E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu “shkrin” Shqipërinë

 

Aristir Lumezi

Nga parlamenti shqiptar debati PS-PD për çështjen Biberaj është transferuar edhe në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. Anëtari socialist i delegacionit shqiptar Kastriot Islami dhe anëtarja demokrate Lajla Përnaska kanë debatuar ashpër në komisionin e Rregullores, ku kanë qenë të ftuar të japin versionet e tyre rreth çështjes “Biberaj”. Deputeti socialist Islami ka argumentuar procedurën mbi të cilën është bërë zëvendësimi i Aleksandër Biberajt nga ana e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Ndërsa nga ana e saj, deputetja demokrate, ka hedhur poshtë pretendimet e Islamit, duke këmbëngulur se kjo çështje i përket vetëm maxhorancës parlamentare të Kuvendit shqiptar, ndërsa procedurat janë ndjekur në mënyrë korrekte. 
Një ndër 5 vendimet e marra dje nga ky komision kishte të bënte me caktimin e një grupi monitorues për të parë nga afër procedurat e ndjekura nga Kuvendi shqiptar në rastin e ndryshimit të delegacionit shqiptar. Anëtari i delegacionit socialisti Kastriot Islami u shpreh dje përmes një bisede telefonike tha se “është marrë një vendim me katër pika; pika e parë, i referohen çështjes, në pikën e dytë, arrihet në konkluzionin që pika 25 e statusit të KE nuk është dhunuar dhe mbi këtë bazë do t’i jepen kredencialet Shqipërisë ditën e enjte, pra propozohet, sepse do ta vendosë seanca plenare”. Islami nënvizoi gjithashtu dhe problematikën që është vërejtur lidhur me procedurën e ndjekur nga Parlamenti shqiptar, procedurë që pritet të zbardhet nga komisioni i monitorimit të Asamblesë parlamentare të KE-së. “Por nga ana tjetër ju kujtoj se duke qenë se ka pasur zënka në lidhje me çështjen e respektimit të procedurave në parlamentin shqiptar, është pika e katërt, e cila thotë se komisioni i Rregullores fton komisionin e monitorimit gjatë diskutimit me autoritete  shqiptare, të ekzaminojë që çdo mënyrë e parlamentit shqiptar ka bërë të njohura modifikimet e përbërjes së delegacionit dhe nëse miratimi i këtyre praktikave, në rastin konkret kur Parlamenti nuk është në sesion, janë të vlefshme”, tha Islami. Duket se deri ditën e enjte, statusi i delegacionit shqiptar në Asamblesë parlamentare të KE-së do të jetë provizor. Islami u shpreh dje se mandati i delegacionit shqiptar është i ndryshëm nga ai i 46 vendeve anëtare të kësaj asambleje. “Delegacioni shqiptar, pas kontestimeve, është në një pozitë me kredenciale provizore. Pra, ai mund të marrë pjesë në debate dhe të votojë, përveç rasteve kur bëhet fjalë për mandatin e delegacionit të tij. Por ky mandat është special dhe ndryshe nga mandati i 46 vendeve të Këshillit të Evropës. Prandaj çdo pretendim, që nuk ka ndodhur gjë, nuk është i vërtetë, sepse në planin e imazhit por dhe krahasuar me vendet e tjera është një status provizor deri në miratimin e kredencialeve”. Por nuk ndan të njëjtin mendim me anëtarin socialist të delegacionit, demokratja Lajla Pernaska. Ajo jep një tjetër interpretim të vendimeve të komisionit të Rregullores. Sipas saj, komisioni i Rregullores i dha fuqi të plotë vendimmarrëse delegacionit shqiptar në këtë asamble. “Komisioni i Rregullores së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, hodhi poshtë akuzat e Kastriot Islamit. Skenari i gatuar dështoi. Në komision u hodh poshtë kontestimi i bërë për zëvendësim në delegacion. Delegacioni shqiptar është i plotfuqishëm. Politika e vjetër socialiste nuk mund të ndalë progresin e Shqipërisë, as të cenojë rolin dhe autoritetin e saj si anëtare e denjë e institucioneve evropiane. Opozita t’u kërkojë falje shqiptarëve për cenimin e rëndë të dinjitetit të vendit”, tha Përnaska.

