Anagnosti: Kopjen e parë të filmit e shihte Enver Hoxha
Blendi Fevziu
Një rrëfim i gjatë, jetësor. Prej kohës së fëmijërisë pranë detit, në Vuno, shkollimi, eksperienca në Moskë, filmat e parë, deri tek ai i fundit. Në një intervistë në Tv Klan, kineasti Dhimitër Anagnosti tregon jetën e tij. Tregon për censurën në kohën e diktaturës, alegorinë, propagandën. Në ç’vit keni filluar të xhironi filma?
Pas vitit ’60, si kineast, sepse filma kam xhiruar edhe më përpara.
Kur e keni xhiruar filmin e parë, e mbani mend?
Kam qenë student, në Moskë, në Institutin e Kinematografisë.
Si vendosët të studionit për kinematografi?
Për herë të parë kam parë një film në një moshë adoleshente, sepse unë isha në fshat, mbarova shkollën fillore aty pastaj erdha në shkollën unike, apo shkolla 7-vjeçare. Kam shkuar në kinemanë verore të Vlorës dhe u çudita kur pashë filmin.
Nuk mbaj mend se cili film ishte. Ishte një film sovjetik sigurisht, por i dubluar. Dhe mua më shqetësonte që ndërronin kuadrot. Thosha: pse duhet ta ndërrojnë kuadrin? Më bëri çudi se nuk po e kuptoja dot. Kjo ishte ajo që më ka lënë mbresa. Ky ishte kontakti im i parë me filmin. Filmat shiheshin shumë në kinematë e Vlorës. Kinemaja ishte arti më popullor, ishte arti më i ndjekur nga të gjithë, në mungesë të televizionit. U tha që u bë dhe Kinostudioja në vitin ‘52. Në atë kohë filmi “Skënderbeu” bëri jehonë të madhe në Shqipëri, xhirohej nga aktorë shqiptarë, Naim Frashëri etj. Një film i madh. Në atë kohë mbarova maturën dhe duhet të plotësoja dokumentet e studimit. Ishin 3 kërkesa. Kërkoheshin 3 degë. Unë kërkova të parën letërsi, të dytën regjisurë-kinematografi dhe e treta ishte inxhinieri navale.
Pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën.
Kishte një lidhje me mua, jo me njëra-tjetrën. Kishin lidhje me mua, sepse rridhja nga një familje armatorësh, pronarë anijesh. Në atë kohë ishte bërë dhe Kinostudioja, dhe një dorë e një nëpunësi në një zyrë rrethoi kërkesën time dhe përcaktoi jetën time, por... për operator filmash artistikë.
Të rikthehemi pak pas në kohë. Ju keni lindur në Vuno, si e mbani mend bregdetin në fëmijëri?
Unë isha një himariot nga Vunoi i lidhur me atë truall. Krahina e Himarës ka qenë shumë më e gjerë historikisht, por ka ardhur duke u tkurrur për arsye që i kanë shpjeguar shumë libra të shkruar për Himarën. Ajo krahinë ka disa veçori. Ka mal, pak tokë, e cila nuk është fushë, është një tokë e bërë, e punuar, duke hequr gurët, duke bërë mure... Tokë e fituar. Dhe det. Deti është ai që i jep Himarës të veçantën. Kjo krahinë gjithmonë ka komunikuar përmes detit. Ka komunikuar me Italinë, me Greqinë...
Por shumë pak me Shqipërinë, në brendësi të saj...
Për të shkuar që andej për në Vlorë, duhej të kaloje male etj., etj. Kurse në Itali dhe në Korfuz shkoje më shkurt. Aty merreshin të gjitha materialet industriale, pajat e nuseve, orendi e më the të thashë.
