E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis demarkacioni i kufirit Kosovë-Maqedoni



Ka nisur dje në zonën e Debelldesë, demarkacioni i kufijve mes Kosovës dhe Maqedonisë. Punimet teknike janë kryer në prani të komisioneve ndërshtetërore të Kosovës dhe Maqedonisë. Në këtë zonë kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe policisë kufitare pasi në këtë zonë janë edhe shumë prona private të banorëve të Debelldesë dhe marrëveshja mes Shkupit dhe Beogradit e vitit 2001, u cënon të drejtën e pronës, banorëve të këtij fshati në një sipërfaqe prej 420 hektarësh.
Prof.dr. Murat Meha zv.kryetar i komisionit për demarkacionin e kufirit, tha se të gjitha përgatitjet për shënjimin e vijës kufitare janë bërë në nivelin më të lartë dhe në bashkëpunim edhe me banorët e Debelldesë, ndërkaq kryetari i Këshillit të fshatit Debellde, Zymri Ilazi, tha se shënjimi i pikave kufitare po bëhet në përputhje me kërkesat e banorëve të Debelldesë, që u kthen në pronësi banorëve tokat e tyre të uzurpuara 7 vite më parë. Sipas anëtarëve të komisionit për demarkacionin e kufirit, punët rreth shënjimit të vijës kufitare Kosovë–Maqedoni duhet të përfundojnë në mars të vitit 2009.

Harland, i dërguari i dytë i Ban Ki Mun në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të dërgojë në Kosovë, zëvendësshefin e dytë të përkohshëm të UNMIK-ut i cili do të jetë David Harland. E përditshmja kosovare “Express”, David Harland mbërron ditën e mërkurrë në Kosovë, për të qëndruar aty rreth pesë javë. Sipas planeve të rikonfigurimit të UNMIK-ut, ky post duhet të mbyllet përfundimisht pas 15 tetorit. Ardhjen e Harlandit, e ka konfirmuar për këtë gazetë edhe zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexandër Ivanko. “Ai vjen si ushtrues detyre i zëvendësit të PSSP-së. Por nuk e di çfarë detyrash do të ketë. Për ato, ai duhet të diskutojë me PSSP-në, Lamberto Zanier”,- ka thënë Ivanko.

Larry Rosin këshilltar i ri i Sheferit për Ballkan

Amerikani Larry Rosin do të jetë këshilltari i ri për Ballkanin i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jap de Hop Shefer. Lajmi u bë publik në të përditshmen “Koha Ditore”. Rosin do të zëvendësojë Xhejms Pardeu. Rosin, dikur shef i Zyrës Amerikane në Kosovë, dhe ish-ambasador i SHBA-ve në Kroaci, deri pak muaj më parë ishte në pozicionin e numrit dy të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Ndërkaq, si ekspert për Ballkanin, dhe ish-ambasador i SHBA-ve në Bullgari, ka qenë i përfshirë në vendosjen e paqes në këtë rajon.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›