Analisti Xhuda: “Zgjedhjet serbe, të parëndësishme për Kosovën”
Analisti britanik Tim Xhuda i ka konsideruar zgjedhjet në Serbi pa “ndonjë domethënie për Kosovën” dhe kjo për faktin se edhe Tadiç si fitues i tyre por edhe aleatët e tij janë pothuajse tërësisht kundër pavarësisë së Kosovës. “Mendoj se do të vazhdojnë rrugën e tyre për të konsoliduar kontrollin e Qeverisë së Serbisë brenda Kosovës, prandaj nuk mendoj se këto zgjedhje do të kenë ndonjë rëndësi në Kosovë”,-u shpreh Xhuda. Në lidhje me konfuzionin që ekziston midis misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Europian në Kosovë kur pas një muaji skadon periudha tranzitore, Xhuda mendon se “loja vazhdon”. Megjithatë, ai shpreh bindjen se “jemi duke ecur drejt situatës në të cilën ndikimi i BE-së do të dominojë në pjesët e banuara me shqiptarë, kurse Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të dominojnë në pjesët e banuara me serbë”. I pyetur nëse qeveria eventuale e Tadiçit do të vazhdojë të angazhohet për konceptin e forcave radikale në Serbi për ndarje funksionale midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, Xhuda tha se është i mundshëm “një version më i fuqishëm dhe një tjetër më i butë në raport me këtë argument”, duke shtuar se Tadiç do të “angazhohet për një version më të butë të këtij koncepti”.
KFOR dhe SHPK: Gjendja Mitrovicë, e qetë
Komiteti për Siguri në Mitrovicë ka vlerësuar se gjendja në këtë zonë është e qetë pas zhvillimit të zgjedhjeve lokale serbe. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it nga kontingjenti i vendosur në veri të Kosovës. Komandanti i këtij kontingjenti, koloneli Majk Fonk u shpreh se gjithë java e kaluar ka qenë e qetë dhe pa probleme. “KFOR-i është këtu dhe do të asistojë për policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në sa herë që ka nevojë”, - u shpreh Fonk. SHPK-ja ka bërë të ditur se nuk është bërë asnjë përforcim i policisë nëpër enklavat serbe ku u mbajtën zgjedhjet serbe. Zëdhënësi i SHPK-së Veton Elshani deklaroi se gjendja e sigurisë është e qetë dhe e qëndrueshme në gjithë territorin e Kosovës.
Sejdiu i gëzuar që UNMIK-u i shpalli zgjedhjet serbe të paligjshme
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përshëndetur vendimin e shefit të UNMIK-ut, Joakim Ryker, për anulimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ai u shpreh se “ne nuk shohim vadilitetin e këtyre njerëzve në proceset elektorale, por i shohim qytetarët serbë që në të ardhmen duhet të jenë kontribues të barabartë të demokracisë”,-u shpreh Presidenti Sejdiu, duke i inkurajuar qytetaret serbe të cilët jetojnë në Kosovë të jenë sa më të integruar ne proceset vendimmarrëse. Më tej Sejdiu theksoi se “procesi i zgjedhjeve serbe në Kosovë është ilegal, ndërsa sa i përket rezultatit të tyre në Serbi, është zgjedhje e popullit serb se kujt i jep mandatin për të udhëhequr atje, mirëpo është me rëndësi që në gjithë rajonin të udhëheqin forcat demokratike”. Në përfundim Sejdiu theksoi se “Kosova është e interesuar të ketë raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet, përfshirë këtu edhe Serbinë”.
13 Maj 2008