Sa ndihej realisht në jetën e fshatit fakti që ishe pjesë e izoluar e Shqipërisë, e hapur ndaj Greqisë, Italisë dhe emigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Ishte i hapur, por emigracioni ka qenë i vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pari ka qenë drejt Greqisë, pastaj drejt Francës dhe mbas andaj në Amerikë. Ekonomia ishte e pamjaftueshme. Kështu që vetvetiu do të iknin. Kjo hapje ka prurë një mentalitet tjetër. Aty fliteshin 3 gjuhë, greqishtja, italishtja dhe anglishtja. Në Vuno, Himarë gjithandej, sepse ishte një gjë normale të fliteshin këto 3 gjuhë. Bile po ju them dhe për kuriozitet, për humor, kur nënat ose gratë mallkonin fëmijët e tyre, ose i shanin i thoshin ah “san e biç”, që ishte “son of the bitch”. Edhe femrat aty kanë marrë nga burrat e tyre gjëra të tilla. Familja ime ka qenë në emigracion. Im atë ka qenë 10 vjeç në Amerikë me vëllanë e të atit dhe bëri 5 vjet atje shkollën, punoi. U bë pak i “padisiplinuar” dhe e kthyen në Shqipëri.
Ç’perceptim kishit ju për Amerikën aso kohe?
Amerika jetonte në memorien e njerëzve. Mjaft njerëz ngelën andej dhe nuk komunikuan më. U ndërpre komunikimi normalisht, aq më tepër me Amerikën. Por, unë për fëmijërinë do të thosha që ka qenë pak traumatike, sepse në vitin 1940 filloi lufta Italo-Greke dhe atje erdhi Fronti. E mbaj mend shumë mirë, sepse ishte një impresion i fuqishëm me kolonat e ushtarëve, me ato kamionët. Na detyruan të zhvendoseshim me dhunë nga fshati ynë, sepse erdhi Fronti. Këto vite unë i kam shprehur në filmin tim “Udha e shtëpisë sime”. Në përfunduam në Shkodër. Na pritën shumë mirë atje.
Dhe ju u kthyet sërish në Vuno për të mbaruar shkollën fillore dhe shkollën e mesme e vazhduat në Vlorë?
Pjesërisht, ajo quhej unike, herë në Vuno, herë në Vlorë. Mbarova shkollën fillore në fshat pastaj shkova në Vlorë. Desha të them që ka qenë mjaft traumatike për brezin tim të fëmijëve lufta Italo-Greke, shpërngulja, pastaj kthimi përsëri, çdo gjë e shkatërruar, ushtarët kishin djegur edhe dyert për t’u ngrohur.
Një përfaqësues i brezit tuaj Ismail Kadare ka një vjershë që thotë: ne përpara se të mësonim emrat e zogjve, mësuam markat e avionëve...
Eh, ne kur u kthyem kishte aq shumë municione të hedhura andej-këndej, aq sa ne mësuam të zbërthenim bombat dhe të ndiznim barutin. Një shok i yni u dëmtua keq. Kjo pati ndikimin e vet. Edhe nënat tona që bërtisni kur na shikonin në ato zona, ku kanë qenë llogoret e italianeve.
Zoti Anagnosti, ndërkohë ju plotësuat kërkesën tuaj për në shkollë, letërsi, regjisorë?
Historia ime vazhdon me gjimnazin e Vlorës. Një tjetër kapitull shumë i rëndësishëm i jetës sime. Aty formohet njeriu, fillon lexon. Mbaj mend dhe një vjershë që është botuar te “Zëri i Rinisë” atëherë. Botoja për herë të parë, i këndoja motrës sime.
Nuk besoj se jeni penduar tani që vazhduat kinematografi dhe jo letërsi?
E quaj me fat, sepse ambicien time, dëshirën për t’u marrë me letërsi, kinematografia ma plotësoi shumë.
Ju merreni vetë me skenarët tuaj apo jo?
Pothuajse 90% vetë. Unë i kam bërë skenarët e mi, bile kam bërë skenarë dhe për kolegët e mi.
Cili ishte impresioni i parë i një djaloshi nga bregu për Moskën? Megapol, qytet jashtëzakonisht i madh. Po ne u adaptuam, sepse nuk patëm probleme me gjuhën. Kishim studiuar në shkollë. Atje gjendej Viktor Sadobërdha që kishte mbaruar atë shkollë, kishte punuar në filmin “Skënderbeu” dhe ishte shumë entuziast që kishte vajtur një grup prej 5 vetash kineastë për të studiuar.
Si ishte niveli i kinematografisë ruse në atë kohë?
Niveli i kinematografisë ruse ishte niveli i filmit “Skënderbeu”, sepse për të kishin punuar kineastë rusë me nivel botëror.
Po jeta e vetë e Rusisë në ato vite?
