E Shtunë, 31 Tetor 2026

TEORIA E GABIMIT

1-Ligji për pastërtinë e figurave zyrtare dhe të zgjedhurve, që pritet të miratohet të hënën në Parlament, ka ngjallur debat politik e publik. Opozita ka deklaruar se nuk do ta votojë ligjin, ish-të përndjekurit politikë e kanë cilësuar si të butë, mazhoranca e konsideron draftin si variantin më të mirë. Ju, si e shikoni këtë ligj? Cili mendoni se do të jetë impakti i tij në zhvillimet politike e shoqërore?

Cili është mendimi im për këtë ligj? Po unë sikur iu përgjigja kësaj pyetjeje javën e kaluar. Vetëm ta rivendos edhe një herë pllakën e gramafonit dhe ta ripërsëris edhe një herë mendimin tim. Nuk ke çfarë i bën, në media edhe duhet përsëritur. Sidoqoftë, nëse ka lexues të interesuar për këtë, ata do ta gjejnë mendimin tim te numri i kaluar i gazetës “standard”, te intervista që kam dhënë. Nuk kam ndryshuar që atëherë. Ose edhe në internet mund ta gjejnë duke vendosur në kërkim titullin: “Molla e sherrit” (“standard”). Pyetja tjetër juaja më duket interesante: Çfarë pasojash do të sjellë ky ligj? Por, përpara se t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, do të duhej të prisnim të hënën, pra të shihnim kalimin e ligjit në Parlament, sikurse parashikoni ju. Ecni shumë përpara në kohë me pyetjen tuaj. Megjithatë nuk ka rëndësi. Janë disa mundësi:

E para. Ligji aprovohet kështu sikurse është, duke anashkaluar edhe gjykimet e komentet e matura dhe shumë të sakta të qeverive demokratike perëndimore dhe atëherë vitin tjetër Shqipëria do të renditet kushedi sa vende më poshtë në klasifikimin botëror të respektimit të të drejtave demokratike. Këta personat që do t’u privohen pa ligj të drejtat qytetare do të ankohen në Strasburg dhe do të fitojnë shuma të konsiderueshme parash, do të bëhen edhe më të pasur se çfarë janë bërë, të pakënaqurit do të shtohen, e majta do të mbledhë vota më shumë dhe në moment të një ardhjeje eventuale në pushtet (kurdo që të ndodhë) do ta anulojë këtë ligj dhe e gjithë kjo shtresë shoqërore që përjashtohet tani do të rivijë përsëri padrejtësisht në zyrat e administratës, si viktima, këtë radhë, sikurse ndodhi pas 1997-ës dhe gjithçka do të përsëritet. Dhe do t’u thonë ish-të persekutuarve me cinizëm: “Ne zbatonim ligjin e keq në diktaturë, ju shkelni ligjin e mirë (kushtetues) në demokraci!”

E dyta që mund të ndodhë: Disa segmente mendjemëdha të së majtës nuk do të pranojnë asnjë lloj përgjegjësie për ushtrimin e një pushteti që dikur bëhej gjithmonë e më absurd mbi shtresat e persekutuara nga regjimi totalitar. Në këtë rast pakënaqësia dhe frustracioni i drejtë i këtyre shtresave do të qëndrojë gjithmonë latent, duke i bërë këto përherë e më të pakënaqura nga shoqëria e sotme.

Përgjegjësia në një shoqëri totalitare është një dukuri shumë e ndërlikuar. Mbi të janë shkruar mijëra volume dhe arsyetime juridike. Ajo nuk arsyetohet veçse mbi një bazë teorike dhe profesionale, e cila veç ndershmërisë morale, kërkon edhe një dije, njohuri mbi historinë mijëvjeçare të dhunës, e cila nuk vjen duke ndenjur në kafe. Ajo që tha ambasadori amerikan në emër të qeverisë së tij, pra që ligji duhet të presë kontributin e ekspertizës profesionale, është gjëja më e drejtë që kam lexuar e dëgjuar gjatë kësaj jave. Di se çfarë deklaron ai.

