E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza, 54 milionë lekë gjoba vendorëve

04/02/2009  Për evazion fiskal, vonesa dhe shkelje të tjera. Prefekti Deliallisi: Trajnim policëve për zgjedhjet

ELBASAN- Janë vendosur 54 milionë lekë gjoba për evazion fiskal, vonesa dhe shkelje të tjera nga njësitë vendore në qarkun e Elbasanit. Fakti është bërë i ditur në materialin e analizës së prefekturës ku ky sektor ka marrë masa administrative dhe disiplinore për punonjës dhe drejtues komunash dhe bashkish, pasi janë konstatuar shkelje të ndryshme të pasuara nga gjoba që pritet të vilen për çdo punonjës ose njësi vendore.

Analiza

Gjatë prezantimit të materialit për analizën prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, ka nënvijëzuar probleme të tilla si ndërtime pa leje të ndërtuara me përfundimin e procesit të aplikimit për legalizim. Ai ka theksuar se për këtë problem duhet të ndërhyjë pushteti vendor me anë të Inspektoratit të Ndërtimit pranë çdo njësie dhe të realizojë prishjen e tyre. Po kështu ai ka bërë prezent edhe kërkesën për investime tek zjarrfikësit sidomos në Librazhd ku edhe mungojnë ambientet dhe mjetet. Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, Florian Nuri, i pranishëm gjatë analizës ka theksuar faktin se 120 kërkesat e qytetarëve për verifikimin të titujve të pronësisë duhet të shikohen me përparësi dhe ata të marrin përgjigjen e duhur. Ndërkohë ai u ka bërë thirrje njësive vendore të përshpejtojnë procesin për aplikimin e kartave të identitetit që ky proces në Elbasan të fillojë brenda 10 ditëve të para të janarit. Gjithashtu Nuri ka kërkuar nga njësitë vendore angazhim edhe për sistemin e adresave, dy kushte të rëndësishme në shërbim të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në pozita maksimale dhe seksioni kundër krimit ekonomik duhet të funksionojë në mënyrë që të përmbushim ato objektiva që kemi vendosur për të luftuar korrupsionin”. Veç korrupsionit ai është ndalur edhe tek zgjedhjet ku ka kërkuar nga drejtuesit e policisë angazhimin maksimal në trajnimin dhe në informimin e efektivave mbi sjelljen në procesin zgjedhor të këtij viti. Në bazë të raportit të prezantuar në analizë njësitë vendore të qarkut të Elbasanit gjatë vitit 2008 kanë realizuar dyfishin e investimeve krahasuar me vitet e kaluara në sajë të fondeve akorduar nga shteti në trajtën e granteve konkurruese. Bëhet fjalë për një shumë prej më shumë se 807 milionë lekësh, të cilat kanë shërbyer për investime në rrugë, ujësjellës, arsim, shëndetësi, etj nga ana e njësive vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›