Jetën e Rusisë në ato vite nuk mund ta arrinim ne studentët, sepse kishim tjetër ritëm. Ne jetonim goxha mirë, konvikti, mensa dhe kishim pasion për të mësuar profesionin. Qëndruam atje 6 vjet.
Cili ishte niveli i kinematografisë në momentin që u kthyet?
Në vitin ’52 ishte ndërtuar Kinostudio. Kinematografia shqiptare kishte filluar, ishin bërë filma. Që nga filmi “Fëmijët e saj”, “Tana”, filmi “Skënderbeu”, ne kishim pjesë me kineastët tanë, kostumet. Ishte një përvojë. Filmat artistikë në atë kohë ishin në fillim fare, por kishte filma dokumentarë, kronikalë. E kam thënë se një vend i vogël si Shqipëria ndërtoi një kinematografi të madhe.
Përse u ndërtua një industri kinematografike kaq e madhe në disproporcion me mundësitë e saj?
Për rolin që kishte dhënë arti kinematografik, jo vetëm që në fillimet e shekullit. Edhe Musolini ndërtoi “Cinecita-në”. Hitleri ndërtoi gjithashtu, sepse ishte mjeti i propagandës. Në të gjitha kinematë në atë kohë kishte një shprehje të Leninit, një parullë që ishte “Nga të gjitha artet, më i nevojshëm është filmi”. Lenini vdiq në ’24. Pra, që atëherë u kuptua roli. Sot në televizor, shoh kronika të Luftës së I Botërore dhe jo pak. Mendoni pak, në vitet ’30, kur konsolidohesh dhe zhvillohesh.
A ka pasur censurë të fortë kinematografia shqiptare në ato vite?
Kinematografia shqiptare pa diskutim që ka patur censurë. Jo në sensin zyrtar, por ndihej. Na ishte thënë qartë që ne filmin nuk e kemi mall për t’u shitur, por propagandë. Prandaj u ndërtua dhe Kinostudioja, bëheshin gjithë ato filma.
Sa ju ka penguar kjo ju dhe krijuesit e tjerë për të patur një kinematografi më cilësore se ajo që kemi pasur?
Ishte në një farë mënyre një këmishë force, të disiplinonte, por të gjithë bëjnë mënyrën e vet për t’u përshtatur. Unë të marr një shembull klasik: Ishin 3 seri të “Ivanit të tmerrshëm”. Seria e parë u shfaq, seria e dytë u ndalua dhe u shfaq pas 10 vjetësh, një kryevepër. E treta u zhduk, u dogj. Sepse kishte një paralelizëm të jashtëzakonshëm të Ivanit të tmerrshëm dhe Stalinit. Kështu që edhe atje kishte.
A mund të flitet për alegorinë si formë e rezistencës në art, apo është e ekzagjeruar?
Unë nuk kam bërë ndonjë temë të ditës. Nuk kam bërë, ose kam bërë pak. I vetmi që kam bërë është “Në shtëpinë tonë”, një temë e ditës, por më shumë shoqërore. Kështu që duke mos bërë temën e ditës, kishim një hapësirë paksa më të madhe, që nuk mundej të tjetërsohej komplet. Kjo ishte e vërteta. Shumica e skenarëve kanë qenë të mitë. Nëse kujtojmë filmin “Lulekuqe mbi mure”.
Sigurisht është koha e fashizmit aty brenda, por çfarë ndryshimi ka midis fashizmit dhe komunizmit, çfarë ndryshimi ka midis një Shqipërie të mbyllur dhe një shtëpie fëmijësh? Kjo ishte një lloj alegorie dhe njerëzit e kanë kuptuar këtë gjë.
Cili është filmi juaj i parë z.Anagnosti?
Filmi im i parë që kemi bërë bashkë me Viktor Gjikën është “Debatiku”. Kemi qenë 2 operatorë. Pastaj ka qenë “Komisari i dritës”, “Toka jonë”, pastaj me radhë “Plagë të vjetra” ...
Cili është krijimi që ju ka lodhur më shumë?
Çdo film është i lodhshëm. Pak më tepër lodhje ka filmi me temë historike, me të kaluar sepse të dalin ca probleme për të rivendosur një realitet që nuk ekziston më. Ndërsa tema e ditës është më e lehtë në kuptimin e realizimit.