Totalitarizmi ka njohur edhe fenomenin “kapo”, pra ndëshkimin e viktimave nga të ndëshkuar të tjerë, sikurse ka njohur edhe autoviktimizimin, denoncimin e vetvetes, ndëshkimin e vetvetes, sikurse thotë filozofja Hannah Arendt.

Por, e thashë, askush nuk mund ta shmagë përgjegjësinë për të kaluarën, do të ishte e turpshme, pavarësisht se përgjegjësitë janë të ndara, shumë të shkallëzuara dhe aspak njëlloj. Pra, nuk mund të thotë hetuesi se ashtu ishin ligjet! Oh, jo, nuk është mbrojtje kjo. Vetëm viktimat që kanë pësuar ndëshkimin e pamerituar dhe që nuk kanë shërbyer për të ndëshkuar të tjerët janë pa asnjë vrasje ndërgjegjeje. Të tjerët, secili mban mëkatet e veta, të rinisë, të edukimit, të padijes, të naivitetit, të dëshirës për karrierë, të egoizmit, e ku e di unë se çfarë vesesh të tjera që shoqërojnë të gjitha, e theksoj, të gjitha qeniet njerëzore.

Ndëshkuesi, në cilindo pozicioni qoftë, mund të thotë se edhe unë isha i ndëshkuar ose mund të ndëshkohesha. Është edhe ai viktimë. Ka të drejtë. Por, nuk heq përgjegjësinë e tij për fatet e të tjerëve.

E para, nuk ishte i detyruar të bindej, mund të mos bindej me çdo çmim.

E dyta, mund të pranonte ndëshkimin si të tjerët në vuajtje, pa pranuar të kthehej në vegël.

E treta, mund të kishte treguar shenja mosbindjeje, qoftë duke mos pranuar poste, qoftë duke bërë gjeste të tjera mosbindjeje. Pra, gjithsesi, thotë filozofia, qenia njerëzore është e lirë, asgjë nuk e detyron në mënyrë të hekurt, pra përgjegjësia morale nuk mund të shmanget.

E treta mundësi që hapet: bërja e një ligji profesional, demokratik, përmirësimi jashtë pasioneve politike dhe dobisë politike të çastit, jashtë hakmarrjes, por larg edhe cinizmit indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve.

Ligj ekspertësh – sikurse thotë qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ka mekanizma të inxhinierisë sociale për këtë. Nuk mund ta bëjë një njeri i rrugës. Është njësoj sikur një operacion kirurgjikal që nuk mund ta bëjë as nëna e të sëmurit megjithëse mund të jetë qenia që e do më shumë atë. Nuk e bën dot se e vret atë që e do më shumë se veten. Ia lë mjekut operacionin. Ekspertit.

Një ligj i mirë për këtë duhet të përmbushë së paku tri kërkesa:

E para, të respektojë në mënyrë të padiskutueshme e të panegociueshme liritë dhe të drejtat demokratike të qytetarit, në mënyrë të barabartë, pa asnjë cenim. Nuk mund të privohet njeriu as nga e drejta e të zgjedhurit në Kuvend pa një vendim gjyqi që ta ketë shpallur më parë fajtor dhe ta dënojë.

Shoh se përmendin shembullin gjerman! Hapjen e dosjeve të Stazit etj. Nuk ecën analogjia për kohë dhe vende të ndryshme. Analogjia që nuk mban parasysh diferencat kontekstuale, është pre e manipulimit dhe e mungesës së logjikës racionale në arsyetim. Dikush gjen një shembull që i shkon për mbarë, të tjerë gjejnë nja njëqind shembuj të tjerë të kundërt. Nuk ka kuptim. Shembulli gjerman nuk vlen fare për ne. Sepse po të njohim implikimin e masave të mëdha qytetarësh gjermanë te nazizmi, pas lufte, do të duhej që për të ndëshkuar, sovranit do t’i duhej të përjashtonte veten e vet nga liritë, aq i gjerë ishte implikimi. Për të mos vazhduar me atë që Stazi ishte seksion i KGB-së sovjetike, pra e një shteti tjetër gati zyrtarisht. Janë kontekste të tjera ato.