Trashani: KE rrëzoi Biberaj-Islamin
Anëtarja rezervë e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, demokratja Arenca Trashani u shpreh dje, se komiteti i Rregullores i cilësoi të rregullta procedurat e ndjekura nga Kuvendi i Shqipërisë. “Komiteti për rregulloren dhe procedurat i Këshillit të Evropës hodhi poshtë në mënyrë unanime kontestimin e bërë. Parlamenti shqiptar dhe kryetarja e tij ka zbatuar me përpikëri procedurat dhe rregulloren për zëvendësimin e zotit Biberaj”, tha Trashani. Deputetja demokrate e cilësoi dyshen Biberaj-Islami “të mundur” nga asambleja Parlamentare. “Strasburgu rrëzoi Biberajn dhe Islamin. Kastriot Islami si anëtari më i ri i këtij komiteti ngeli vetëm, që në mbledhjen e tij të parë”, tha Trashani.

Patozi: Çështje e maxhorancës
Kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh dje se çështja Biberaj i përket vetëm maxhorancës. “Keni tre ditë që merreni me një temë, që nuk është e juaja, kemi shumë probleme për të zgjidhur, në vështirësi për të gjetur tema ju vazhdoni të merreni me këtë temë. Shqipërinë e kanë turpëruar ministra që kanë pasur si bodigardë killera në vizitat që kanë kryer jashtë shtetit”, deklaroi Patozi. “Përfaqësimi i Kuvendit shqiptar duhet të jetë dinjitoz dhe për këtë arsye u propozua në krye të delegacionit, Ilir Rusmali, një ish-zv/kryeministër dhe një ish-ministër i Drejtësisë”, tha Patozi.

Leskaj: Topalli prishi imazhin e vendit
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh kundër kryeparlamentares, në lidhje me çështjen “Biberaj”. “Ky është precedenti i parë që ndodh në KE, që një delegacion futet në status trancito”. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së akuzoi Topallin se me veprimin e saj e ka vënë Shqipërinë në një pozitë shumë të vështirë dhe qesharake përballë botës. “Ju nuk mund të përdorni Parlamentin dhe Këshillin e Evropës për të zgjidhur ironitë tuaja personale. Ju keni shkelur rregulloren e Parlamentit”, u shpreh Leskaj.

Anëtari i delegacionit hungarez
Në njoftimin zyrtar të Asamblesë parlamentare të KE-së, ditën e parë të punimeve thuhej se “kredencialet e delegacionit shqiptar të Asamblesë parlamentare në Këshillin e Evropës janë përballur në baza procedurale në ditën hapëse të sesionit në Strasburg. Ai që ka bërë këtë përballje ishte Mátyás Eörsi (Hungari), i cili drejton grupin ALD: “Ne kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët e Asamblesë nga Shqipëria është hequr në një mënyrë, e cila i thyen rregullat e aplikimit”, thuhet në faqen zyrtare të Asamblesë së Përgjithshme.

“Shqipëria e ka të drejtën të votojë në Asamblenë e KE”

