E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqezinjtë fillojnë sot përgatitjet për Lihtenshteinin

Trajneri Han do ta nisë me një seancë stërvitore në Shijak programin për miqësoren e së mërkurës

Lojtarët e thirrur nga trajneri i kombëtares, Ari Han, për ndeshjen miqësore të së mërkurës me Lihtenshteinin, do të jenë sot, në orën 14:00, në rezidencën e zakonshme, hoteli "Adriatik" në Durrës. Për holandezin duket se do të jetë një prezantim i ri, duke pasur parasysh që deri më tani nuk i është dhënë rasti të provojë ekipin në Shqipëri. Pikërisht, prova e parë para tifozëve kuqezinj do të jetë me modestët e Lihtenshteinit, miqësore e cila do të luhet në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", ora 20:45. Sipas programit të Hanit, kuqezinjtë do të zhvillojnë sot, në 18:00, një stërvitje të lehtë në fushën sportive të Shijakut. Në këtë seancë të parë, pritet të mos jenë Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ervin Bulku, të cilët do t'i bashkohen ekipit në orët e mbrëmjes, nisur nga udhëtimi i largët që kanë, nga Ukraina ku aktivizohen, për në kryeqytetin shqiptar. Konfirmohet nga sektori i ekipeve kombëtare në FSHF, se në grumbullim do të jetë edhe mesfushori Lorik Cana, i cili është dëmtuar në këmbën e majtë pak ditë më parë, në ndeshjen e Ligës së Kampioneve, Bran Bergen-Marsejë. Gjendja e kosovarit do të vëzhgohet nga stafi mjekësor kuqezi, dhe më pas do të vendoset nëse ai do të jetë në fushë apo jo. Ndërkohë, është programuar që kuqezinjtë të zhvillojnë të martën dy seanca, për të mbyllur kështu përgatitjet e shkurtra për anti-Lihtenshteinin. Siç dihet, trajneri kuqezi për këtë miqësore ka thirrur vetëm 18 lojtarë. Për gjithçka rreth zgjedhjeve të tij dhe natyrisht gjendjes së ekipit, Hani do të tregojë në konferencën për shtyp të martën, në orën 13:30. Pas miqësores me Poloninë më 27 maj, Lihtenshtejni është prova e fundit para ndeshjes eliminatore me Suedinë, që do të luhet më 6 shtator në "Qemal Stafa". Pavarësisht se Lihtenshtejni nuk është një kundërshtar i fortë, trajneri kuqezi ka thënë se ndaj tyre do të projektohet anti-Suedia. Për t'u theksuar është se Erion Bogdani nuk u planifikua nga Hani për këtë miqësore, teksa janë grumbulluar vetëm dy sulmues: Edmond Kapllani dhe Hamdi Salihi.

Ky i fundit ka shfaqur një formë të mirë me Riedin në kampionatin austriak, ndërsa Kapllani ishte ndër më të dalluarit në miqësoret e Karlsruhes. Për sa i përket reparteve të tjera, në mbrojtje janë shtuar Admir Teli dhe Endri Vrapi, ndërsa të tjerët janë të zakonshmit. Mesfusha nuk ka surpriza, pasi edhe ajo që mund të quhet e tillë nuk është. Bëhet fjalë për përfshirjen e sallaksit Ansi Agolli, i programuar për t'u thirrur nga Hani që në miqësoren me Poloninë. Agolli ka luajtur në Finlandë me Vasën dhe së fundmi i është bashkuar Tiranës. Burime pranë holandezit pohojnë se Agolli është një ndër të pëlqyerit e tij, pasi e ka vëzhguar në grumbullimin e muajit janar që kombëtarja zhvilloi në Antalia të Turqisë, me lojtarë kandidatë për ekipin kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›