Së dyti, duhet bërë rinovimi i elitave politike, juridike, administrative, duke mbajtur parasysh përgjegjësinë morale, politike dhe juridike, sipas rastit, në të kaluarën, për të bërë ripaqtimin e ndërgjegjes kombëtare. Por, jo nëpërmjet përjashtimit nga të drejta politike të shtresave të njerëzve për shkaqe funksionesh, por me anë të një mekanizmi kompleks që quhet i “pabarazisë për talentet personale”. Kërkoni që për ata që duan të kapin ato vende të kenë arsimimin perëndimor, të dinë gjuhë të huaja, të kenë përvoja në institucione perëndimore, të kenë mosha të përshtatshme rinovuese, të kenë grada shkencore, të kalojnë teste nga ekspertë të huaj dhe problemi zgjidhet menjëherë, gradualisht, pa pritur 18 vjet të tjera. Gjithçka e bazuar në të drejtat njerëzore. Kush i kalon këto teste, bravo i qoftë, hallall postin, pavarësisht se çfarë ka qenë. Sepse edhe kështu nuk vete fare. Edhe është vetë Kuvendi që i emëron nga viti në vit, pastaj po vetë Kuvendi nxjerr ligje me probleme me Kushtetutën për t’i përjashtuar ata që ka emëruar vetë.

Kjo është një “rrotë mundimi” – sikurse e them në librin tim me të njëjtin titull që ua rekomandoj lexuesve tuaj për ta kënduar.

Fut nga dera dhe nxirr nga penxherja.

Së treti, ligja në fjalë do të duhej të realizonte “drejtësinë rishpërndarëse” të posteve, një mekanizëm tjetër shumë i ndërlikuar, që nuk zbatohet dot me inat, por me ekspertizë, e që ka të bëjë më sigurimin e mundësive për aksesibilitet të barabartë të të gjithëve në poste publike mbi baza joklienteliste, pa u dhënë më shumë shanse bijve të një shtrese apo të një tjetre.

Në këtë rast e ardhmja është e siguruar. Ky është propozimi im si qytetar.

2-Kryeministri Berisha ka deklaruar hapur "dëshirën" që LSI-ja e Ilir Metës të marrë “pjesën që i takon”, 8-10%, në vendimmarrjen e politikës shqiptare, duke i kërkuar edhe Edi Ramës së PS-së ta vlerësoje këtë në diskutimet e rihapura për Kodin Zgjedhor. Sa mundësi ka që kjo “dëshirë” e Kryeministrit të kthehet në realitet?

Politikisht, veprim shumë inteligjent.

Më pëlqeu veçanërisht mënyra se si Kryeministri e legjitimoi ndryshimin e pozicionit të tij lidhur me këtë çështje, kur tha se askush nuk mund të shmanget nga teoria e gabimit. Është teoria më e mirë për t’u zbatuar nga klasa jonë politike nga të gjitha krahët.

Unë ëndërroj një fushatë elektorale ku të gjithë liderët e partive kryesore politike të bëjnë propagandë jo duke thënë se ku i kanë meritat, por të thonë dhe ekzagjerojnë gabimet e tyre sikurse bëjnë për meritat gjatë fushatave.

Të bëjnë garë elektorale nëpërmjet pranimit të gabimeve të pabëra.

Dhe elektorati të votonte më shumë atë politikan që do të pranonte më shumë gabime, që i kishte bërë apo nuk i kishte bërë, sikurse i voton për meritat që kanë, por edhe për ato që nuk i kanë. Më votoni mua, unë kam bërë gabimet e mëposhtme...

Të dilte për shembull kryetari i Gjirokastrës e të thoshte: “Më votoni mua, unë e rrëzova pallatin!”

Të dilte ndonjë deputet-ministër e të thoshte: “Më votoni mua se unë e kam fajin për kallinjtë e misrit pa kokrra!”

Të dilte kryetari i Fierit: “Më votoni mua se unë e shkaktova përmbytjen nga shirat”.

Më picko se po shoh ëndërr!

Do të ishte një mrekulli. Filozofi i teorisë së gabimit si logjikë e zbulesës shkencore, Karl Popper, do të gëzohej atje në qiell.

