E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët para borxh për taksat

 

zirina llambro

Flitet për krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin. Akuza pa fund për zhvatje nga taksat që vendos qeveria, por duket se të njëjtën gjë ka bërë edhe bashkia. Për dy vjet, detyrimet që familjet e kryeqytetit duhet t'i paguajnë këtij institucioni janë dyfishuar.  Në fakt veton për vendimet përkatëse e ka vënë Këshilli Bashkiak me votën e anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, dhjetëra qytetarë i shtojnë listës së borxheve edhe paratë për këto taksa. Sa herë që të bie rasti të shkelësh në zyrat e gjendjes civile, prek pak a shumë të njëjtin realitet. Pensionistë që ankohen e familjarë që kthehen mbrapsht pa shlyer detyrimin, sapo mësojnë se është rritur sërish. Të tjerë që medoemos duan të marrin një certifikatë, nisin e shfryjnë nëpër dhëmbë. "Duhet t'i nxjerr djalit një certifikatë dhe kur pashë që këtë vit duhet të paguaj 58 mijë lekë, u ktheva mbrapsht. Nuk kisha aq lekë në shtëpi se fund muaji, u detyrova i kërkova borxh. Na hëngrën me këto taksa. I paguajmë kot e këta i rrisin për vit". Këtë tregonte dje me zë të ulët, teksa priste në radhë, një mesogrua te minibashkia nr. 4 në Tiranë. Të tjerë qytetarë kërkonin sqarime për paratë shtesë që do të paguanin. "Kur e vendosën këta, s'dimë gjë ne. Vjet kam paguar më pak", thërriste një i moshuar. Por vendimet janë vendime e punonjëseve të minibashkive nuk u mbetet veçse t'i zbatojnë. E bashkë më to edhe qytetarëve. "Zotëri, i ke të afshuara, nuk i vendos unë tarifat. Certifikatë, pa paguar ato nuk të jap, se hiqem nga puna, zgjidhe vetë", shpjegohej njëra prej tyre tek njësia nr. 5. E njëjta panoramë edhe në shumë të tjera. Por ka edhe përjashtime. Minibashkia nr. 6 në Kombinat  nuk e aplikon dhënien e certifikatave, vetëm pasi të jenë paguar taksat. "Urdhri na është dukur absurd, pasi ka qytetarë që nuk kanë para për bukë. S'mund t'ua vësh kusht t'i shlyejnë taksat për të marrë atë dokument. Normale që duhen paguar por nuk është kjo mënyra", sqarojnë drejtuesit e saj.
Rritja e taksave
E në fakt për dy vjet taksat dhe tarifat që duhet të paguajnë qytetarët e Tiranës janë dyfishuar. Bëhet fjalë për taksën mbi ndërtesën, taksën e gjelbër e tarifën e pastrimit. Kjo e fundit ka pësuar rritjen më të madhe nga viti 2007. Me propozim të Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak ka miratuar vendimet përkatëse për këto detyrime. Paskësaj drejtoria përkatëse në bashki, që prej dy vitesh ka dhënë urdhrin sipas së cilit njësitë bashkiake nuk duhet të lëshojnë certifikata, në rast se qytetarët nuk paguajnë taksat vjetore më parë. Ky urdhër u lëshua pasi arkëtimi nga pjesa më e madhe e minibashkive nuk e kapërcente masën 65%. Po të bësh një krahasim të thjeshtë nga 2007 e sot, progresioni është i tillë: Tarifa e pastrimit nga 2100 lekë, është bërë 4500 lekë, taksa e gjelbër nga 200 lekë ka arritur në 400 lekë. Ndërsa më pak rritje ka pësuar taksa e ndërtesës. Ajo llogaritet në bazë të sipërfaqes së shtëpisë për shtëpitë e ngritura para vitit 1993 dhe pas këtij viti. Pra nëse një familje me një shtëpi rreth 80 metër katrorë ka paguar për vitin 2007 në total 3 mijë lekë taksa, për këtë vit duhet të paguajë rrethe 6 mijë lekë taksa. Të gjitha këto detyrime janë të përcaktuara edhe në dy vendimet e Këshillit Bashkiak për vitet pasardhëse. Ai i datës 05.02.2007 dhe ai 25.02.2008 "Për sistemin e taksave dhe tarifave në qytetin e Tiranës" ku përcaktohen  detyrimet fiskale vendore për qytetarët.

Taksat vendore

Viti 2007
Taksa e gjelbër 200 lekë
Tarifa e pastrimit 2100 lekë
Taksa mbi ndërtesën:
10 lekë/m2 për ndërtesat e para vitit 1993
20 lekë/m2 për ato pas vitit 1993

Viti 2008
Taksa e gjelbër  300 lekë
Tarifa e pastrimit 3600 lekë
Taksa mbi ndërtesën
Taksa mbi ndërtesën 
10.5 lekë/m2 për ndërtesat e para vitit 1993
21 lekë/m2 për ndërtesat e pas vitit 1993

Viti 2009
Taksa e gjelbër 400 lekë
Tarifa e pastrimit 4500 lekë
Taksa mbi ndërtesën 
10.5 lekë/m2 për ndërtesat e para vitit 1993
21 lekë/m2 për ndërtesat e pas vitit 1993

Beqja: Shqipëria në krizë ekonomike
"Edhe pse jetojmë nën zhurmën e euforisë kryeministrore për rritje të pretenduar dyshifrore të prodhimit të brendshëm bruto gjatë vitit 2008, të dhënat paraprake që vijnë nga qytetet kryesore të vendit dëshmojnë mbylljen e disa qindra bizneseve të vogla në këto qytete", këtë deklaratë bëri disa ditë më parë nënsekretari politik i Partisë Socialiste Ilir Beqja. Ai nënvizoi se këto biznese të vogla u mbyllën, pasi nuk përballuan dot listën e gjatë të borxhlinjve që merrnin mall pa pasur mundësi për të paguar. "Është rënia e ndjeshme fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, që bëri që këto biznese të vogla t'i shtohen numrit të njerëzve në nevojë", tha Beqja. Sipas tij, rritje dyshifrore të ekonomisë së vendit ka vetëm në retorikën e kryeministrit tonë, kampion i demagogjisë dhe shembull i paaftësisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›