E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza ; Policia e Tiranës, në dy vite krimet e zbuluara rriten 7%

Zbulueshmëria e krimit në Qarkun e Tiranës gjatë vitit 2008 ka arritur në 84 për qind, duke shënuar rritje krahasuar me vitet e kaluara. Policia e Qarkut të Tiranës ka arritur që të zbardhë 84% të krimeve të kryera gjatë vitit 2008. Kështu nga 4.220 vepra penale të kryera përgjatë këtij viti, janë zbuluar 3.560 prej tyre. Nëse krahasohet me një vit më parë, atëherë zbulueshmëria e krimit është rritur me 1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa, nëse llogaritet që nga viti 2006, atëherë ky tregues është rritur me 7 për qind. Nga puna e policisë së Tiranës janë zbuluar 3.612 autorë krimesh, nga të cilët janë arrestuar 1.040 dhe 2.424 ndiqen në gjendje të lirë. Gjatë këtij viti janë vënë në pranga 402 persona, të cilët ishin shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. 29 prej tyre kanë qenë në kërkim për vrasje, 27 për vrasje të mbetur në tentativë, 23 për plagosje të rëndë e 6 për shfrytëzim prostitucioni. Në vitin 2008, nga Drejtoria e Qarkut të Policisë së Tiranës janë organizuar 65 operacione policore për goditjen e grupeve kriminale apo individëve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Një numër i madh i këtyre aksioneve, 55 të tilla, janë kryer nga strukturat e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Financiar, ndërsa pjesa tjetër, 10, nga strukturat e Luftës Kundër Krimeve Kundër Personit dhe Pasurisë. Në krahasimin përgjatë tre viteve të fundit rezulton se në vitin 2006 janë evidentuar 3.268 vepra penale dhe janë zbuluar 2.514, ose 77%. Në vitin 2007 janë evidentuar 3.717 vepra penale dhe janë zbuluar 3.102 ose 83 %, ndërsa gjatë këtij viti janë evidentuar 4.220 vepra penale dhe janë zbuluar 3.560 ose 84%. Gjithashtu, është rritur numri i veprave penale me 952 për 2006 dhe 503 vepra për 2007, rritje kjo e cila sipas drejtuesve të policisë qëndron kryesisht në evidentimin e veprave penale, në veçanti në fushën e krimit financiar, e kundër rendit kushtetues. Një risi e re përgjatë këtij vitit ka qenë evidentimi dhe goditja e krimit dhe dhunës në familje, si një ndër shfaqjet që shqetëson më shumë shoqërinë tonë. Struktura e posaçme për hetimin e dhunës në familje dhe krimet ndaj të miturve ose të kryera prej tyre, i kanë dhënë një impakt të ri punës në këtë drejtim.

Për veprat që kanë ndjekur komisariatet e policisë, sipas juridiksionit, gjendja e kriminalitetit është si më poshtë: Janë evidentuar 1.616 vepra penale dhe janë zbuluar 1.537 prej tyre, ose 95%. Janë proceduar 1.674 autorë, nga të cilët 185 janë arrestuar, 1.472 në gjendje të lirë dhe 17 të larguar. Ndërsa në territorin që mbulon ky komisariat janë evidencuar gjithsej 183 vepra penale dhe janë zbuluar 166 prej tyre, ose 79%. Janë proceduar 189 autorë, nga të cilët 102 janë arrestuar, 70 ndiqen në gjendje të lirë dhe 17 janë larguar në drejtim të paditur.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, kemi një ulje prej 32 vepra penale dhe një rritje të forcës zbuluese me 9 %.

Sektori i Policisë Shkencore

Për vitin 2008 ka përballuar një ngarkesë prej 2.843 vendngjarjesh të ndryshme ose 145 raste më shume se në vitin 2007.

Analiza u mbajt në ambientet e Muzeut Kombëtar, ku ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, Prokurori i Tiranës, Genti Xholi, si dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare që asistojnë policinë shqiptare. Me rëndësi për këtë institucion ishte rritja e rezultateve të zbardhjes së krimeve me 7%, që nga viti 2006.

Seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve

Gjatë këtij viti janë evidentuar 138 raste të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 226 autorë, nga të cilët 165 të arrestuar. Kështu, për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, 138 raste. Duke e krahasuar me vitin 2007, janë evidentuar 52 vepra penale dhe 102 autorë më tepër. Gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar rreth 25 kg e 641 gr drogë e llojit heroinë, 407 gr kokainë, 159 kg e 110 gr kanabis sativa, 61 tableta metadon, 72 tableta dhe 16 kapsula ekstazi.

Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve

Ka evidencuar 177 raste të veprave penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 181 autorë, prej të cilëve 54 janë arrestuar në flagrancë dhe 127 në gjendje të lirë. Krahasuar me vitin 2007, këtë vit janë evidentuar 10 vepra penale më shumë.

Seksioni i Luftës Kundër Krimeve Ekonomiko–Financiare, ka evidentuar dhe kallëzuar në prokurori 742 vepra penale. Në këto vepra penale janë implikuar dhe proceduar penalisht 434 autorë, nga të cilët 111 janë arrestuar në flagrancë dhe 323 ndiqen në gjendje të lirë. Krahasuar me vitin e kaluar, vetëm nga ky seksion janë evidentuar 349 vepra penale më tepër.

Seksioni Kundër Pastrimit të Parasë

Gjatë kësaj periudhe, nga ky seksion janë evidentuar 47 vepra penale me 47 autorë, nga të cilët 8 janë arrestuar, 37 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Ndërsa nga Seksioni Kundër Korrupsionit janë evidentuar 114 vepra penale, ku janë proceduar 159 autorë.

Duna në familje

Janë rritur denoncimet e dhunës në familje për rastet që ndiqen me ankim, ku për periudhën raportuese, veç dhjetëra rasteve të trajtuara e të zgjidhura me pajtim midis palëve, për vitin në vazhdim janë kryer veprimet procedurale, janë dërguar për ndjekje penale 207 raste për keqtrajtime dhe janë proceduar penalisht 403 autorë, prej të cilëve 16 të arrestuar në kushtet e flagrancës dhe 387 ndiqen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 228 kërkesë padi, nga të cilat 32 janë shoqëruar me kallëzim penal. Për sa i përket punës në drejtim të mbrojtjes së të miturve, është bërë një punë e mirë në rritjen e bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat joqeveritare, të cilat punojnë në këtë drejtim, në dhënien e asistencës së nevojshme ligjore dhe psikologjike, si të të miturve të implikuar ashtu dhe atyre të dëmtuar nga veprat penale.

Trafiku rrugor dhe siguria në rrugë

Gjatë vitit 2008 kanë ndodhur 434 aksidente, ose 67 më tepër se vitin që kaloi, me 65 viktima ose 15 më pak se periudha krahasuese, 58 persona të plagosur rëndë dhe 356 persona të plagosur lehtë. Të gjitha aksidentet rrugore me pasoja janë analizuar me përgjegjësi, duke nxjerrë në pah të metat dhe dobësitë, shkaqet e ndodhjes, duke dalë me detyra konkrete për parandalimin e tyre. Janë ndëshkuar gjithsej 311.980 kundërvajtës, me vlerë 305.181.301 lekë, nga e cila është arkëtuar 91 % e saj. Janë bllokuar 4.015. ose 2.516 mjete më tepër se vitin që kaloi për shkelje të ndryshme të legjislacionit rrugor.

Gjithashtu, janë pezulluar 4.324 leje drejtimi për shkelje të Kodit Rrugor, ose 1.858 më tepër se në vitin 2007.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›