të tregojë se është i barabartë me gjithë të tjerët për nga madhështia. Së fundi, ajo duhet shkrihet me kombin, të rrënjëzojë në thellësitë e tij historike, të mbajë vulën e popullit.
“Zgjimi kombëtar” në Ballkan shoqëron një punë shumë të madhe të rindërtimit gjuhësor, një prodhim letrar të paracaktuar për të lartësuar gjuhët, me krijimin e shoqatave që kanë për qëllim të mbështesin shtypjen e librave dhe të periodikëve në gjuhët kombëtare me qëllim që të krijohet edhe publiku për të. Ndërtimi dhe përhapja e variantit gojor të gjuhës së kulturës kalon edhe përmes krijimit të salloneve letrare, përmes teatrit. Drama dhe komedia e zakoneve, gjini letrare këto që i marrin shpesh subjektet e tyre në bashkëkohësi, bëhen përmes dialogëve, faktorë të rëndësishëm të përvetësimit të fjalorit bashkëbisedor. Gjuhët ballkanike, por edhe disa europiane kanë lindur në këtë mënyrë.
Rruga nga mileti te kombi
Në Europën Juglindore feja është shumë më tepër se në Europën Perëndimore përbërës konstituiv i kombit dhe shtetit kombëtar. Vendet e Europës Juglindore e kuptojnë vetveten si kombe kulturore, ku faktori fetar luan një rol qendror si përbërës që realizon kohezionin. Së jashtmi, është gjuha ajo që merr funksionin e veçorisë dalluese, së brendshmi është përherë feja që vepron si mjet mobilizues. Më shumë se në Europën Perëndimore, kishat (institucionet fetare) kombëtare janë ende të lidhura me politikën. Kjo vjen për shkak të rrethanave, sepse popujt ballkanikë në periudhat e gjata të shtypjes politike te kishat kanë gjetur shpesh vatrat e lirisë kulturore. Deri në shekullin XIX, popujt ballkanikë jetonin nën sundimin osman. Për ta kishat ishin shekuj të tërë garantues të identitetit të tyre etnik dhe kulturor, sepse kujdeseshin edhe për ruajtjen e besimit, edhe për ruajtjen e vetëdijeve kolektive etnike. Arnold Hottinger shkruan se popujt ballkanikë përfaqësonin nën sundimin osman të ashtuquajturit “milete” (1994). Ky koncept i gjuhës së administratës osmane shënon një bashkësi populli dhe feje. Kishte në Perandorinë Osmane shumë milete që kishin kishat e veta dhe gjuhët e tyre të komunikimit. Si bashkësi fetare ato i mbronte prania myslimane. Zakonisht ishin në gjendje që t’i zgjidhnin problemet e brendshme në bazë ligjesh që i kishin krijuar vetë. Anëtarët e një mileti jetonin më së shumti në një mjedis të mbyllur dhe martesat i bënin brenda grupit.
Pika kulmore në këtë shpjegim është që mileti nuk zotëronte një territor të vetin dhe përcaktohej vetëm nga përkatësia fetare. Pjesëtarët e tij gëzonin liri lëvizjeje në gjithë perandorinë, duke mbetur megjithatë pjesëtarë të bashkësisë së tyre fetare. Ky sfond shpjegon arsyet se përse harta etnike, kulturore dhe fetare e Europës së atëhershme Juglindore osmane kishte aq shumë laryshi. Vetëm gjatë shekullit XIX miletet e Perandorisë Osmane filluan të shndërroheshin, sipas modelit europian, në kombe, përkatësisht në shtete kombëtare. Të parët ishin serbët, por në vetëdijen evropianoperëndimore këta popuj hynë pas kryengritjes greke të 1821, që zgjoi valë të ndjeshme solidariteti në Europë. Krijimi i shtetit kombëtar grek ishte relativisht më i thjeshtë, meqë territori ishte deri diku i përcaktuar. Krejt ndryshe ishte situata në pjesën tjetër të Ballkanit, ku popujt jetonin të përzierë me njëri-tjetrin. Kjo gjendje pati për pasojë që elitat intelektuale ballkanike përpunuan vizione dhe aspirata, që të përfshinin sa më shumë territore të ishte e mundur, ku jetonin pjesëtarë të mileteve të mëparshme. Në këtë vizion të hiperbolizuar u përzjenë fuqitë e mëdha evropiane dhe më pas paqja në Ballkan mundësohej atëherë kur një fuqi e madhe perandorake vihej në rolin e gjyqtarit midis popujve dhe feve, duke vendosur një rend ndërkulturor. Për shekuj me radhë këtë e kishin bërë osmanët me parimin e tyre të miletit, pastaj monarkitë dykurorëshe dhe fuqitë e mëdha europiane, të cilët vendosnin bashkë me aleatët e tyre në Ballkan, se çfarë përkufizim merrnin popujt dhe ç’territore duhej të zotëronin ata dhe mbas Luftës II Botërore këtë rol në Ballkan e mori Jugosllavia dhe BS, të cilët diktuan rregullat e lojës, rregulla që orientoheshin nga interesat e tyre dhe që vunë në ekuilibër të detyruar bashkësitë rivalizuese të feve, gjuhëve dhe popujve. Më 1995-n këtë rol e morën SHBA-të. Deri sot popujt ballkanikë nuk e kanë pasur rolin kryesor, që të gjejnë vetekuilibrin e tyre të brendshëm.
