E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja e Berishës në krye të lëvizjes demokratike ishte një farsë

Agjenti britanik analizon shkaqet e dështimeve të anglo-amerikanëve. Si doli sekreti i kodeve që solli radiolojën. Opinioni i Dorrilit për Berishën

Stephen Dorril

(Vijon nga numri i kaluar)

Duke e zgjidhur sa më mirë një situatë të vështirë, Jetseviç siguroi ndihmën e Engeltënit në Romë për të fiksuar elementët e dobët të “Komitetit Shqipëria e Lirë” dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë të grupit të Independencës Katolike, një pjesë e të cilëve kishin bashkëpunuar me italianët gjatë luftës. Në Uashington komandanti ushtarak i mbretit Zog, Nuçi Kote, themelues i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, drejtoi një Komitet të ri Shqiptar të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruar, i financuar nga CIA (ACEN). Kolaboracionisti i kohës së luftës, Hasan Dosti, ishte veçanërisht aktiv në ACEN, Komiteti Politik i të cilit në vitet ‘50 kontrollohej nga organizata e Ballit Kombëtar.
Sërish tentativë
Për të zbuluar se ku ishte gabuar me operacionin, më 28 prill 1952 pesë ruajalistë që kishin shkuar pas Zogut në mërgim, duke përfshirë Zenel Shehun, udhëheqës i operacionit, dhe Nahil Sufën, së bashku me radistin Tahir Preçi, u dërguan në Shqipëri, në zonën e Matit. Ky operacion, në dukje i suksesshëm, la dy agjentë me grupet e rezistencës të rekrutuar më parë, të cilët mbanin lidhje me oficerët e OPC-së në Greqi. Sidoqoftë, menjëherë shefi i OPC-së në Greqi, All Ollmër, e pati të qartë se “ne po i hidhnim ata me parashutë në një vend të kontrolluar. Në fakt, forcat policore ishin në pritje në një shtëpi, pronë e kushëririt të Shehut. Ata vranë ose arrestuan dhe torturuan guerilët dhe pastaj e detyruan radistin të transmetonte një sinjal të qartë drejt një baze të MI 6-s në Qipro”. Ishte një stërvitje plotësisht e dështuar, e cila solli si përfundim transmetimin e sinjalit në një mënyrë të tillë që paralajmëronte se ajo po dërgohej nën kanosje... Por milicia e dinte sekretin. Ollmër ishte për të ndërprerë operacionin, veçanërisht pas kërkesave të përsëritura për armë dhe sende; apo hedhje të tjera. Ata kishin si qëllim të rrëzonin aeroplanët, por askush nuk u kushtoi vëmendje paralajmërimeve të tij. Veçanërisht “ai burrë në Romë... Lib s’kishte të bënte me zbulimin. Në fillim të gushtit u hodhën me parashutë armë që u pasuan nga një kërkesë tjetër me radio. Në të njëjtën kohë, shqiptarët – Sigurimi – që kontrollonte situatën, në mënyrë torturuese u transmetonte operativëve të OPC-së kërkesa për të dërguar tre guerilë për udhëzime klandestine”.
Pranohet dështimi
Ndërsa Uajzner besonte se operacioni “Find” ishte në tërheqje, Frenk Lindzi e dinte se ai kishte dështuar dhe u lejua të ngrinte një “këshill drejtuese vrastar” për të ndërprerë operacionet. Gjatë vitit 1952, një e treta e operacioneve në drejtim të Europës u seleksionua. Para se të largohej nga shërbimi për të shkuar në fondacionin Ford, Lindzi formuloi një letër për Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku konkludonte se “në kohë paqe duket se rusët kishin penetruar me lehtësi” dhe ishin “më të zotë se gjermanët në trajtimin e çështjeve të tilla të rrezikshme”. Përveç kësaj, ushtarakët “nuk i vlerësonin vitet e organizimit politik: që lanë mbrapa lëvizjet e suksesshme të rezistencës. Lindzi kishte parë drejtpërdrejt “humbjet rrëqethëse të jetës”, vuajtjet që shkatërronin çdo nivel të shoqërisë, shkatërrimin total, vrasjet e pengjeve, zinë e bukës. Dallesi nuk u bind nga letra e Lindzit. Kur atij iu tha se hedhjet me parashutë nuk nxorën ndonjë gjë në dritë, ai u përgjigj. “Të paktën ne po marrim eksperiencën që na duhet për luftën e ardhshme”. Pas një pushimi të shkurtër OPC-ja ndërmori operacione të tjera me të arratisur, të cilat akoma ishin më të pamenduara. Ndërkohë, baza e radios në Qipro merrte kërkesa për të hedhur agjentë të tjerë me parashutë për t’u takuar me elementë disidentë. CIA