E Diel, 1 Nëntor 2026

Enveri akuzon Mehmetin si titist: “Ishte një nga armiqtë e rrezikshëm”

“The New York Times” citon fjalimin e Hoxhës një vit pas vdekjes së kryeministrit. Mesazhi i tij kundër titistëve jugosllavë: “Mos luani me zjarrin, se do të digjeni vetë”

Henry Kamm

Agjencia zyrtare e shtypit informoi sot se vetëm një votues shqiptar rezulton të ketë votuar kundër qeverisë komuniste, ndërsa 1 627 959 qytetarë votuan në favor të kandidatëve të vetëm, të propozuar në zgjedhjet për në Kuvendin Popullor. Nga 9 vota, 8 prej tyre dolën të pavlefshme, të cilat nuk ishin dhënë për regjimin e kryesuar nga Enver Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë së Punës. Kjo tregonte një dobësim të tij, pasi në zgjedhjet e kaluara doli vetëm një votë kundër, një shqiptar tjetër abstenoi dhe tre vota ishte të pavlefshme.
Numri i votave që dolën kundër shqetësuan dukshëm organet e brendshme në një mënyrë të pazakontë. Shqipëria refuzoi Perëndimin si imperialist; dhe Bashkimin Sovjetik dhe Kinën si revizionistë. Përmes burimeve diplomatike thuhej se thashethemet e spastrimeve kishin mbërritur deri te fqinjët jugosllavë dhe vendet e tjera.
Sigurohet fjala e Hoxhës
Konfirmimi i pjesshëm i informacioneve ishte përmendur gjatë një fjalimi zgjedhor të zotit Hoxha, teksti i të cilit ishte siguruar këtu (SHBA, - shën. red.) përmes shqiptarëve.
Zoti Hoxha thotë se kryeministri i tij jetëgjatë, Mehmet Shehu, i cili thuhej se në dhjetorin e vitit të kaluar gjeti vdekjen nga vetëvrasja, ka vrarë veten jo “në një moment krize nervore”, - siç ishte thënë, - por sepse ai kishte qenë demaskuar si një agjent i huaj”.
Duke e cilësuar kryeministrin “si një nga tradhtarët dhe armiqtë më të rrezikshëm”, zoti Hoxha tha se zoti Shehu kishte punuar për Shtetet e Bashkuara përpara Luftës së Dytë Botërore dhe për Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë pas luftës.
Udhëheqësi shqiptar tha se zoti Shehu ishte urdhëruar nga jugosllavët të vriste atë dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë dhe “të shtypte me të gjitha mjetet terroriste të gjithë ata që do të ngrinin kokën kundër këtij tradhtari të madh”.
Zoti Hoxha tha se zoti Shehu “theu kokën e tij përballë unitetit parti-popull” dhe nuk kishte asnjë mënyrë tjetër “por alternativën e turpshme të vetëvrasjes”.
Gjithashtu, zoti Hoxha tha se Jugosllavia sponsorizoi një tentativë ndërhyrjeje shtatorin e kaluar, kur një skuadër, e cila zbarkoi në bregdet ishte “shpartalluar përpara se anëtarët e tij të ishin në gjendje të merrnin frymë në ajër dhe të shikonin diellin e Shqipërisë”. Shqiptarët kishin njoftuar zyrtarisht zbarkimin, dhe në Korfuz, një ishull grek fare afër Shqipërisë, ishin dëgjuar shumë të shtëna armësh zjarri.
Pavarësisht nga mallkimet e vazhdueshme kundër Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, një mike kjo që Shqipëria i doli kundër në vitin 1978, Jugosllavia ishte e keqja kryesore në diskutimin e Hoxhës.
“Tani ne dëshirojmë t’u themi titistëve jugosllavë vetëm këtë fjalë: Mos luani me zjarrin sepse drita e tij është ajo që do t’ju verbojë”. Ai akuzoi Jugosllavinë se jo vetëm po bën skenarë rreth Shqipërisë, por se po keqtrajton shqiptarët etnikë në Jugosllavi.
Theksohet vetëbesimi
Egërsia dhe theksimi i vetëbesimit ishin çështjet kyçe. Zoti Hoxha tha se Italia, vendi Perëndimor me të cilin ka marrëdhënie diplomatike dhe tregtare, ndoshta më të ngushtat, “nëse nuk është e interesuar në këto marrëdhënie, ajo mund t’i ndërpresë ato kur të dojë dhe kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh për ne”.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 18 nëntor 1982

Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albanian who killed himself linked by Hoxha to Belgrade”

Autori i shkrimit është fitues i “Pulitzer”, çmimi më i madh në fushën e gazetarisë sot
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e radhës do të lexoni

Si dështoi Xhevdet Mustafa në operacionin kundër Shqipërisë

Shtohet vëmendja e perëndimorëve ndaj shtetit komunist, që konsiderohej misterioz

Incidentet në kanalin e Korfuzit mes kufirit shqiptaro-grek dhe aksioni i Xhevdet Mustafës

Vazhdojnë debatet në lidhje me vdekjen misterioze të kryeministrit Mehmet Shehu

Për më shumë, na ndiqni në numrin në vijim

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›