Arsyeja e mirëfilltë e konflikteve në Ballkan gjendet në faktin që tranzicioni nga rendi i perënduar islamik i mileteve pa territor, me një autonomi gati shtetërore, në sistemin perëndimor të shteteve kombëtare me kufij të përcaktuar territorialë, ende nuk ka marrë formë të plotë. Shoqëritë shumëkulturore të Ballkanit ngrihen mbi një sistem joterritorial, i cili ka nxitur përzierjen e popujve, feve dhe gjuhëve. Europa moderne me shtetet e saj kombëtare të përcaktuara qartë përgjithësisht, me territore e kufij të palëvizshëm, niset nga një i menduar krejt i ndryshëm.
Në shekujt XIX dhe XX modeli i shtetit kombëtar territorial i tipit perëndimor doli se ishte më i aftë për të mbijetuar dhe më i fortë nga pikëpamja ekonomike dhe ushtarake. Perandoritë shumëkulturore të Osmanëve dhe Habsburgëve, me strukturat e tyre të ndërlikuara, u thyen për ballë zhvillimit modern që kishte prirjen e homogjenizimit politik dhe kulturor. Ajo çfarë ndodh në Ballkan nuk është e huaj për Evropën. Në të vërtetë pikërisht thurja e përbërësve fetarë, gjuhësorë dhe etnikë e bëjnë Ballkanin një paradigmë, në të cilën vijnë e përplasen në forma të rifuqizuara dhe të shpërfytyruara konfliktet europiane për shtetin, gjuhën, etnicitetin.
Identiteti kulturor dhe njësimi i alfabetit
Lasgush Poradeci, atëherë nxënës në vitin e parë të kolegjit rumun në Manastir, në një skicë shkruan: “Ishte një i ftohtë i madh me dëborë dhe ne prisnim në të dyja anët e lumit Draguar që nanuriste me petësi perëndie. Pas pak çastesh filluan të vijnë delegatët. Vijnë me radhë llandonët me nga katër kuaj secili, të zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe kuajve u kishin lidhur fjongo kuqezi nëpër këmbë. Sipër mbi një karrocë fluturonte një korb. Ndalon karroca dhe prej sa del Çerçiz Topulli. Më pas ai mori në shenjë korbin duke sharë ashtu siç shajnë burrat, kur korbi ra para këmbëve të Mihal Gramenos. Të lumtë Çerçiz, thotë Mihali. Kongresi i ABC-së do të na vejë mbarë”.
Është një vepër e vështirë ndërtimi i një gjuhe dhe kulture kombëtare. Si një urë midis Lidhjes së Pizrenit dhe Pavarësisë shfaqet Kongresi i Manastirit, jo vetëm virtualisht, por edhe për shkak se Lidhja e Prizrenit shtroi nevojën e një miratimit të një alfabeti të përbashkët, kurse vepra e Kongresit të Manastirit shpejtoi arritjen e Pavarësisë. Zhvillimi i gjuhës dhe kulturës shqiptare u realizua në koordinim të grupeve shoqërore brenda 4 vilajeteve në të cilat jetonin shqiptarët. Kjo përbënte karakteristikën e veçantë që ruajti Ballkani gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Kërkesa e Kongresit që gjuha shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe apo greke, por të përdoreshin në masë shkronjat latine, ishte tepër vizionare dhe praktike. Pra nëse më parë kishte pasur paraqitje të gjuhës shqipe me shkronja sllave, greke, arabe, tash Kongresi shpallte pavarësinë kulturore të shqiptarëve hapur, gjë hapte rrugën për të kërkuar kapërcimin e probleme drejtshkrimore dhe letrare, ashtu si krijonte kushte për të përqasur dialektet gege dhe toske. Në Manastir u hap shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit u bë shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në punishte punonin 17 punëtorë, me një makinë elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme “Bashkimi i Kombit”, por edhe abetare dhe tekste shkollore. Kushtet e vështira brenda territoreve shqiptare e nxitën Klubin e Selanikut të organizonte një tjetër Kongres në Elbasan, që themeloi Shkollën Normale të Elbasanit, e cila do të zgjidhte vështirësinë për mësues të shqipes.
