E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari merr trofeun Norga

Flamurtari e fillon me trofe sezonin. Ndonëse një turne me minutazh të kufizuar, pasi loja ka qenë 50 minuta, dy herë me nga 25 minuta, përveç finales që u bë me 45 minuta, ky turne ka pasur vlera, qofshin edhe monetare. Ekipi vlonjat ka përfituar 15 mijë dollarë nga presidenti i kompanisë "Birra Norga", Agron Haxhiraj, i cili kishte shtuar me 5 mijë dollarë premion këtë sezon. Në fakt, vlonjatët kishin ditë që e kishin paralajmëruar se do ta merrnin shumë seriozisht dhe në fakt ia kanë dalë, teksa kanë fituar dy ndeshjet me rezultat 1-0. Në finale kuqezinjtë kanë pasur Apoloninë, e cila mundi Tiranën. Mendohej të ishte një ndeshje shumë e fortë, por në fakt nuk ka qenë ndeshja më e bukur, pasi e dyta mes Flamurtarit dhe Partizanit ishte më e mirë. Megjithatë, vlonjatët ia kanë dalë mbanë vetëm në fundin e takimit, kur Spaho pengon vërshimin e Shehajt dhe Brajkoviç nga pika e 11-metërshit nuk gabon. Ishte minuta e fundit e takimit dhe Apolonia nuk mund të bënte asnjë gjë. Rastet kanë qenë të pakta, kjo edhe nga zëvendësimet e shumta që u bënë në finale. Ka qenë një ndeshje e barabartë, ku vetëm dy raste kanë qenë të pastra, Flamurtari me anë të Liçajt, ndërsa Apolonia në minutën e 44-t mund të kishte bërë mrekullinë, por portieri Moçka është treguar i vëmendshëm. Për të ardhur në minutën e fundit ku Spaho bën gabimin në zonë e tij, teksa pengon në mënyrë të gabuar Shehajn. Duhet thënë që edhe mbështetja për ekipin e Flamurtarit ka qenë maksimale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›