E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja, e përçarë për të burgosurit e Guantanamos



Mbyllja e Guantanamos ka bërë që diplomatët e Bashkimit Europian, me në krye kryediplomatin Havier Solana, të takoheshin në Bruksel. Ata diskutuan për një pozicion të përbashkët për pranimin e të burgosurve të liruar nga kampi i SHBA-ve në Guantanamo si dhe për çështjen e Lindjes së Mesme. Prej disa vitesh, europianët kishin shprehur kritikat për kampin e të burgosurve në Kubë duke i bërë thirrje presidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Xhorxh Bush, për mbylljen e tij. Kryediplomati i BE-së, Havier Solana, u shpreh: “Ky është një problem amerikan. Ata duhet ta zgjidhin atë, por ne jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse kjo është e nevojshme. Vendimi është marrë, por ai së pari duhet të vihet në zbatim. Po të na pyesin ne nëse mund të ndihmojmë, besoj se përgjigjja e BE-së është ‘Po’”. Disa qeveri të BE-së pas vendimit të Presidentit Obama u ofruan që të pranojnë në Europë të burgosurit e liruar nga Guantanamo, kryesisht ata që kërcënohen nga përndjekja në atdheun e tyre. Megjithatë, shtete të veçanta nuk duken të vendosura për një vendim të përbashkët.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›