Ndryshimi i sistemit, mësuesit e klasave të pesta në trajnim
Mësuesit e klasave të pesta, në sistemin arsimor parauniversitar, do t’i nënshtrohen gjatë këtij viti shkollor një trajnimi 1-vjeçar. Këtë vit shkollor, në klasën e pestë të arsimit bazë të detyruar, në kuadër të reformës së ndërmarrë në arsimin parauniversitar, po zbatohet dokumentacioni i ri, që përbëhet nga programe të reja mësimore. Ndryshimi i sistemit arsimor ka bërë të nevojshëm që mësuesit e klasave të pesta t’i nënshtrohen një programi trajnues, i cili ka si qëllim njohjen e mësuesve me dokumentacionin e ri, përvetësimin e metodikës së punës, njohjen e problematikave etj. Specialisti i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut të Tiranës, Novruz Ahmeti, sqaron se të ndodhur para risive që ka sjellë reforma në arsimin parauniversitar, me qëllim zbatimin e saj në mënyrë rigoroze, kemi përgatitur një program trajnimi njëvjeçar me të gjithë mësuesit e klasave të pesta. Sipas tij, një rëndësi më vete dhe që përbën thelbin për zbatimin konkret të programeve të reja të klasës së pestë është përzgjedhja e metodave bashkëkohore për nxënësit të cilat do të ndiqen veçanërisht për zhvillimin e orëve mësimore të gramatikës së gjuhës shqipe, njohurive matematikore dhe njohurive bazë.
Shkollat Hoteleri-Turizëm, tregu i punës rrit kërkesat
Kërkesat e larta për punonjës të kualifikuar në fushën e Hoteleri-Turizmit kanë bërë që shkollat e këtij profili të jenë të kërkuara nga të rinjtë. Ky fakt pohohet edhe nga specialisti i Arsimit Profesional në Ministrinë e Arsimit, Ruzhdi Reçi, i cili sqaron se rrjeti i shkollave të Hoteleri-Turizmit po tërheq çdo vit dhe më shumë nxënës, si pasojë e reformave që po zbatohen në rritjen e cilësisë në arsimin profesional. Sipas tij, për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të tregut të punës në fushën e Hoteleri-Turizmit, sektori i arsimit profesional në MASH po punon për fuqizimin e rrjetit të këtyre shkollave. Shkollat profesionale dhe teknike të Hoteleri-Turizmit të shtrira në Tiranë, Durrës, Sarandë, Elbasan, Vlorë, Pogradec, Korçë, Kamzë, Berat, Kavajë, Shkodër dhe Lezhë, kanë karakter të theksuar praktik, ku në nivelin e parë 3-vjeçar përgatisin kuzhinierë, kamerierë, recepsionistë, agjentë turistikë dhe ekonomistë të agjencive turistike. Ndërsa në nivelin e dytë 2-vjeçar përgatisin specialistë me nivel të kualifikuar me elementë të pasur të menaxhimit dhe ekonomisë.
18 Nentor 2008