Unë jam partizan që zgjedhjet të monitorohen nga sa më shumë forca politike. LSI-ja ka të drejtë për këtë. E kam thënë gjithmonë. Ndryshimi im nga pozicioni i Kryeministrit është se ndërsa atij, sikurse tha, i ka ardhur keq nga greva e urisë, mua nuk më ka ardhur fare keq, sepse nuk isha me një mendje se duhej bërë kjo grevë. Kurse Ilir Meta, nga ana e tij, bëri shumë mirë që nuk e pranoi ndihmën e Sali Berishës për të shprehur interesat e tij para Partisë Socialiste të Edi Ramës. Kurse më çuditi që ka ende socialistë që dalin në ekrane e deklarojnë se zgjedhjet e 2005-ës kjo parti i humbi për shkak të Iliri Metës! Po qe se është kështu, atëherë thirreni pra Fatos Nanon, mos e luftoni, kur fajin s’e paska pasur ai dhe qeverisja e tij, sikurse e pranoi me dorëheqjen që bëri! Por, problemi i Kodit nuk zgjidhet duke i kërkuar Edi Ramës një anëtar më shumë. Këtë ai nuk e bën dot. Problemi zgjidhet duke e riparë të gjithë procedurën dhe mekanizmin e monitorimit të procesit zgjedhor.

Megjithatë, dy të majtat do të bashkohen pas zgjedhjeve të 2009-ës, ose në fitore, ose në humbje, nuk rëndësi. Por, që do të njohin një poçes aleancimi apo shkrirjeje – kjo nuk diskutohet.

3-Situata e ndikuar edhe nga zhvillimet e mësipërme ka hapur edhe një debat midis partive të mëdha politike dhe Presidentit. Z. Topi është kontestuar në dy aspekte kryesore: dekorimin e personave të akuzuar për pjesëmarrje në krimet komuniste dhe mosdekretimit “të qëllimshëm e të panevojshëm” të Kodit Zgjedhor. Si e komentoni këtë situatë?

Nuk kam asnjë dëshirë të komentoj kriteret që përzgjedh Presidenti për të dhënë dekoratat. Në ndonjë rast më është dukur se është bërë paksa më shumë lidhur me një logjikë politike dhe mediatike të ditës sesa me qetësinë e kombit që larg problemeve të ditës u jep qetësisht hakun njerëzve të vet të shquar. Për këtë kanë më shumë përgjegjësi propozuesit. Kjo filloi qysh me Presidentin e mëparshëm.

Në rastin konkret, nuk ka lidhje shkak – pasojë. Çfarë lidhjeje ka dekorimi i një ish-hetuesi a prokurori me domosdonë e ligjit të pastrimit të figurave në formën që ai ka sot si projektligj? Asnjë lidhje. Pse, po të mos e dekoronte atë, ligji nuk do të ishte propozuar?

Pavarësisht nga kjo, sipas meje, kushdo qoftë, nuk mund të dekorohet ashtu me motive të përgjithshme. Unë preferoj kur jepen dekorata për një veprim konkret në shërbim të kombit. Nëse ka një gjë të tillë, duhet dekoruar kushdo qoftë. Edhe një i burgosur mund të dekorohet. Për gabimin a fajin ndëshkohet, për veprën e madhe që mund të ketë bërë, dekorohet. Nëse ka bërë, jo më kot. Nuk shoh anë kontradiktore këtu.

E keni lexuar romanin “Viti 93”? Me siguri. Atje tregohet se në një anije lufte të trupave monarkiste një top-murtajë u shkëput nga zinxhirët dhe endej mbi kuvertë, duke rrezikuar anijen. Tmerr. Një ushtar u vërsul, u hodh mbi të dhe e bllokoi. Ishte pikërisht ushtari që kishte pasur edhe përgjegjësinë për t’u kujdesur që ai top të mos dilte nga zinxhirët bllokues. Kapiteni i anijes, një fisnik, hoqi nga xhaketa e tij një dekoratë dhe me ceremoni ia blatoi ushtarit trim. “Ja, - i tha, - për aktin tënd burrëror” dhe e puthi në ballë. Pastaj... urdhëroi rojat e tjera: “Tani merreni dhe pushkatojeni për fajin që ka bërë”.

Pra, dekorimi bëhet për akte konkrete, sipas meje, jo “për një jetë në shërbim të kombit” etj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›