Analistët: Shkupi po ndërron identitetin e shqiptarëve
Vazhdojnë reagime të forta të shqiptarëve të Maqedonisë pas lajmit se në pasaportat e reja është hequr kombësia shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë në vendet e BE-së do të njihen drejtpërdrejt maqedonas, kjo, sipas analistëve shqiptarë komentohet si strategji e qartë e qeverisë së Nikolla Gruevskit. Skenari i parapërgatitur është forcimi dhe arritja e misionit që Republika e Maqedonisë të njihet si shtet ekskluzivisht i maqedonasve, në sytë e ndërkombëtarëve. Analisti dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare, prof. dr. Ylber Sela vlerëson se problemi buron nga Kushtetuta, ku shqiptarët nuk kanë të përcaktuar se qytetarë të cilës kategori janë. "Andaj nga Kushtetuta vijnë këto gjëra. Normalisht që sapo të dorëzosh pasaportën në duart e autoriteteve të huaja, në mënyrë të qartë identifikohesh si maqedonas. Dhe kjo është si pasojë e politikës aktuale që na ka përfshirë ne shqiptarëve dhe nuk ngremë zërin", ka theksuar ligjëruesi universitar Ylber Sela. Ndërkohë, analisti dhe publicisti Nijazi Muhamedi ka nënvizuar se këto emërtime bëhen qëllimisht nga qeveria maqedonase për të forcuar pozicionet e saj me grekët, duke i shpallur të gjithë qytetarët e këtij vendi si maqedonas. "Kjo po bëhet për forcimin e kulturës maqedonase dhe këtu ka gisht Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, për të realizuar projektin për ndërrimin e të gjitha identiteteve. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pasaportat, por edhe për futjen e gjuhës maqedonase prej klasës së parë dhe projektet e tjera kulturore, të trashëgimisë dhe e çka jo tjetër", ka theksuar analisti Nijazi Muhamedi, duke shtuar se këto marrëveshje dhe projekte antishqiptare dita-ditës po dalin në dritë. Partia shqiptare në pushtet, BDI, edhe pse premtoi se do të ngrejë zërin për këtë çështje në Parlamentin e Maqedonisë, deri tani nuk ka bërë asnjë gjë në këtë drejtim, kur po afrohen ditët që një pjesë e madhe e shqiptarëve t‘ia mësyjnë vendeve të BE-së. Dy ditë më parë, në një prononcim për gazetën "Shqip", intelektuali dhe akademiku Ali Aliu, theksoi se "më duhet ta denoncoj si një mashtrim. Ky është mashtrim dhe për kësi mashtrimi unë nuk përtoj të reagoj. Natyrisht që kjo është fshehur nën gjuhën angleze në pasaportë. Por gjithsesi për këtë mashtrim duhet të reagojnë të parët kompetentët, ata që janë në institucione dhe përfaqësojnë shqiptarët në shtetin e Maqedonisë. Unë ju kujtoj se duhet të reagojnë ata që e kanë obligim, të shmangin pasaktësitë". Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar ashpër edhe Partia Demokratike Shqiptare, me anë të sekretarit të saj, Ernad Fejzullahu. Ai tha në një prononcim për gazetën "Shqip" se "kjo është pasojë e etnocentrizmit të shtetit maqedonas". Sipas zotit Fejzullahu, në Maqedoni ekziston një tendencë e rrezikshme për të paraqitur gjithçka "me prefiksin maqedonas". "Ne nuk kemi vetëm problemin e pasaportave. Kemi problemin e televizionit shtetëror, që është tërësisht maqedonas. Kemi problemin e fëmijëve shqiptarë, që po duhet që në klasë të parë të mësojnë maqedonishten me detyrim. Ne kemi problemin që këtu edhe ajri po është maqedonas...", thotë sekretari i partisë më të madhe të shqiptarëve në opozitë. Për këtë situatë, përfaqësuesi i PDSH-së nuk harron të bëjë përgjegjëse edhe partinë shqiptare, që është pjesë e koalicionit qeverisës, Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.