Përpjekjet për të nxitur përçarje përmes aktivizimit të protestave me përmbajtje fetare nuk patën sukses, sepse shkronjat latine dëshmonin vizionin kulturor të njerëzve që vendosën në Manastir për thelbin e alfabetit të shqipes. Ky zhvillim i kulturës ishte projektuar të zhvillohej jo i dhunshëm, por gjithsesi ai nuk u zhvillua paqësisht. Ky zhvillim i fuqishëm ndikoi edhe tek qëllimet e Luftës Ballkanike, dy qytetet bazë të këtij zhvillimi, Shkupi dhe Manastiri, u pushtuan nga sllavët dhe me dhunë u ndryshua identiteti kulturor dhe etnik i tyre.
Manastiri u zgjodh jo vetëm si qendër e vilajetit me të njëjtin emër, por edhe për të mbajtur të gjallë rezistencën e shqiptarëve te pragu i shtëpisë, siç mund ta quajmë qytetin e Manastirit. Ai ishte pragu i shtëpisë së shqiptarëve, që nga Skënderbeu e deri në fillim të shekullit XX. Por Manastiri ishte dhe një mundësi për shqiptarët për t’u pasuruar, dhe Kongresi i ABC-së u mbështet nga kontributi financiar i Gërmenjëve, Qiriazëve, Frashërllinjve.
Disa nga studimet kanë evidentuar se krijimi i shqipes përbën rastin më të vështirë të përpunimit të një gjuhe kombëtare europiane. Kjo jo vetëm për shkak se dialektet ishin mjaft të dalluar mes tyre (gjeografia e vendit nuk nxiste shkëmbimet), tekstet e shkruara të rralla, larmia fetare e pranishme, dhe të gjitha këto parashtronin një problem kyç, që ishte zgjedhja e alfabetit. Alfabeti latin, që u pranua që nga 1908-a, me Kongresin e Manastirit, lidhet jo vetëm me faktin se shkrimet e para në shqip zënë fill nga bashkësia e arbëreshëve të Italisë së Jugut, por pa dyshim edhe sepse përpjesëtimi i forcave në atë kohë ishte orientuar kah preferenca perëndimore. Puna për krijimin linguistik dhe kulturor në gjysmën e dytë të shekullit XIX është kryer më së shumti në gjirin e diasporës shqiptare, sepse vendi mbetet nën pushtimin otoman deri në vitin 1912. Gjuha kombëtare në një fazë të parë formohet duke u nisur nga dialektet gege të folura në Veri, krahina nga kanë prejardhjen shumica e drejtuesve të shtetit të ri të themeluar pas Pavarësisë. Përpunimi i një standardi të shkruar i përkiste një pjese të vogël të popullsisë, sepse deri në vitin 1945 rreth 80% e popullsisë ishte analfabete. Rishikimi i gjuhës së shkruar u krye pas 1946-s, duke përfshirë vlerësimin e dialektit toskë të folur në Qendër dhe në Jug të Shqipërisë, nisur edhe nga fakti se shumica e drejtuesve të shtetit të pas 1945 janë nga këto rajone. Në vitin 1972 standardi i ri gjuhësor legjitimohet prej Kongresit të Drejtshkrimit, i mbajtur në Tiranë.
Në vend të mbylljes
Shpesh në këto kohë mund të ndjehemi të vetmuar në përpjekjen për të shkruar pastër dhe për të mbrojtur shqipen, por askush nuk mundet të mos shohë tek Alfabeti i Kongresit të Manastirit një vizion të Shqipërisë moderne, vizion i cili plotësohet përmes kontributeve që gjeneratat e sotme i ofrojnë kulturës shqiptare dhe vlerësimit të gjuhës së kulturës shqiptare.
*Autorja e shkrimit është Profesore e Asociuar pranë Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë
18 Nentor 2008