E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomat, këshillat e studentëve bojkot mësimit

 

Këshillat studentorë të fakulteteve në Universitetin e Tiranës paralajmërojnë bojkot të mësimit. Kjo, nëse Ministria e Arsimit nuk merr asnjë masë për korrigjimin e modelit të ri të diplomave sipas Bolonjës. Përfaqësues nga Fakulteti i Ekonomikut, Drejtësisë dhe Histori-Filologjisë, zhvilluan dje një tjetër protestë përpara MASH. Ata kërkuan të merret seriozisht kërkesa e tyre, në të kundërt nuk do të futen më në auditorë. Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, gjatë një konference për shtyp, sqaroi se ka komunikuar zyrtarisht me Ministrin e Arsimit për problemin në fjalë, dhe shprehet optimist për korrigjimin e diplomës. Ai ritheksoi faktin se, hartimi i modelit të diplomës ka qenë një shkelje flagrante e ligjit.  "Unë sot i kam përcjellë shkresën zyrtare, ku i kërkoj që udhëzimi të sillet në përputhje me ligjin dhe është i korrigjueshëm sepse është i verifikueshëm fakti që kur ligji nuk ta jep kompetencën e miratimit të diplomave, nuk mund ta bësh të ligjshëm me një akt nënligjor, me një udhëzim", tha Kule. Ai shtoi se nuk është kompetencë e ministrisë të vendosë për formatin dhe përmbajtjen e diplomave, duke nënvizuar se ministria është në kohë për të ndryshuar udhëzimin. Ndërkohë dekanët e fakulteteve bashkohen me kërkesat e studentëve për mosmiratim të diplomave, pasi ato kanë shumë mangësi në përmbajtje e u mungojnë edhe elementët e sigurisë. Ajo që konsiderohet e papranueshme për këtë model diplome nga ana e studentëve dhe krerëve të arsimit të lartë, është mungesa e fakultetit dhe departamentit që e lëshon atë. Stema e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e MASH, të vendosura sipër saj, vlerësohen si elementë të tepërt. Gjithaq studentët pretendojnë gjithashtu se problematik mbetet për tregun e punës edhe mungesa e titullit në diplomë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›