E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: “Zgjedhjet serbe në Kosovë nuk kanë efekt juridik”



Zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës nuk kanë efekt juridik dhe nuk mund të ndërtohen institucione mbi bazën e tyre. Kështu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi. “Këto janë zgjedhje ilegale të proklamuara nga ne dhe bashkësia ndërkombëtare, pa ndonjë efekt juridik dhe nuk do të ndërtohen institucione mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Pra ka qenë një farsë dhe shumë shpejt do të shihet se ka qenë edhe një lojë politike me vullnetin e disa qytetarëve, që kanë një perceptim të ndryshëm për Kosovën”,-u shpreh Kuçi. Sipas tij, legjitimimi i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës mund të bëhet vetëm përmes procesit të ligjshëm zgjedhor të organizuar në Kosovë. Duke komentuar fitoren e demokratëve të Tadiçit në zgjedhjet serbe Kuçi tha se kjo do të mund të ndihmojë proceset integruese në BE të të gjithë rajonit, përfshirë edhe Kosovën dhe të ardhmen për proceset integruese në BE. Kuçi me këtë rast theksoi sërish interesimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet duke përfshirë këtu edhe Serbinë, por vetëm “si dy shtete të pavarura dhe sovrane ato mund të lidhin marrëdhënie të partneritetit të ndërsjellë”.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›