Nëse ju pyes cili është filmi më i mirë i juaji?
Unë mund të them cili nga filmat ka pasur një jehonë, p.sh. “Vitet e lirisë”, “Përrallë nga e kaluara”... Por unë vë re me kënaqësi që shumë nga thëniet e filmave kanë ardhur duke u përdorur në jetën e përditshme. Mendoj që ato filma që kanë pasur më shumë komunikim, ato filma që janë quajtur spektakël, ato filma që kanë pasur më shumë karaktere (sepse qëllimi im ka qenë, jo të tregoj ngjarjen, ajo është sebepi për të krijuar figurën artistike, pa të cilat nuk ka film). Një ansambël i tërë fëmijësh, si tek “Lulëkuqe mbi mure” janë interesantë, sepse secili është një karakter më vete. Kështu mund të jetë dhe në filmat e tjerë. Ngjarjet janë ato si gjithmonë. Karakteret e bëjnë diferencën në kohë të caktuar.
A ka ndonjë film që e keni menduar shumë gjatë? Kam dëgjuar që “Gjoleka i biri i Abazit” ka qëndruar për shumë vite në sirtarin tuaj.
Po, ka qëndruar. “Gjoleka” vjen nga një memorie ime e vjetër, që më pat ngelur në mendje në fëmijërinë time, kur një baba e tepron me ndëshkimin e fëmijës e i tha “shko gjej bagëtinë djalë, o shko e mbytu”. Edhe ai e gjeti djalin të varur. Ky është realiteti, e vërteta e jetës. Kjo më ka ngelur mua gjatë gjithë jetës sime një gjë e tmerrshme.
Pavarësisht se ju në filmin tuaj e modifikuat këtë mbyllje...
Nuk mund të shkosh deri atje, do të ishte tepër e rëndë të bësh një të vërtetë jetësore, një të vërtetë artistike.
Dua t’i kthehemi një filmi tjetër shumë popullor, “Përrallë nga e kaluara”. Si ju lindi ideja?
Këtë ma ka thënë dhe Pëllumb Kulla, “po nga e gjete?”. Po aty ishte! Duke qenë se unë do të gjeja lëndën për veten time, duhet të gjeja një lëndë që të ishte interesante, në atë hapësirë që unë do të tjetërsohesha më pak politikisht.
E dinit se mund të nxirrnit një film kaq të mirë?
Asnjëherë nuk e di se si mund të dalë, sepse krijimtaria në filma është e pandërprerë. Do krijosh skenarin, do ta mënjanosh, do ta lësh mënjanë, për të xhiruar... Është art kolektiv. Art vizual, dramë, muzikë. Të gjitha këto bëjnë filmin. Dhe në fund të fundit ku jemi sot në këto ditë, jemi nën “dhunën”, në ndihmë të televizionit. Nëse televizioni do të ishte shpikur herët, as kinematografia shqiptare d.m.th socializmi nuk do të ishte përkrahur, do ishte përkrahur televizioni. Sepse në atë kohë filmi i parë ishte në formë dokumentari, sepse ai ishte i domosdoshëm. Dhe autokinemaja shkonte fshat më fshat e ngarkuar me një central të vogël elektriku, deri në kullota verore të barinjve që të shikonin film.
Ishte e gjitha një element i propagandës.
Element i propagandës... Musolini, Hitleri e kishin përcaktuar rolin propagandistik të kinematografisë. Tani producenti ishte Partia e Punës, e cila thoshte shprehimisht “Ne filmin nuk e kemi për të shitur, e kemi propagandë”. Nuk thoshte vepra artistike etj., rëndësi ka që niveli ideor të dalë mirë.
Niveli artistik ç’rëndësi kishte?
Ne Kinostudio kishim ca defterë të mëdhenj ku gjithë diskutimet shkruheshin, kishim një sekretare që shkruante shpejt. Nëse botohej një libër i tillë do ishte interesant. Për të parë realisht atë kohë. Mënyrën se si gjykoheshe.
Është korrekte që të shfaqen pa asnjë lloj komenti filmat e realizmit socialist?