ra dakord dhe ditën e 1 majit të vitit 1953, si pjesë e një plani trashanik për të çliruar Shqipërinë me anën e një force të arratisurish të armatosur me bazë në Itali, u dërguan në Shqipëri edhe tre grupe të tjera guerile. Duke rishqyrtuar opsionet për operacione kundër vendeve satelite të BS-së, zyrtari i CIA-s, Riçërd Bisëll, hasi në projektin e Shtabit Paraushtarak: “Ata nuk e ndërprenë hedhjen e agjentëve apo luftën guerile nëpër male, por duhej intensifikuar vazhdimisht derisa të arrihej kulmi me një ndërhyrje në Shqipëri me anije, avionë, hedhje me parashutë dhe me mijëra njerëz”. Bisëll mendonte se plani ishte absurd. “Si kanë menduar ata kolonelë të OPC-së se mund të dalin me sukses me një provokacion të këtyre përmasave?” - ose të maskohet ai. Në prill, Sajrës Soullsbërgër bisedoi me ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Panajotis Kanellopulos. “Çuditërisht i pakujdesshëm ai zbuloi hollësira për një “Coup de main” – goditje, - të planifikuar. Ai tha se trupat amerikane, nëse është e nevojshme, do të përdoren për të “mbajtur rregullin pas një goditjeje lokale. Grekët ranë dakord të mos ngatërrohen; jugosllavët, pak a shumë, u paralajmëruan të vepronin kështu.
Enveri denoncoi aksionet
Në prag të Vitit të Ri, Radio Tirana njoftoi se persona të stërvitur për pjesën e fundit të operacionit ishin arrestuar nga Sigurimi dhe së shpejti do të zhvillohet gjyqi. Gjyqi demonstrues në prill të vitit 1954 bëri të ditur për herë të parë shkallën e mashtrimit që kishin bërë shqiptarë. Sigurimi kishte marrë në duart e tij të gjithë rrjetin. Për 18 muaj, me këshillat dhe ndihmën e specialistëve sovjetikë, ata manipuluan operacionin amerikan duke kontrolluar të gjitha mesazhet dhe përmbajtjen e tyre të transmetuar nga Qiproja. Më vonë, Enver Hoxha, duke u mburrur, tha se “ne i detyruam agjentët e kapur të viheshin në lidhje me qendrat e tyre të spiunazhit në Itali, e kudo dhe prej këtu të bënin lojën e tyre. Banda e kriminelëve që u hodhën me parashutë erdhën si cjapi te kasapi. Radioloja jonë e famshme solli dështimin e turpshëm të planeve të armiqve dhe jo meritat e një farë Kim Filbi”.
Gjyqi zbuloi në detaje të hollësishme operacionin si dhe një listë emrash dhe datash. Më 12 prill gjykata shpalli dënimin me vdekje për udhëheqësit komplotistë.
Gjyqi u pasua nga një sulm terrori në të gjithë vendin, ku sipas vlerësimeve, disa mijëra njerëz, të një popullate më pak se dy milionë, u pushkatuan vetëm sepse kishin lidhje me ta, mund të ketë qenë rreth një mijë. Kur u pyet për humbjet e jetëve, ish-oficeri i OPC-së, Xhejms Makkagër, mundi vetëm të thotë “shumë keq”. Abaz Ermenji më vonë u shpreh me keqardhje për kotësinë e kësaj manovre: “Aleatët tanë donin të bënin eksperiment me Shqipërinë, duke na trajtuar neve sikur të ishim kavie laboratori pa çarë kokën për humbjet njerëzore dhe në një sipërmarrje absurde që ishte e dënuar të dështonte”.
Nuk kishte kush të merrej me operacionin dhe ai përfundoi te shefi i Zonës Juglindore të CIA-s, Xhon Riçërdsën, për t’i dhënë fund operacionit “Find”. Një veteran i kohës së luftës në Korpuset e Kundërzbulimit në Itali, Vjenë dhe Trieste, hyri në Grupin Qendror të Zbulimit të pasluftës dhe më vonë në CIA. Xhokëu (Jocko Shimpazea) vizitoi Londrën, ku u takua me zyrtarë të lartë të MI 6-s. Pastaj shkoi në Romë dhe i përlotur i tha shefit të qendrës Xhozef Lib, se aktiviteteve ndaj Shqipërisë duhej t’u jepej fund. Gjatë verës së vitit 1954, kompania 4000 në Heidenberg u shpërnda së bashku me mjetet dhe pajisjet. Po kështu, edhe baza në ishullin grek që kontrollohej nga CIA. Shqiptarët që mundën të mbijetojnë u rivendosën në Britani, Komonuelth dhe Shtetet e Bashkuara.
