Analiza/ Rrëmujë kompetencash mes misioneve e Prishtinës diletante
Rrëmujë kompetencash mes misioneve ndërkombëtare, breshëri diplomatike nga ana e Beogradit, një qeveri diletante. Kështu thuhet në një analizë të sapobotuar nga fondacioni gjerman “Bertelsman”, ku dalin në pah sfidat e BE-së dhe Prishtinës. Pothuajse një vit që nga shpallja e pavarësisë shumë pyetje ende janë pa përgjigje dhe Kosova gjendet në një krizë fondamentale. Ky është konstatimi i kësaj analize nga fondacioni “Bertelsman”. “Vazhdon të mbizotërojë një rrëmujë e madhe”, thotë njëri nga autorët e studimit të botuar në periodikun ‘Spotlight Europe’, Armando Garsia Shmit. “Kjo ka të bëjë edhe me faktin që Bashkimi Evropian vetë nuk është unik në këtë çështje”, thotë ai. Komisioneri Oli Rehn thotë se “viti 2009 do të jetë viti i Ballkanit Perëndimor”. Me qëllim që zhvillimet e vitit të porsa nisur të marrin një kthesë pozitive edhe për Kosovën duhet që Brukseli dhe Prishtina të përballojnë disa sfida vendimtare, sugjerohet në analizë. Nga Bashkimi Evropian kërkohet që ky të tejkalojë përçarjen e brendshme për statusin duke kaluar në zgjidhje të praktikueshme: “Konkretisht vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të njohin të paktën pasaportat kosovare”, thotë Garsia Shmid. Në analizë theksohet edhe nevoja e një mbështetje më të fuqishme për zyrën Ndërkombëtare Civile të drejtuar nga holandezi Peter Feith, funksioni i së cilës mbas vendimit më të fundit të Këshillit të Sigurimit për shtrirjen e EULEX-it është tërësisht i paqartë. (QNK)