Nëse ti e di se filmi është bërë në atë kohë, kur PPSH shkoi aq larg sa nuk shkoi asnjë socialist, ndaloi fenë. Pastaj nëse ty nuk të pëlqen... Unë nuk besoj se mund të redaktohet ajo punë. Përkundrazi, ky është dhe një shembull që tregon si ishte në atë kohë. Kështu trajtoheshin njerëzit e fesë...
Z.Anagnosti a ka ndonjë ide që e keni menduar, e keni ëndërruar dhe s’e keni realizuar dot?
Shumë. Në axhendën time kanë qenë mjaft subjekte që do doja t’i realizoja në film, sidomos gjëra që burojnë nga fëmijëria sepse kam përshtypjen, që diku kam lexuar se përgjithësisht gjithë jeta jonë buron nga fëmijëria. Dhe duke qenë se ka qenë një fëmijëri mjaft dramatike, ka shumë për të thënë.
A ka ndonjë krijim, për të cilin ndiheni keq sot?
Jo, keq nuk është se ndihem për asnjë film. Unë s’kam bërë film dokumentar fillimisht, për arsyen se aty do tjetërsoheshe pa diskutim plotësisht. Dhe i vetmi film dokumentar i plotë që kam bërë ka qenë “Vitet e vegjëlisë” me Spiro Dedja. Shoku Enver kishte shkruar një tjetër libër. U takuam me drejtorin e kinostudios 3 herë deri sa Spiro tha: po ti nuk pranon as ta lexosh? Kaq, mbaroi u xhirua. Dhe ky film u xhirua, mbërriti në premierën e tij, në kalanë e Gjirokastrës, në Festivalin e madh të Folklorit, me një shi të imët, që po binte. Gjithë njerëzit ikën, u futën nëpër shpella andej, byroja, politikanët mbetën në kolltuqe, u bënë qull dhe e panë deri në fund filmin dhe kur mbaroi më thirren mua dhe më uruan. Dhe menjëherë filmi aty për aty mori Çmimin e Republikës. Ky ishte filmi dokumentar. Kurse një film tjetër që kam bërë dokumentar ishte pa dialog, vetëm muzikë dhe quhet “Të dielat në Tiranë”, qe me kamerë të fshehtë. Kurse një film tjetër kam bërë për qejfin tim, ka qenë 7 minuta. Ishte një film për dëshmorët, për 5 Majin. Ishte pa fjalë, vetëm me muzikë, pa tekst, një poemë e cila u pa si një kryevepër dhe do t’ia çojmë dhuratë shokut Enver. Seç u bë pastaj unë nuk e di, por nuk e pa dritën, nuk u shfaq asnjëherë. Ajo kopja që u bë është në Arkivin e Filmit.
Z.Anagnosti a mendoni se kinematografia shqiptare thuajse ka vdekur sot?
Kjo është një temë që do kërkonte një bisede disi më të gjatë. Problemi i kinematografisë shqiptare në momentin e ndërrimit të sistemeve, krijoi ankth, një gjendje të jashtëzakonshme. Rastisi që unë isha dhe kineasti ministër dhe nuk bisedohej me njerëzit, sepse ata donin që Kinostudioja të vazhdonte, të merrnin rrogën.
Dhe nuk pajtoheshin, sepse ankthit të bukës së gojës, i shtohej dhe çështja e kulturës. Dakord do t’ia heqim atë rrogë, po si do ja bëjmë me këtë tjetrën. Kështu që në atë kinostudio u rrënua çdo gjë komplet, e zhvatën, ngeli ajo godinë që ka mbetur, jeni ju sot në këtë atelie, ku unë kam xhiruar filma. Atëherë mua më lindi detyra për tjetër gjë, diçka duhet të bëja. Dhe u bë Qendra Kombëtare e Kinematografisë, ku kineastët aplikojnë me skenarët e tyre.
Ka një krizë gjithë kinematografia Europiane ...
Kinema nuk ka. Filmat i shikojnë në televizion sepse kështu erdhën kohët. Por nuk është i njëjti emocion që merr në sallë, ku njerëzit reagojnë. Prandaj filmi në Shqipëri duhet që domosdoshmërish të bëjë përzgjedhje të skenarëve të mirë, që të jenë pjesë e kulturës shqiptare. A do të gjejë treg ky është problemi. Është një problem midis asaj çka kërkojmë ne nga kinematografia dhe asaj çfarë kërkojnë njerëzit. Dhe le të bëhen 2-3 filma, por të bëhen realisht të mirë.
