Arratiset nga ushtria, rezulton i humbur prej 9 vitesh
Një bllok kujtimesh i zverdhur, i mbushur me momente e përjetime, është një nga të paktat gjëra që kanë mbetur nga Fran Zefi. Pak para se të humbiste ai do të linte disa gjurmë, si një parandjenjë për atë që do të ndodhte më vonë. Janë mbushur plot 9 vite qëkur djali nga Tale i Lezhës është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Ata që e njihnin nuk tregonin për ndonjë tendencë pesimizmi të Franit e megjithatë, ndër të tjera, ai kishte lënë si shënim një varg: “Lumturia e vërtetë gjendet diku tjetër....”. Çfarë ka dashur të thotë i riu lezhjan me atë varg? A ka qenë ky një mesazh për rrugëtimin e tij të gjatë drejt së panjohurës? Mbi të gjitha, çfarë i ka ndodhur atij që nuk bëhet i gjallë prej kaq vitesh? Kanë qenë këto disa nga pyetjet të cilat e kanë munduar familjen Zefi duke u përpjekur të kuptojnë misterin e humbjes së djalit të tyre. Kjo ka qenë edhe shtysa e tyre për t’u paraqitur në emisionin “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.
Historia
Frani jetonte në fshatin Tale të Lezhës në një familje me kushte tejet të vështira ekonomike. Për herë të parë ai është larguar drejt Greqisë në vitin 1993 në Kimna të Selanikut, ku punonte në sektorin e bujqësisë. Qëndrimi i tij ishte i shkurtër dhe ardhjet e shpeshta në Shqipëri për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Në vitin e rrëmujshëm të 1997-s ai kthehet nga Greqia pranë familjes së tij. Disa muaj më mbrapa, në fillim të 1998-s ai do të niste shërbimin e detyruar ushtarak në Vaqar të Tiranës. Për arsye të cilat mbeten ende mister, Frani arratiset nga ushtria në qershor të vitit 1998 bashkë me disa shokë të tij. Si rrjedhojë e kësaj gjyqi ushtarak e dënon djalin lezhjan me rreth tre muaj heqje lirie për dezertim nga ushtria. Në qelitë e Burgut 313 në Tiranë ai njihet me një shqiptar nga Juniku i Kosovës i quajtur Ali, të cilit i ishte shprehur se “më parë vdes sesa të kthehem në ushtri, sikur edhe 100 djem të kem asnjërin prej tyre nuk do ta çoj ushtar”. Duke njohur karakterin e tij tepër impulsiv dhe të shkathët, miqtë dhe të afërmit e tij ishin çuditur për refuzimin e tij për të vazhduar shërbimin ushtarak. Pasi lirohet nga burgu ai qëndron në shtëpi deri në muajin prill të vitit 1999. Në atë kohë ai vendos të largohet përsëri drejt Greqisë, duke nxjerrë disa dokumente false, por me identitetin e tij të vërtetë. Sapo mbërrin në Iraklio të Kretës ai arrestohet nga policia greke dhe mbahet në burg për rreth një muaj e gjysmë. Në Iraklio ai kishte motrën, Bardha dhe vëllain e madh, Ilir. Këta të fundit e ndihmuan Franin që të dilte nga burgu dhe të rikthehej sërish në Shqipëri.
Pak kohë pasi ishte kthyer në shtëpi, ai debaton me të atin pasi ky i fundit nuk ishte dakord që Frani të linte ushtrinë. Në këtë mënyrë ai del nga shtëpia dhe nuk kthehet më. Më vonë motra e tij është kujtuar se ai i ishte shprehur se donte të largohej “diku larg” dhe do të qëndronte katër deri në pesë vjet pa i treguar gjë familjes. Pikësynimi i tij nuk shteti grek, pasi ky i fundit i kishte dhënë dëbim për 10 vite e as Italia, pasi atje jetonin njerëz që ai i njihte. Duke dashur të gjente një vend krejt tjetër, larg nga rutina dhe fytyrat e përditshme, ai thur një plan që të largohej bashkë me disa shokë, por që nuk ishin të fshatit të tij. “Vetëm 10 mijë lekë të vjetër ka pasur në xhep kur është nisur”, - kujtojnë familjarët. Veshja e tij i kishte lënë këta të fundit të dyshonin duke qenë se ai mbante mbathur çizme të gjata megjithëse ishte mesi i muajit korrik. Përveç kësaj, asnjë mjet identifikimi nuk kishte marrë me vete duke u nisur kështu drejt së panjohurës. Data 21 korrik e vitit 1999 ka mbetur në kujtesën e familjarëve si një ditë e zezë, e cila u hoqi nga sytë djalin e tyre. Që prej asaj dite ata nuk ja dëgjuan më kurrë zërin.
Trajtimi në “Njerëz të humbur”
Gjurmët e 29-vjeçarit nga Tale e Lezhës dilnin në vende të ndryshme të Europës e deri në kontinentin amerikan. Trajtimi në “Njerëz të humbur” solli në vëmendjen e teleshikuesve fytyrën e harruar të Fran Zefit duke i nxitur të jepnin shenja jete për të. Pista e parë e ngritur ishte ajo e Amerikës. Telefonues të shumtë pohonin faktin se një person me të njëjtin emër jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara. Në një kohë të shpejtë u arrit të gjendej ai person dhe të kontaktohej nga gazetarët e emisionit. Por shumë shpejt ky informacion do të hidhej poshtë. Në bazë të verifikimeve dhe kontaktit personal me këtë person u arrit në përfundimin se ai nuk ishte djali lezhjan i kërkuar në emisionin e Aida Shtinos. Pak e nga pak po fitonin terren dy pista të reja, tashmë në kontinentin europian. Teleshikues të ndryshëm pohonin faktin se kishin njohur një Fran Zefi nga Lezha në Greqi për t’ua lënë vendin atyre që merrnin nga shteti zviceran. Këta të fundit thoshin pothuajse me siguri të plotë se ai gjendej prej disa kohësh në një nga burgjet e këtij shteti. Pak e nga pak u krijua një trajektore e udhëtimit që ai mund të ketë bërë nga Shqipëria për në Greqi e më pas në Zvicër. E ndërsa kërkimet vazhdojnë akoma, ajo çfarë të afërmit e miqtë e tij urojnë është që ai “vend i largët” ku Frani dëshironte të shkonte të mos jetë aq larg sa të mos kenë mundësi të bien përsëri në gjurmët e tij.
13 Maj 2008