E Diel, 1 Nëntor 2026

Flutura Kola; Me Damir Fazlliç, marrëdhënie normale pune



Prokuroria e Tiranës merr në pyetje avokaten e Damir Fazlliç, Flutura Kola (Tafaj). Mësohet se avokatja e biznesmenit është marrë në pyetje dy ditë më parë në orët e pasdites, ku iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorit Besnik Cani dhe hetuesit Artur Cara, duke dhënë versionin e saj të fakteve. Për disa orë, deri në mesnatë, avokatja Kola ka dhënë shpjegime rreth blerjes dhe shitjes së kompanisë “Crown Acquisitions” sh.p.k., pronë e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, i cili po hetohet për “pastrim parash”. “Unë jam juriste dhe kam pasur marrëdhënie normale pune. Unë punoj me cilindo biznesmen dhe s’mbaj përgjegjësi dhe nuk më intereson se çfarë bën apo me se merret ai jashtë vendit”, - mësohet të ketë deklaruar para prokurorit Cani avokatja e Fazlliç. Kompania "Crown Acquisitions” u shit me një vlerë prej 1.7 milion eurosh për llogari të kompanisë “Altaria research limited”, me seli në Qipro. Sipas akuzës, avokatja Kola ishte përfaqësuesja ligjore e kompanisë qipriote, si dhe personi që ka tërhequr shumën prej 1.7 milion eurosh, që nuk dihet ku e ka dorëzuar. Shitja e kompanisë "Crown Acquisitions" të Damir Fazlliç u krye më 9 korrik 2007. Gjyqtarja Majlinda Doga, në vendimin me nr. 34011/2, pranoi shitjen e kompanisë së Damir Fazlliç, për llogari të "Altaria Research Limited", me seli në Nikozia të Qipros. Firma qipriote nuk solli në Shqipëri ndonjë përfaqësues ligjor, por me prokurë të posaçme autorizoi Flutura Kolën. Serbo-boshnjaku ka hapur gjyq ndaj organit të akuzës, pasi i konsideron të padrejta veprimet për bllokimin e pasurive. Për këtë arsye, prej disa javësh në Gjykatën e Tiranës zhvillohet një gjyq, ku Fazlliç përmes avokatëve pretendon se veprimet e prokurorisë për bllokimin e pasurive të tij janë të padrejta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›