Ç’rol ka luajtur libri në jetën tuaj?
Unë edhe sot e kësaj dite nuk e ndaj librin dhe them se libri nuk do të humbasë kurrë. Sigurisht për masën më të madhe të popullit, ndoshta jo për të gjithë, po për intelektualët libri do të jetë.
Z.Anagnosti a ka qenë politika një pasion i juaji?
Absolutisht jo.
Si shpjegohet atëherë që u aktivizuat me PD në 1991?
Atëherë e ndieja si një detyrë qytetare pa qenë anëtar i asnjë partie, për të dhënë ndihmesën time, aq sa mund të jepja.
Po përpara viteve ’90?
Absolutisht që jo. Përkundrazi ishte alergji të qenit në politikë.
A e dëmton politika një artist?
Nuk e di, ma merr mendja që varet nga njeriu.
Si shpjegohet që shumë prej artistëve deri në vitin ’90, u përfshinë në politikë pas vitit 1990?
Të gjithë krijuesit shqiptarë kanë vuajtur për censurën. Dhe ky çlirim nga censura krijoi një hov dhe një dëshirë për të qenë të lirë
Ç’do me thënë të vuash nga censura?
Të vuash nga censura d.m.th të dhunosh veten tënde. D.m.th, ti shkon të trajtosh një karakter dhe s’e trajton dot, një ngjarje dhe s’e trajton dot, për arsye se ai ka vënë kodet e veta.
Kishte një autocensurë edhe tek ju në moment kur bënit filmin?
Patjetër. I kishe të ndara hesapet. Duhet të rrezikoje. Tani gjërat ishin caktuar, ajo që ishte, ishte, nuk kishte rrugë në mes, që të anoje pak.
Ju ka qëlluar të rikthenit një film për ta riparë, ripunuar?
Janë bërë vërejtje dhe detyrimisht duhet t’i shihje ato vërejtjet. Filmi përfundimisht, pasi kalonte kontrollin paraprak nga anëtare që vinin nga Komiteti Qendror, Partisë, Ministritë etj., etj. Pastaj shiheshin vërejtjet, bëhej kopja e parë. Dhe kopja e parë shkonte në Bllok edhe e shihte shoku Enver.
Ç’do film e shikonte Enver Hoxha përpara se të dilte?
Po. Kurse me letërsinë merrej tjetër kush.
Kinematografia kishte kosto dhe impakt më të madh.
Ai i shihte. Nëse ai thoshte “Mirë të dalë!”, fillonin të bëheshin kopjet e tjera me radhë. E jepte ai miratimin. Nëse jo, vinin bubullimat.
A keni më tundimin për të marrë kamerën dhe për xhiruar një film tjetër?
Jo, jo absolutisht jo. Them këtu që e kam mbyllur atë muhabet. Tani bëj tjetër gjë. Ato që dikur nuk i bëra film, i bëj në letërsi. Dhe jam shumë mirë.
Mund të botoni?
Po tregime, poezi. Kam shkruar dhe një dramë, qe e kam vënë në skenë në Teatrin Kombëtar, “Nata e trokitjeve në xhama”.
Nëse do të kishit mundësi financiare dhe frymëzimin e duhur për të bërë një film si do ta titullonit?
Kam plot gjëra për të thënë dhe mund të bëja film përsëri. Po problemi është për kë do ta beja, ku do ta shfaqja filmin? Problemi është ta shohin njerëzit.
Si është jeta e dy artistëve?
Jeta jonë është goxha interesante, intensive, me diskutime me grindje për problemë. Ne jemi vetëm tani, sepse vajzat janë martuar, kanë ikur. Njëra është mjeke, tjetra është në Amerikë, juriste. Kanë 3 çuna dhe një gocë që e ka emrin Marigo se kështu ja ka vënë e ëma pa pyetur. Flasim në telefon, jetojmë me këto emocione.
Ju nuk përdorni as celularin?
Nuk e përdor celularin sepse e konsideroj një skllavëri, dua të jem i lirë, s’dua t’i shtoj vetes dhe atë. Jam vërtet i lirë.