Ragip Luta/ Strasburg

Delegacioni shqiptar e ka të drejtën e votës në Asamblenë e KE-së, por ajo nuk mund të votojë për ndonjë mocion, që ka lidhje me kredencialet e tyre kur kjo të ndodhë eventualisht.
Në një intervistë për BBC-në, John Greenway, kryesuesi i komisionit të Rregullave, njëherësh deputet britanik, shpjegoi pozitën e Shqipërisë për këtë çështje. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës do të marrë të enjten një vendim përfundimtar për kredencialet e delegacionit shqiptar. Kjo pasi një anëtar i asamblesë kundërshtoi mënyrën e zëvendësimit të kreut të delegacionit shqiptar, Aleksandër Biberaj. “Kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët tanë u hoq në një mënyrë që shkel rregullat e aplikueshme”, tha përfaqësuesi hungarez, Matyas Eorsi në seancën e parë të sesionit të asamblesë. Komisioni i Rregullave të Asamblesë do të përgatisë një raport mbi këtë çështje, ndërkohë që delegacioni shqiptar mund të zërë vendet e veta në mënyrë provizore në Asamble deri të enjten, me të drejta votimi dhe të drejtë fjale, por nuk mund të votojë për kredencialet e veta.
A mund të na qartësoni çfarë do të thotë sfidimi i kredencialeve në këtë rast?
Ajo që duhet ta kuptoni është se çdo delegacion nacional, në fillim të sesionit vjetor apo kur zhvillohen zgjedhje dhe prezantohet një delegacion i ri, kredencialet e tyre duhet të miratohen nga Asambleja. Në bazë të rregullave është e mundur që një individ të sfidojë ratifikimin e kredencialeve në bazë procedurale dhe si rezultat i kësaj, gjë që ndodhi me Shqipërinë,  çështja pastaj i referohet komisionit të Rregullave, të cilin e kryesoj unë dhe pastaj ne do të paraqesim një raport sa më parë që të jetë e mundur dhe sigurisht brenda kësaj jave, por është shumë me rëndësi të kuptohet se anëtarët e delegacionit shqiptar lejohen të flasin dhe të votojnë në Asamble sikurse t’i ishin ratifikuar kredencialet e tyre. Ata nuk janë penalizuar në asnjë mënyrë. E gjithë ajo, që nuk do të jenë në gjendje të bëjnë është se nuk do të mund të votojnë për ndonjë mocion, që ka lidhje me kredencialet e tyre kur kjo të ndodhë eventualisht.
Me sa po e kuptoj unë, të drejtat e delegacionit shqiptar për të votuar nuk janë ‘ngrirë’ siç është njoftuar nga disa media në Shqipëri?
Po kjo është gabim. Ato nuk janë ngrirë në asnjë mënyrë. Kam biseduar me tre anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar, që kanë qenë anëtarë më parë dhe ata janë të kënaqur plotësisht se është kështu dhe nesër (dje) komisioni im do të ulet dhe do të diskutojë me ta për qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështjeje. E gjithë kjo ka të bëjë me tërheqjen e anëtarësisë së një anëtari të delegacionit dhe të zëvendësimit të tij për ç’gjë ai ka paraqitur kundërshtime dhe kjo është ajo, që ka nxitur një anëtar tjetër të asamblesë nga një vend tjetër, që të thotë se do ta sfidojmë ratifikimin, në mënyrë që kjo çështje të hetohet dhe kjo do të bëhet gjatë kësaj jave.
A keni pasur një situatë të tillë edhe më parë? Si e shihni ju këtë?
Unë e kuptoj se kjo ka ndodhur vetëm një herë tjetër më parë, që kishte të bënte me delegacionin e Qipros. Por është shumë e jashtëzakonshme, sepse në sesionin e fundit të asamblesë u bë po ashtu një sfidim i ratifikimit ekzistues të kredencialeve të delegacionit rus, për shkak të asaj që ndodhi në lidhje me luftën mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Por kur kjo çështje u hodh në votim, një shumicë bindëse ishte në favor të vazhdimit të kredencialeve ruse, të vazhdimit të njohjes së tyre. Mendoj se kjo po shfrytëzohet në thelb si procedurë, në mënyrë që Asambleja të shqyrtojë nëse dëshiron të shprehë apo jo qëndrim ndaj ndryshimit që është bërë brenda delegacionit shqiptar. Por është tejet e pazakonshme, sepse nuk i përket anëtarëve të kësaj asambleje të kenë ndonjë koment apo qëndrim mbi vendimet që merren në parlamentet nacionale, se cilët anëtarë të atyre parlamenteve nacionalë përfaqësojnë ato vende këtu në Asamble.
D.m.th., komisioni juaj tani heton këtë çështje, përgatit një raport dhe pastaj e paraqet para Asamblesë përsëri?
Po ashtu është. Pastaj Asambleja do marrë vendim se çfarë do ndodhë. Unë në asnjë mënyrë nuk dua të paragjykoj se çfarë do të thotë komisioni im apo çfarë do të bëjë Asambleja në fund. Unë thjesht do të përsërisja edhe një herë dy pika, që i theksova e që mendoj se janë shumë me rëndësi, që njerëzit në Shqipëri ta kuptojnë. E para, katër anëtarët e delegacionit shqiptar që janë në Strasburg këtë javë mund të vazhdojnë të flasin, votojnë dhe të veprojnë si anëtarë të Asamblesë, që përfaqësojnë vendin e tyre sikurse t’u jenë ratifikuar kredencialet e tyre. Nuk ka ndonjë ndëshkim për anëtarësinë e tyre. Dhe e dyta, është thjesht të them se është shumë e pazakonshme për Asamblenë, që të shprehë ndonjë qëndrim apo shqetësim për mënyrën se si janë hartuar emrat e delegacioneve kombëtare nga parlamentet nacionale dhe që i dërgohen presidentit të Asamblesë sonë, se kush duan ata që t’i përfaqësojë në këtë Asamble. Kjo është çështje e tyre. Një akuzë është bërë nga zoti Biberaj se rregullat në Shqipëri nuk janë ndjekur si duhet dhe për këtë arsye është paraqitur sfida, por duhet t’i shkojmë deri në fund kësaj dhe ju siguroj se këtë kemi ndër mend ta bëjmë.