Britanikët i kishin prerë më parë lidhjet me operacionin sesa amerikanët, por jo në kohën e duhur për të shmangur gjakderdhjen e panevojshme. Nikollës Bethëll, i cili prek nga historia tragjike e shqiptarëve që mbijetuan, u tregua i ashpër ndaj tyre të MI 6-s që e lejuan atë të vazhdonte përtej cakut të arsyeshëm. “Ata duhet ta shikonin që operacioni po shkonte në rrugë të gabuar. Ata duhet ta ndërprisnin dhe të shpëtonin jetët e atyre që u përfshinë në të”. Megjithatë, Bethëll ruan një respekt romantik për muskëtierët që filluan projektin. Është e vështirë për ta kuptuar arsyen. Lordi Xhuliën Emeri ndërkohë pranoi se operacioni dështoi në objektivin për të çliruar Shqipërinë, vazhdoi të besonte se ai kishte arritur disa suksese të cilat qëndrojnë në atë që ai “detyroi sovjetikët dhe shqiptarët të ndërprisnin luftën civile në Greqi”. Nuk ka prova për këtë pohim. Më realist është konkluzioni therës i specialistit të tërhequr që është marrë me çështjet e mbrojtjes Xhon Kigënm (John Keegan) në recensionin e librit të Bethëllit “Tradhtia e Madhe”. Është një histori rrëqethëse që u bë e tillë nga perceptimi se u ishte mohuar me sa duket arkitektëve, se komunistët shqiptarë, si dhe ata jugosllavë, ishin shumë më tepër të zotë për të vendosur të ardhmen e vendit të tyre, sesa një tufë ngatërrestarësh romantikë me një arsim të mesëm, të pajisur me lëndë plasëse”.
Muskëtierët këmbëngulën në bindjen dhe vazhduan kështu, se Filbi ishte përgjegjës për dështimin, por “bete moire”, - delja e zezë, - e tyre Sër Rexhinëld Hebërt ka plotësisht të drejtë kur pohon se operacionet ndaj Shqipërisë nuk mund të parashikoheshin se do të dështonin edhe sikur Filbi të mos i kishte tradhtuar ata”.
Kjo ndërmarrje u bazua në një vlerësim të gabuar të ekuilibrit të forcave në Shqipëri. Kushtet e popullit ishin pa dyshim të vajtueshme dhe Hoxha kishte armiq në radhët e tij. Por, revolucioni i kishte fshirë të gjithë ata që tentuan të vepronin si udhëheqës jashtë kontrollit të partisë në pushtet. Në këtë pikëpamje Shqipëria ishte njësoj si dhe vendet e tjera të Europës Lindore. Ishte një shpresë e dëshpëruar që emigrantët, pasues të nacionalistëve që dështuan më 1944-n, të stërvitur nga Smajli dhe të futur në Shqipëri, do të ishin në gjendje të mobilizonin pasues kundër sundimit të hekurt të PKSH-së pas 6 vitesh të një organizimi social drakonian. Skema ishte menduar dhe zbatuar nga njerëz që nuk mundën të kuptojnë forcat revolucionare që mundësuan Hoxhën dhe PKSH-në të vinin në pushtet në vitin 1944. Ajo çka u arrit e bëri vijën propagandistike të kahershme të Hoxhës, për armiqësitë e fuqive kapitaliste dhe synimet e tyre të kobshme që nga koha e luftës e këtej të shfaqet më e besueshme dhe i dha Hoxhës një pretekst tjetër për të forcuar kontrollin revolucionar.
Në një plan më të gjerë, britanikët dhe amerikanët ishin kështu “fajtorë” për të gjitha mëkatet e subversionit dhe ndërhyrjes duke mos përfillur sovranitetin kombëtar dhe nxitjen e luftës për të cilën ata gjithmonë kanë akuzuar armikun e tyre të Luftës së Ftohtë, Bashkimin Sovjetik. Duhej 14 dhjetori i 1990-s rreth 40 vjet më vonë që në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë të shpërthenin trazirat. Statujat e Hoxhës dhe Stalinit u rrëzuan dhe filloi procesi i ndërtimit të demokracisë. Për ironi, nuk ishte veprimtaria e guerilasve dhe sabotatorëve, por përfundon Bethëll, ndikimi i televizionit italian që rrezatonte në vend.
Historia u kthye në një farë me zgjedhjen e Sali Berishës si president i Shqipërisë. Muskëtierët, duke mos patur akoma influencën e tyre në politikën britanike ndaj Shqipërisë, lidhën qerren e tyre ideologjike pas yllit të Berishës, duke besuar se ai ishte njeriu që do të spastronte vendin nga e kaluara komuniste. Megjithatë, Sër Rexhinëld Hebërt e vlerësonte atë aq veskeq e diktator sa edhe Hoxha. Regjimi i tij i korruptuar u përmbys nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme në korrik të vitit 1997 dhe solli në pushtet Partinë Socialiste. Kthimi i djalit të mbretit Zog, princit Leka dhe i monarkisë u bë i pamundur për arsye se për të votuan vetëm 35%.

Kjo është pjesa e fundit e marrë nga libri “CIA, SIS-i dhe Sigurimi Shqiptar”
Përktheu: Perlat Çaushi
Titulli është redaksional.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›