E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimi i opozitës, policia kallëzim penal ndaj Fatos Klosit

Policia e Shtetit kryen kallëzim penal në prokurori ndaj ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi, për shpifje dhe nxitje të turmave gjatë protestës. Shkak është bërë një deklaratë e Klosit dhënë tri ditë më parë në një media, ku ai ka deklaruar se policia ka përgjuar deputetët socialistë dhe qytetarët gjatë protestës treditore të opozitës me anë të një mjeti të vendosur pranë Kryeministrisë. Me anë të një deklarate, lëshuar mesditën e djeshme, policia u shpreh zyrtarisht se në lidhje me deklaratën e bërë në një nga mediat elektronike nga shtetasi Fatos Klosi, gjatë protestës së organizuar nga Partia Socialiste, ku shprehet se policia nëpërmjet një mjeti të vendosur ka përgjuar telefonat e deputetëve dhe qytetarëve gjatë protestës së zhvilluar në datat 20 deri më 22 nëntor 2009 në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sqaron opinionin publik se ka kryer një kallëzim penal. Më tej, në deklaratë thuhet se Policia e Shtetit, në zbatim të ligjit ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të kësaj proteste. "Në asnjë rast dhe as në procedurat standarde të përdorura nga strukturat e policisë nuk është e parashikuar që Policia e Shtetit të kryejë veprime të tilla. Sqarojmë opinionin publik se pajisja të cilës i referohet shtetasi Fatos Klosi është blerë nga ish-drejtuesi i Gardës së Republikës dhe sot deputeti aktual i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Çuko, dhe kjo pajisje ka si funksion sigurimin dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë nga veprimet e mundshme kriminale. Në lidhje me sa më sipër, Policia e Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal për shpifje dhe nxitje të turmave gjatë protestës për shtetasin Fatos Klosi", përfundoi deklaratën e saj Policia e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›