Biberaj: Shkarkimi, goditje pas shpine

I sapo kthyer nga Strasburgu, ish-kreu i delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës, Aleksandër Biberaj, e konsideron goditje pas shpine gjithë atë që ka ndodhur javën e fundit. Duke folur në një prononcim për mediat, pak orë pas kthimit në Tiranë, deputeti i Partisë Demokratike thotë se gjithçka e organizuar për largimin e tij nga posti që mbante, ka qenë e paramenduar. “Mënyra se si u realizua ishte një mënyrë shumë primitive. Kjo ka qenë një prapaskenë e organizuar, e mirëmenduar. Ka qenë një goditje pas shpine dhe mendoj se ata duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta”, thekson Biberaj. Sipas tij, ajo që ndodhi dy ditët e fundit në Strasburg nuk ka lënë shije të mirë tek anëtarët e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Biberaj shton se pas këtij shkarkimi Shqipëria nuk do të ketë katër mandate, të cilat i mori gjatë këtyre tre viteve, në disa prej strukturave të rëndësishme të KE-së. “Efekti ka qenë tepër negativ lidhur me imazhin e Shqipërisë. Shqipëria nuk ka më tani mandatin e zv/presidentit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, mandatin e zv/presidentit të grupit parlamentar të partive popullore evropiane, të zv/presidentit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale si dhe mandatin e reporterit të hetimit të krimeve të Stalinit në Ukrainë dhe ish-republikat Sovjetike”, theksoi më tej Biberaj. Më tej, ai theksoi se gjatë dy ditëve të punimeve të Asamblesë parlamentare ka pasur mbështetjen e shumë prej anëtarëve të këtij organizmi, të cilët e kanë lidhur këtë shkarkim pikërisht me ligjin e Lustracionit dhe kryesimin nga ana e Biberajt të komisionit “Për hetimin e krimeve të komunizmit nga ana e Stalinit”. Megjithatë, sipas Biberajt pavarësisht kësaj që ndodhi, ai nuk do të largohet nga PD-ja. “E ardhmja ime politike është në Partinë Demokratike”, theksoi më tej ligjvënësi i maxhorancës. Deputeti i Partisë Demokratike u shkarkua nga posti si kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së rreth një javë më parë, ndërkohë që u akuzua nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli për abuzime financiare me disa udhëtime jashtë vendit. Vetë Biberaj i ka hedhur poshtë këto akuza, ndërkohë që para largimit për në Strasburg është shprehur se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e shpenzimeve të tij dhe të kryeparlamentares Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›