E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski dhe Papandreu, të premten negociata direkte

Kryeministri maqedonas dhe ai grek, Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu, do të takohen të premten, në rajonin e Prespës në territorin grek. Gruevski dhe Papandreu do të ulen në tavolinë të përbashkët pas mbajtjes së takimit rajonal për ndryshimet klimaterike në kuadër të të cilit, së pari do të takohen kryeministrat nga Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria. Siç bëhet e ditur, takimi me Kryeministrin grek do të zhvillohet me iniciativë të Gruevskit. Ata së pari u "përshëndetën" në Bruksel nga fundi i tetorit, kurse takimi i shkurtër u komentua si sinjal i mirë për bisedimet rreth dallimeve për emrin, të cilat zhvillohen nën patronazhin e OKB-së. Por, pas ndarjes së pozicioneve të të dyja vendeve pas takimit të negociatorëve me ndërmjetësin Nimic, një pjesë e diplomatëve në Bruksel sugjerojnë që para Samitit të BE-së në dhjetor të bëhen përpjekje që nëpërmjet takimeve direkte të shmanget mundësia për bllokadë greke për datën e fillimit të bisedimeve.

Mundësi për bisedime direkte të premten paralajmëroi edhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili shtoi se ka sugjerime të tilla nga Bashkimi Europian por se do të realizohen kur të vijë koha. Burime anonime diplomatike nga Brukseli javën e kaluar për Alsat-M thanë se ekziston plan për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në disa faza. Sipas tyre, planifikohet që Gruevski i Papandreu deri në samitin e dhjetorit të nënshkruajnë një marrëveshje vetëm për emrin, me të cilën do të shmangej mundësia për bllokim të datës për fillimin e bisedimeve, kurse të gjitha çështjet e tjera, siç është sfera e përdorimit të emrit dhe identitetit, do të diskutohen më vonë. Për të dhënat për takimin Gruevski - Papandreu, të premten, përfaqësues të qeverisë informuan vetëm një pjesë të mediave të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›