E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Manjani: Berisha s‘ka respektuar vendimet e gjykatave

Që në krye të herës dua të them se argumenti që përdor mazhoranca (për të mbrojtur moshapjen e kutive), se shkelet vendimi gjykatës është i dobët juridikisht dhe politikisht. Varja e shpresave në një argument të dobët, tregon se sa e varfër në moral dhe në dinjitet është sot qeverisja e vendit. Juridikisht, nuk mund të ndalohet një komision kuvendor të hetojë mbi zgjedhjet. Hetim mbi zgjedhjet, ndër të tjera, do të thotë pa asnjë diskutim hapje e kutive të zgjedhjeve dhe këqyrje e çdo dokumenti dhe flete votimi që gjendet në to. Është e vërtetë që procesi zgjedhor është i mbyllur tashmë dhe juridikisht kjo do të thotë se vendi ka një mazhorancë dhe një qeveri legjitime që ka dalë nga ky proces, por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet e kaluara nuk mund të hetohen. Argumenti tjetër juridik se Gjykata Kushtetuese, kur ka argumentuar komisionin parlamentar "Rama" të vitit 2003, e ndalon hapjen e kutive është akoma më i dobët. Ky argument është i dobët, sepse nuk është kërkuar të hetohet gjykata dhe as vendimet që ajo ka prodhuar, por zgjedhjet dhe mënyra e administrimit të tyre ku përfshihet edhe numërimi i votave. Hetimi parlamentar nuk është hetim gjyqësor dhe si i tillë ai mund të konkurrojë me çdo hetim tjetër të kryer nga organet publike. Për më tepër, vetë Kushtetuta në nenin 77 ka parashikuar se "...konkluzionet e komisioneve hetimore nuk janë detyruese për gjykatat". Pra ligjërisht dhe formalisht (pavarësisht paqartësive dhe kakofonisë së Partisë Socialiste në formulimin e kërkesës) kërkesa për hetimin e zgjedhjeve dhe hapja e kutive të votimit, kërkesa është e drejtë. Politikisht, qeveria e zotit Berisha nuk mund të mbrohet dot me një argument të tillë, sepse kjo është qeveria që ka treguar një mungesë totale respekti dhe përgjegjësie për vendimet e gjykatave në gjithë këta vjet. Statistikat zyrtare që mbahen ende të fshehta tregojnë se niveli i zbatimit të vendimeve të gjykatave nga ana e qeverisë sot është diku te 34%, shifër kjo shumë e ulët për një shtet ligjor. Zoti Berisha dhe partia e tij u është referuar vetëm tri herë vendimeve të gjykatave në prononcimet e saj publike. Dy herë kur Gjykata e Lartë ka mbyllur shqyrtimin e akuzave penale ndaj ministrave Basha dhe Mediu dhe hera e tretë është tani që kërkohet hapja e kutive. Ky selektivitet në argument e bën këtë mazhorancë politikisht të dobët para kërkesës qoftë dhe të paarsyeshme apo të formuluar keq të opozitës. Personalisht, mendoj se Partia Socialiste nuk është korrekte politikisht me veten e saj dhe me publikun kur kërkon të delegjitimojë një proces zgjedhor të cilin e ka miratuar vetë. Ajo nuk qe në gjendje ta garantojë procesin zgjedhor, sepse nuk e ruajti votën siç edhe pati premtuar. Ngjarja që meriton fokus më të madh në gjykimin e legjitimitetit politik të palëve sot në konflikt nuk është vendimi i Kolegjit Zgjedhor, por vendimi i KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, i cili është miratuar 7 me 0, pra me konsensus total. Nëse PSSH e Edi Ramës e kishte seriozisht kërkesën për rinumërim, atëherë minimalisht duhet të udhëzonte komisionerët e saj në KQZ të votonin kundër rezultatit dhe maksimalisht të kërkonte largimin e tyre nga mbledhjet e komisionit. Nëse kjo do të bëhej sot do të flisnim krejt ndryshe të gjithë. Fakti që PSSH e miratoi rezultatin e zgjedhjeve më lë të kuptoj se Rama i bekoi këto zgjedhje me vetëdije të plotë. Prandaj them që lëvizja e sotme mbi rezultatin dhe kutitë nuk është politikisht korrekte. Për fat të keq, një gjë është arritur tashmë me "sukses" të plotë nga këto lëvizje të politikës së ditës. Është ripolarizuar shoqëria në ekstrem dhe është dëmtuar rëndë mundësia e funksionimit normal të shtetit sot e në të ardhmen. Ndoshta hapja e kutive mund të ndihmojë paksa për të rivendosur ndopak autoritet të shtetit e të së drejtës në këtë vend, por dëmi që kanë sjellë PD-ja dhe PS-ja në këto zgjedhje dhe pas tyre, tashmë është tepër i rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›